BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 17 janar 2011 - 17:59 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
"Njerëzit nën hetime të mos jenë pjesë e qeverisë"
 
Ulrike Lunaçek, e Parlamentit Evropian
Pajtohem me zotin Feith kur bën thirrje që qeveria e ardhshme të jetë "e pastër".
Raportuesja e posacme e Parlamentit të Evropës për Kosovën, Ulrike Lunaçek, i është bashkuar thirrjeve ndërkombëtare për një qeveri të Kosovës, siç tha, të “pastër”, të përgjegjshme dhe kredibile, pa përfaqësim të atyre që, sipas saj, janë nën hetime.

Ajo tha se i takon Parlamentit dhe Qeverisë së ardhshme të Kosovës të dëshmojnë seriozitet dhe që kritikat nga jashtë dhe brenda vendit për parregullsitë në zgjedhjet e përgjithshme janë marrë seriozisht.

Në një bisedë me BBC-në, zonja Lunaçek tha se Parlamenti dhe Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të punojnë shumë për të rikthyer kredibilitetin e humbur filluar me reformën zgjedhore.

Ajo tha se duhet të marrë fund tradita e mosndëshikimit të përgjegjësve për mashtrime dhe parregullsi dhe sipas saj, ata duhet të vihen para drejtësisë dhe të dënohen.

Zonja Lunaçek tha se ka rrezik që të dëmtohet imazhi i Kosovës me procesin e parregullt zgjedhor dhe përmendi në këtë rast edhe kërcënimet që u janë bërë një numri të vëzhguesve ndërkombëtar në disa vendvotime në zgjedhjet e përsëritura më 9 janar.

Raportuesja e posaçme e PE-së i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos i ndëshkojë qytetarët e Kosovës me mos hapjen e dialogut për vizat, për shkak të, siç tha, zgjedhjeve pjesërisht të parregullta të shkaktuara, sipas saj, nga grupe të caktuara.

Me zonjën Lunaçek, bisedoi Arbër Vllahiu i BBC:

BBC: Zonja Lunaçek një shkrim tuajin i keni cilësuar zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë si të manipuluara. A nuk ju duket paksa vlerësim i ashpër?

Lunaçek: Unë i kam thënë, së bashku me kolegët e mi, këto kritika pas zgjedhjeve të rrethit të dytë, por gjithashtu edhe më 12 dhjetor, dhe kemi thënë disa gjëra. Kam thënë gjithashtu se ka patur përmirësime në strukturë. Psh Paneli i Ankesave dhe gjithashtu edhe KQZ-ja kanë bërë një punë më të mirë se sa në zgjedhjet komunale në vitin 2009 dhe më heret. Prandaj ka patur përmirësime në disa pjesë të organizimit. Por ne gjithashtu kemi thënë në raportin tonë të para një jave se shumë aktivistë dhe shumë njerëz kanë dashur që këto zgjedhje të shkojnë mirë. Kritikat e mia në të cilat unë insistoj, dhe e di që për disa njerëz është shumë e rëndë që të dëgjojnë, posacërisht nga unë si një mbështetëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së, se ka patur mungesë të vullnetit politik për të bërë një punë vërtetë të mirë dhe për t’i bërë këto zgjedhje në përputhje me standardet ndërkombëtare. Do të doja të shihja këto zgjedhje të kenë qenë të mira dhe në rrugë të mirë, posacërisht më 9 janar. Unë isha atje dy herë edhe më 12 dhjetor edhe më 9 janar. Madje edhe më 9 janar unë kam parë dicka që nuk është njoftuar më 12 dhjetor sic është një lloj kërcënimi ndaj ekipit vëzhgues diplomatik ndërkombëtar, të organizuar nga Përfaqësuesi i Posacëm i BE-së. Këto gjëra mendoj se janë shumë fatkeqe. Kam dëgjuar shumë kritika edhe nga vetë kosovarët dhe jo vetëm mga unë. Kam marrë shumë informata psh nga Demokracia në Veprim por edhe nga vetë qytetarët. Prandaj mendoj për të përparuar drejt BE-së është me rëndësi që këto parregullsi të qartësohen, që njerëzit të cilët kanë provuar ose kanë bërë mashtrime do të gjykohen dhe do të dënohen me qëllim që t’u sqarohet qytetarëve të Kosovës se zgjedhjet janë të rëndësishme dhe se demokracia është e rëndësishme.

BBC: Ju po thoni se ka patur mungesë të vullnetit politik. Kujt po ia drejtoni gishtin?

Lunaçek: Gjërat që kam parë janë psh raste të kërcënimeve, kishte raste kur kishte më shumë se dy vëzhgues të një partie në vendvotime, pastaj kishte probleme teknike në disa vende. Madje edhe Demokracia në Veprim ka njoftuar për rreth 40 raste kur njerëzit kanë votuar nga dy herë, përfshirë këtu edhe një rast të kreut të një Komisioni Zgjedhor në një vendvotim. Kjo është ajo që ka raportuar Demokracia në Veprim, unë nuk mund ta dëshmoj këtë por unë shpresoj se kjo është hetuar. Tani po dëgjojmë se ndoshta jo gjysma, por shumica e votave nga vendvotimet e 9 janarit duhet të rinumërohen. Nuk jam vetëm unë ajo që po e them, por po ju referohem edhe kritikave që vijnë nga brenda Kosovës. Unë po apeloj se është me rëndësi që të sqarohet krejt kjo dhe të bëhet një reform e shpejt dhe e menjëhershme zgjedhore.

BBC: Kjo i bjen se ju po e favorizoni një proces të ri të zgjedhjeve në Kosovë, meqë këto zgjedhje e paskan dëmtuar reputacionin e vendit?

Lunaçek: Në një mënyrë edhe e ka bërë. Mendoj se Parlamenti dhe Qeveria e ardhshme duhe të punojnë shumë për të rikthyer kredibilitetin. Psh duke bërë një reformë të mirë zgjedhore. Unë nuk po bëjë thirrje për zgjedhje të reja ose dicka të ngjashme, kjo ju takon kosovarëve të vendosin. Dua që këtë ta them shumë qartë se nuk më takon mua që të vendos për këtë gjë, por duhet kosovarët ta bëjnë vetë. Unë nuk po ju jap rekomandime se cfarë duhet bërë. Pavarësisht nga ajo që është thënë nga shumica e partive ëhstë e nevojshme reforma zgjedhore. Mendoj se kjo është ajo që shumica e partive e kanë thënë dhe prandaj le të bëhet.

BBC: Çfarë shenjash dhe çfarë sinjalesh ka dërguar atëherë Kosova në BE me këto zgjedhje?

Lunaçek: Kam frikë se nuk është bërë më e mira. Për mua është me rëndësi që qytetarët e Kosovës dhe partitë politike tani duhet të japin shenja se sic e thash më heret, ata që kanë bërë parregullsi dhe mashtrime do të dënohen. Se tradita e mosndëshkimit, sic ishte rasti me komisionerët e zgjedhjeve lokale në vitin 2009 e të cilët nuk janë dërguar para drejtësisë dhe të cilët kanë bërë mashtrime, që kjo traditë e mosndëshkimit do të ndalojë. Kjo do të jetë e rëndësishme që t’i tregohet edhe bashkësisë ndërkombëtare dhe të dëshmohet se do të ketë mbështetje për procese të tilla. Por përpjekja do të duhej të vinte nga Parlamenti dhe Qeveria e ardhshme.

BBC: Kur thoni Parlamenti dhe Qeveria e ardhshme, atëherë cfarë institucionesh do të ketë Kosova në të ardhmen me këto zgjedhje që ju i cilësoni si të manipuluara?

Lunaçek: Unë pajtohem me Përfaqësuesin e Posacëm të BE-së, zotin Feith kur bën thirrje që qeveria e ardhshme të jetë “e pastër”, e përgjegjshme dhe kredibile. Që psh njerëzit që janë nën hetime të mos jenë pjesë e kësaj qeverie. Tani i takon Parlamentit dhe Qeverisë që do të krijohen pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve, se ka një mundësi të dëshmojnë se janë serioz dhe se kritikat që kanë ardhur nga brenda Kosovës dhe jashtë saj, përfshirë edhe mua, janë marrë seriozisht. Pastaj pas reformës zgjedhore të shohim se si po ecim tutje. Unë nuk jam ajo që duhet t’u tregoj kosovarëve se cfarë të bëjnë në këtë situatë. Mendoj se u takon atyre që të tregojnë se kritikat janë marrë me zemër dhe se do të ketë përmirësime.

BBC: Dhe më lejoni t’ju pyes zonja Lunaçek. Sa e ka dëmtuar ky proces zgjedhor rrugën e Kosovës drejt liberalizimit të vizave?

Lunaçek: Natyrisht se ka një rrezik, siç është thënë më heret, për dëmtimin e imazhit të Kosovës. Por në anën tjetër, dhe këtë po them si një njeri që e ka shtyrë fuqishëm dialogun për vizat për një kohë dhe ende po e bëjë këtë, unë gjithashtu kam një kërkesë për BE-në, për Komision Evropian dhe për Këshillin e Evropës që ta shoh këtë si një lloj proces teknik. Që Kosovës t’i hapet dialogu për viza dhe pastaj të vendosen kriteret dhe që të bëhet një hartë e rrugës dhe që pastaj qeveria e Kosovës, që duhet të krijohet, duhet të tregoj se cfarë po bën për të përmbushur këto kushte. Duke patur kriteret dhe një hartë të rrugës do t’i mundësojë Parlamentit dhe shoqërisë civile të kontrollojë qeverinë e tij dhe t’i thotë ne duhet të bëjmë këtë dhe këtë, cka ke bërë dhe pse nuk e ke bërë. Duke e filluar dialogun për vizat me Kosovën do të zhvillohet procesi demokratik. Dhe edhe një gjë, dialogu për vizat është për qytetarët e Kosovës dhe jam e sigurt se shumica e qytetarëve të Kosovës kanë dashur zgjedhje ku do të vlerësohej cdo votë dhe e deshën një proces të vërtetë demokratik dhe të vërtetë. Mendoj se nuk do të ishte ide e mirë që BE-ja t’i dënoj qytetarët e Kosovës për zgjedhje pjesërisht të parregullta që janë shkaktuar nga grupe të caktuara dhe jo nga të gjithë qytetarët e Kosovës. Dialogu për vizat është një cështje tjetër. Qytetarët e Kosovës duhet ta kenë të qartë se të paktën po fillon procesi dhe sic e thash unë po argumentoj për një proces teknik.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>