BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 13 dhjetor 2010 - 12:34 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Eurodeputetët vlerësojnë zgjedhjet e qeta
 

 
 
Parlamenti Evropian
Vëzhguesit e Parlamentit Evropian kanë vlerësuar se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në atmosferë të qetë, por kanë thënë se ka pasur akuza serioze për keqpërdorim të votave në dy komuna, Skënderaj dhe Drenas.

Eurodeputetja Doris Pack ka kërkuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe nga subjektet politike që t’i shqyrtojnë këto ankesa në rrugë ligjore.

Delegacioni shtatëanëtarësh i Parlamentit Evropian, që vëzhgoi zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, vlerësoi se organizimi i mirë i tyre dhe pjesëmarrja e mirë e votuesve janë inkurajuese për zhvillimin demokratik të Kosovës.

Por zonja Pack tha të ketë pasur vështirësi teknike dhe disa incidente shqetësuese.

"Akuza serioze për parregullsi në dy komuna janë vënë në dijeni të delegacionit," tha zonja Pack.

"Delegacioni inkurajon partitë politike që të ndjekin procedurat e duhura ligjore, shkelësit e identifikuar duhet të ndiqen penalisht në përputhje me ligjin në mënyrë që të largohet kultura e mosndëshkimit," është shprehur zonja Pack.

"Të shqyrtohen parregullsitë"

Sipas saj, keqpërdorimet e mundshme në këto dy komuna nuk duhet ta zbehin rregullsinë e gjithë procesit zgjedhor.

Shqetësimet për keqpërdorim të votave në komunën e Skënderajt dhe Drenasit, që njihet si bastione të Partisë Demokratike të Kosovës, lidhen me pjesëmarrjen tepër të lartë të votuesve, rreth 98 përqind dhe me votimin vetëm për këtë parti politike.

Vëzhguesit e Parlamentit Evropian thonë se Kosova duhet të dëshmojë që është shtet ligjor dhe të shqyrtojë këto ankesa serioze.

"Ankesat duhet të merren parasysh, ne e dimë se ka numër të madh të votuesve në këto dy komuna dhe ne nuk mund të themi se cili do të jetë efekti i kësaj dhe a do ta dëmtojë procesin zgjedhor, por ne presim që të ndiqen procedurat dhe që ankesat të merren parasysh seriozisht," tha raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek.

Më kritik ndaj parregullsive të evidencuara në dy komuna është shprehur raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin.

"Fatkeqësisht gjëra si këto kanë ndodhur edhe para një viti, por për fat të keq fajtorët për këtë nuk qenë arrestuar. Ky është dështim i shtetit ligjor të Kosovës," tha zoti Kacin.

Përshëndetet pjesëmarrja serbe

Parlamenti Evropian përmes delegacionit që vëzhgoi zgjedhjet ka përshëndetur edhe pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje.

"Anëtarët nënvizojnë pjesëmarrjen në rritje të komunitetit serb si shenjë e angazhimit më të madh të tyre në institucionet e Kosovës," tha zonja Pack.

"Sidoqoftë delegacioni shpreh keqardhje që serbët në veri të Kosovës kanë refuzuar të shfrytëzojnë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike," deklaroi eurodeputetja Pack.

Delegacioni i Parlamentit Evropian tha se tani Kosova ndodhet në një moment kyç për të ndërtuar një shtet multietnik për të gjithë qytetarët e saj.

Ai nxiti të gjitha palët që të kontribuojnë për stabilitetin dhe prosperitetin e vendit.

Vëzguesit nga Brukseli shfaqën shpresën për konstituimin e shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve.

 
 
LOKALE
Pjesëmarrje më e lartë e serbëve
13 dhjetor 2010 | Faqja Kryesore
KQZ: Më pak se gjysma dolën në zgjedhje
12 dhjetor 2010 | Faqja Kryesore
PDK kryeson ndërsa numërohen votat
12 dhjetor 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>