Zgjerimi i EvropësHistoria e Euro-s  
Momentet kyçe të BE-së
 
 
1950
 
 
 
 
 
 
 
Vitet 1950

 


Robert Schuman, themeluesi i BE-së
9 maj, 1950
Deklarata Schuman

Ministri i jashtëm francez Robert Schuman shpall një plan për bashkëpunim midis Francës dhe Gjermanisë për prodhimin e qymyrit dhe çelikut dhe fton edhe vende të tjera të bashkohen me ta. Plani i tij bazohet në idenë se uniteti evropian është kyç për paqen. Solidariteti në prodhim, thoshte ai, do ta bënte luftën midis Francës dhe Gjermanisë "jo thjesht të paimagjinueshme, por edhe materialisht të pamundur".

18 prill, 1951
Traktati i Parisit krijon Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (ECSC)

Gjashtë vende nënshkruajnë traktatin, Franca, Gjermania, shtetet e Beneluksit, dhe Italia. Ai krijon një Autoritet të Lartë për të drejtuar industritë e qymyrit dhe çelikut, dhe një Asamble të Përbashkët, paraardhësja e Parlamentit Evropian. Holandezët, të mbështetur edhe nga gjermanët, këmbëngulën në krijimin e një Këshilli Ministrash të përbërë nga ministrat e vendeve anëtare si kundërpeshë ndaj Autoritetit të Lartë mbikombëtar.

29 shkurt, 1952
ECSC-ja fillon punën me Jean Monnet si kreun e saj

Presidenti i parë i Autoritetit të Lartë është Jean Monnet, frymëzimi pas deklaratës Schuman. ECSC-ja garanton qymyr gjerman për industrinë franceze të çelikut. Ajo gjithashtu jep fonde për të modernizuar minierat e qymyrit në Belgjikë dhe Itali. Gjermania e pranon këtë si dhe shpërbërjen e karteleve të saj të çelikut, me qëllim që të fitojë respekt ndërkombëtar.

27 maj, 1952
Ngritja dhe rënia e Komunitetit Evropian të Mbrojtjes

Në përgjigje ndaj Luftës së Koresë, SHBA-ja këmbëngul që Evropa të kontribuojë më shumë për mbrojtjen e saj dhe që Gjermania të riarmatoset. Në vitin 1952 gjashtë vendet anëtare të ECSC-së bien dakord të krijojnë Komunitetin Evropian të Mbrojtjes, që parashikon që ushtarët gjermanë të bashkohen në ushtrinë evropiane. Por parlamenti francez e vonon ratifikimin dhe në fund e hedh poshtë këtë ide në vitin 1954.

Gjashtë vendet nënshkruajnë Traktatin e Romës

25 mars, 1957
Traktati i Romës, një hap i parë drejt tregut të përbashkët

Gjashtë vendet e ECSC-së nënshkruajnë Traktatin e Romës duke krijuar Komunitetin Ekonomik Evropian (EEC) dhe Komunitetin Evropian të Energjisë Atomike (Euratom). EEC-ja synon të krijojë një treg të përbashkët, një bashkim doganash, plus lëvizje të lirë të kapitalit dhe punës. Për të kënaqur Francën, ai gjithashtu premton subvencione për fermerët. Synimi i Euratom-it është zhvillimi i përbashkët i energjisë bërthamore.

1 janar, 1958
EEC-ja fillon duke dominuar komunitetet e tjera evropiane

EEC-ja fillon punën dhe shpejt e vendos veten si më të rëndësishmen e komuniteteve evropiane. Ajo ka një komision, një këshill ministrash dhe një asamble parlamentare këshilluese, anëtarët e së cilës vijnë nga parlamentet kombëtare. Në të njëjtën kohë krijohet Gjykata Evropiane e Drejtësisë për të interpretuar Traktatin e Romës dhe për të vendosur në mosmarrëveshjet lidhur me vendimet e Komunitetit.
 
^^ Kthehu në krye Kthehu tek faqja kryesore >>