BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 29 nëntor 2010 - 13:48 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
"Jo korrupsionit në zgjedhje," thotë Këshilli i Evropës
 

 
 
Asambleja Parlamanetare e Këshillit të Evropës
Këshilli i Evropës u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që mos të lejojnë korrupsion në procesin zgjedhor.

Këtë mesazh e ka sjellur në Prishtinë, raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bjorn Von Sydow, i cili po qëndron në Kosovë në vizitë dyditëshe në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Z. Sydow pas takimit me presidentin në detyrë, Jakup Krasniqi, ka theksuar disa parime të rëndësishme që duhet ndjekur për një proces të rregullt dhe demokratik zgjedhor.

"Zgjedhjet e lira dhe të drejta, pa korrupsion me para apo me forma tjera të përfitimit që kanë të bëjnë me ditën e zgjedhjeve apo integritetin e votuesve, mbarëvajtja e procesit të regjistrimit të votuesve dhe numërimit të votave," deklaroi zyrtari i Këshillit të Evropës.

Ai shfaqi shpresën se këto parime do të respektohen nga forcat politike të Kosovës. Z. Sydow tha se pjesëmarrja e madhe e votuesve në zgjedhje dhe dalja e pakicave është thelbësore për demokracinë.

Presidenti në detyrë Jakup Krasniqi ka shfaqur bindjen e tij se Kosova do ta kalojë testin e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

"Unë besoj që partitë politike në Kosovë, që e kanë përgjegjësinë kryesore për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, e dinë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe kanë përgjegjësi para qytetarëve të Kosovës," u shpreh ai.

Raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bjorn Von Sydow po qëndron në Kosovë në mision faktmbledhës për situatën në prag të zgjedhjeve.

Ai do të takojë drejtuesit e forcave kryesore politike që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të dhjetorit, për të kërkuar nga ato respektimin e standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve.

Zyrtari i Këshillit të Evropës ka bërë të ditur se kjo organizatë nuk do të dërgojë mision vëzhgues në Kosovë për zgjedhje.

"Ne nuk do të kemi mision në dhjetor, misioni im tani është që të informoj Këshillin e Evropës dhe si kryesues i komitetit për çështje politike, si raportues të njihem për së afërmi se si do të zhvillohet procesi," është shprehur z. Sydow.

Ai ka njoftuar autoritetet e Prishtinës me vendimin e Këshillit të Evropës që t’i mundësojë përfaqësuesve të Kosovës pjesëmarrjen në takimet e organizatës, sa herë që ajo do të diskutojë për Kosovën.

Analistët thonë se ky shënon një avancim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Këshillit të Evropës, anëtarë të të cilës janë edhe Serbia e Rusia, që kundërshtojnë fuqishëm pavarësinë e Kosovës.

 
 
LOKALE
OSBE nuk vëzhgon zgjedhjet në Kosovë
29 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>