http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 14 dhjetor 2010 - 09:08 CET

Violeta Hyseni
BBC, Prishtinë

PDK-ja kryeson rezultatet e para

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar fitoren e Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Sipas rezultateve të para zyrtare të shpallura të hënën në mbrëmje, PDK prin me 33,5 përqind të votave me një diferencë prej afro dhjetë përqind nga ish partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

LDK-ja, sipas KQZ-së, ka marrë 23,6 përqind. Në vendin e tretë renditet një subjekt i ri politik, Lëvizja Vetëvendosje që ka mbledhur 12,2 përqind të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 10,8 përqind dhe Aleanca Kosova e Re me partnerët e saj të koalicionit me 7,1 përqind.

Dy subjektet e tjera politike, Lidhja Demokratike e Dardanisë e ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci dhe subjekti i ri politik Fryma e Re e udhëhequr nga aktivistë të shoqërisë civile, nuk kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor prej pesë përqind.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se në rezultatet paraprake nuk janë përfshirë votat në 23 vendvotime nga pjesë të ndryshme të Kosovës si dhe mbi 28 mijë e 500 vota me kusht. Kjo për shkak se mospërfundimit të numërimit të këtyre votave.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve pasqyrojnë edhe votat në komunën e Skënderajt dhe atë të Drenasit, ku subjektet politike kanë akuzuar Partinë Demokratike për shpërdorim të votave, shqetësime këto që janë shprehur edhe në raportet e vëzhguesve vendorë e ndërkombëtare.

Zonja Daka tha se pas shqyrtimit të ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, KQZ do të vendosë për hapat që do të ndiqen në ato komuna ku konstatohen keqpërdorime të votave.

Afati për dorëzimin e ankesave të subjekteve politike ka përfunduar të hënën në mbrëmjë dhe zyrtarë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kanë raportuar për paraqitjen e mbi 170 ankesave, shumica prej të cilave janë bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.