BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 30 nëntor 2010 - 12:00 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
“Serbët që votojnë nuk bëjnë krim”
 
Oliver Ivanoviq
Një zyrtar i qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq thotë për BBC-në se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e Kosovës nuk paraqet kurrfarë vepre kriminale dhe askush nuk duhet të sanksionohet për këtë.

Por sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën e bën të qartë qëndrimin e Beogradit se ata që bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës, nuk mund të marrin paga nga Serbia.

Oliver Ivanoviq vlerësoi se dalja e serbëve në zgjedhje do të dobësonte pozicionin e Serbisë në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që pritet të nisin në fillim të vitit të ardhshëm.

Korresopondentja e BBC-së, Violeta Hyseni bisedoi me zotin Oliver Ivanoviq në zyrën e tij në veri të Mitrovicës.

BBC: Zoti Ivanoviq, qeveria e Serbisë ka thënë se nuk ka kushte për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës. A nënkupton kjo se ju po i inkurajoni serbët që t’i bojkotojnë këto zgjedhje?

Ivanoviq: Kjo është një deklaratë mjaft neutrale, por është e qartë se qeveria e Serbisë nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj në krahasim me vitin 2007 apo në vitin 2009. Ndërkohë ka ndodhur shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës që në masë e ka vështirësuar gjendjen.

Në këtë mënyrë, qëndrimi i Serbisë është shumë i qartë për atë që dëshiron ta dëgjojë, megjithatë ka njerëz që mendojnë ndryshe dhe ata natyrisht janë të lirë të shprehin mendim të ndryshëm politik. E drejta në lirinë e mendimit është e garantuar me Kushtetutën e Serbisë.

BBC: Por serbët duket se janë në konfuzion, ata gjenden mes thirrjeve për bojkot dhe atyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës. Nëse juve si përfaqësues i serbëve do të ju pyesnin qytetarët e rëndomtë, të dalin apo jo në zgjedhje, çfarë do t’u thoshit atyre?

Ivanoviq: Unë pohoj se dalja në zgjedhje ndoshta mund t’u sjellë serbëve përfitime afatshkurta, ndërsa në planin afatgjatë, kjo do të vështirësojë pozitën e serbëve, sepse mbetja e serbëve në Kosovë varet në masë të madhe, mbi 90 përqind nga ajo se a do të ketë komunikim të mirë me qeverinë e Serbisë.

Kjo qeveri apo ndonjë qeveri tjetër e Serbisë nuk mund të jetë aq e butë ndaj tyre, nëse u thotë tri herë mos dilni në zgjedhje sepse kjo nuk është në interesin tuaj dhe nuk është në interesin e Serbisë, ndërsa serbët sërish të veprojnë ndryshe.

Mendoj që ata që po këmbëngulin në daljen e serbëve në zgjedhje, nuk po e kuptojnë këtë, ose po e kuptojnë por nuk po brengosen.

BBC: Por serbët janë pjesë e këtij vendi. Pse nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhje?

Ivanoviq: Deri tani serbët asnjëherë nuk kanë vendosur vetë për këto gjëra dhe nuk është e ndershme t’u lejohet tani që ata të vendosin vetë, kur është moment shumë delikat politik. Rrjedhimisht serbëve duhet t’u krijohen kushte më të mira e kjo mund të bëhet përmes bisedimeve.

Nëse në prag të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit serbët vendosin të dalin në zgjedhje, ndoshta në këtë mënyrë ata e dobësojnë pozicionin e Serbisë apo vetë pozicionin e tyre.

BBC: Por nëse serbët nuk marrin në zgjedhje, ata nuk do të kenë as përfaqësuesit e tyre në bisedimet Prishtinë-Beograd?

Ivanoviq: Kjo nuk është e domosdoshme, sepse pyetja është se sa është kapaciteti i serbëve që jetojnë në terren, të mënyrë aktive të marrin pjesë. Ata do të këshillohen për dialogun, këtu nuk ka dilema.

Për bisedimet në Vjenë, serbët janë këshilluar dhe disa prej tyre kanë marrë pjesë në to, kështu që kjo nuk ka shumë rëndësi.

BBC: Zoti Ivanoviq megjithatë kemi tetë subjekte politike serbe që janë çertifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 12 dhjetorit. A nuk flet kjo për një disponim të serbëve në favor të pjesëmarrjes në zgjedhjet e Kosovës?

Ivanoviq: Unë nuk do të thoja. Bëhet fjalë për njerëz, të cilët edhe nëse do të mbështeteshin në masë të madhe në zgjedhjet e përgjithshme, nuk do të mund të mblidhnin shumë vota.

Ata njerëz që po kandidohen për zgjedhje, po marrin vende në Parlament vetëm për shkak të daljes së vogël të votuesve serbë.

Sigurisht po të ishte dalja e votuesve më e madhe, 30-40 përqind, dyshoj që ata do të kalonin. Në një rast të tillë, ata nuk do të kishin shumë gjasa për sukses.

BBC: Zoti Ivanoviq, çfarë do të ndodhë me ata serbë të cilët do të dalin në zgjedhje dhe të cilët marrin paga edhe nga qeveria e Serbisë. Është një pjesë e njerëzve që marrin paga edhe nga Kosova, edhe nga Serbia. Do të ndëshkohen ata nëse marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës?

Ivanoviq: Dallimi ndërmjet kësaj qeverie dhe atyre të mëparshme është se kjo qeveri ua ka bërë me dije qytetarëve në mënyrë të qartë se dalja në zgjedhje, votimi apo pjesëmarrja në ndonjë listë zgjedhore, nuk paraqet kurrfarë vepre kriminale dhe askush nuk duhet të sanksionohet për këtë.

Megjithatë ata nuk do të kenë mundësinë që të mbajnë dy vende pune në të njejtën kohë, sidomos nëse dikush është në institucionet qëndrore të Serbisë, nuk mund të jetë edhe në ato të Kosovës dhe të marrë dy paga.

Thjesht, në të njëjtën kohë, nuk mund të jetë në dy vende të ndryshme.

BBC: Ju keni qenë dikur pjesë e institucioneve të Kosovës, ndërsa tani jeni pjesë e atyre të Serbisë. Cila është perspektiva e serbëve në Kosovë?

Ivanoviq: Kjo perspektivë duhet të ndërtohet përmes bisedimeve.

Unë jam thellësisht i bindur që dikur në të ardhmën Serbia do t’i ftojë serbët të marrin pjesë në zgjedhje, sidomos në ato lokale, por kjo do të ndodhë vetëm pasi të arrihen marrëveshje që mund të garantojnë se serbët do të jenë të përfshirë efektivisht në procesin e marrjes së vendimeve.

Tani për tani serbët kanë rol shumë pasiv ose, siç themi ne shpesh, si dekor në institucionet e Kosovës.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>