BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 10 nëntor 2010 - 17:13 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Beogradi inkurajon bojkotin në zgjedhje
 
Oliver Ivanoviq
Beogradi bën thirrje që serbët e Kosovës të mos dalin në zgjedhje
Qeveria e Serbisë ka vlerësuar se nuk janë pjekur kushtet që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit në Kosovë.

Në vendimin e saj, qeveria e Serbisë ka thënë se është e domosdoshme që përmes dialogut me Prishtinën 'të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjate për çështjen e Kosovës, e pranueshme për të dyja palët dhe që do të çonte drejt një pajtimi historik mes shqiptarëve dhe serbëve'.

Vendimi i qeverisë së Serbisë, sipas sekretarit të shtetit, Oliver Ivanoviq, paraqet një politikë të vazhdimësisë së Serbisë ndaj Kosovës.

Në një bisedë me BBC-në zoti Ivanoviq tha se mbijetesa e serbëve në Kosovë varet në masë të madhe nëse Serbia do t’i mbështesë ata.

Ai tha se qeveria e Serbisë nuk do të ndërmarrë masa ndaj asnjë qytetari serb që vendos të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës.

Zoti Ivanoviq tha se vendimi i qeverisë për mosdaljen e serbëve në zgjedhje nuk mund të ndryshojë, pavarësisht takimit të mundshëm ndërmjet presidentit serb Tadiq dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, megjithëse, sipas tij, pjesëmarrja e serbëve në jetën politike të Kosovës do të jetë temë e bisedimeve mes palëve.

Arbër Vllahiu i BBC-së bisedoi me zotin Oliver Ivanoviq.

BBC: Qeveria e Serbisë ka marrë vendim politik për mospjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Cilat janë arsyet kryesore pse serbët e Kosovës nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit në Kosovë?

Z. Ivanoviq: Vendimi për mospjesëmarrje të serbëve në zgjedhje, pra vendimi i qeverisë që të mos e përkrahë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, është i kahmotshëm. Edhe kjo qeveri duhet të udhëheqë një politikë të vazhdimësisë ndaj Kosovës sepse, në të kundërtën, do të humbiste besimin në mesin e njerëzve dhe do ta hutonte edhe më shumë popullin atje. Përvojat tona me institucionet nuk janë të mira dhe ndërkohë nuk ka ndodhur asgjë e mirë dhe pozitive që do të mund të ndikonte në qëndrimin e qeverisë së Serbisë. Përkundrazi, shqiptarët këmbëngulin në pavarësi, që është një element i rëndësishëm në vlerësimin e mundshëm për ndryshim të vendimit (për pjesëmarrjen në zgjedhje). Pjesëmarrja e serbëve në institucione deri tani është treguar si një dekor i thjeshtë. Të vogla janë sukseset me të cilat serbët (në Kosovë)mund të lavdërohen. Shqiptarët nuk i konsiderojnë ata si një faktor politik dhe mbretëron mendimi se me instrumente shtesë pjesëmarrja e serbëve mund të sigurohet ose të forcohet, por këto instrumente në këtë kohë nuk janë të parapara me kornizën kushtetuese.

BBC: Përse nuk ua latë në dorë serbëve të Kosovës që të vendosin vetë nëse duan të marrin pjesë në zgjedhje?

Z. Ivanoviq: Nuk është e kontestueshme që serbët mund të vendosin vetë, por përpara vetes duhet ta kenë gjithmonë edhe faktin se mbijetesa e tyre në Kosovë tani varet në një masë të madhe nëse Serbia do t’i mbështesë apo jo. Çdokush ka të drejtë në një qëndrim politik, qoftë edhe të kundërt me atë të qeverisë së Serbisë, por serbët e Kosovës duhet të mendojnë në një afat të gjatë për këtë. A mos po e rrënojnë ata pozitën e tyre në Beograd duke mos e dëgjuar qëndrimin e qeverisë së Serbisë? Kurse nga kjo varet mbijetesa e tyre.

BBC: A mund të flitet tani për ndonjë ndarje të mëtejme të serbëve, të serbëve në veri që nuk do të marrin pjesë në zgjedhje dhe të atyre në jug që mbase do të marrin pjesë?

Z. Ivanoviq: Çështja e ndarjes është një kurth i madh të cilin na e kanë imponuar qarqe të caktuara shqiptare dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Serbët në Kosovë janë të njëjtë për Republikën e Serbisë, pavarësisht a janë në veri apo në jug. Prandaj nuk duhet të bien në këtë kurth dhe të lejojnë që të ndahen mes vete dhe të përshkallzojnë marrëdhëniet e tyre. Ky është një kurth i atyre që nuk na e duan të mirën. Pavarësisht se ku jetojnë serbët, ekzistenca e tyre tani dhe në të ardhmen do të mbështetet nga ajo se sa mund t’u ndihmojë Serbia që t’i mbijetojnë këto rrethana politike, ekonomike dhe të sigurisë.

BBC: Çfarë masash do të ndërmerrni ndaj atyre që do të dalin në zgjedhje?

Z. Ivanoviq: Qeveria e Serbisë nuk do të marrë masa ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Ata janë të lirë të kenë një qëndrim tjetër. Por, është e rëndësishme që të mendohet se çfarë përgjegjësie bartin me këtë hap. Duke mos e respektuar qëndrimin e Republikës së Serbisë, ata e dobësojnë pozitën e tyre, sepse nuk do t’i respektojnë as shqiptarët, as bashkësia ndërkombëtare nëse nuk do të kenë përkrahjen e qeverisë së Republikës së Serbisë.

BBC: Nëse, e themi në mënyrë hipotetike, takohen zoti Tadiq dhe zoti Thaçi, a mund të ndryshojë qëndrimi i qeverisë së Serbisë për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje?

Z. Ivanoviq: Dyshoj se një takim i këtillë në nivelin më të lartë mund të ndryshojë këtë vendim sepse nuk ka kohë. Mendoj se kjo është rruga, sepse edhe këto bisedime mes Beogradit dhe Prishtinës, herët a vonë, do të prekin temën e pjesëmarrjes së serbëve në jetën e përditshme dhe politike në Kosovë. Mendoj se ky është një rast i mirë. Duhet të ketë kritere, standarde dhe kushte në të cilat mund të marrin pjesë serbët dhe pjesëmarrja e tyre në atë rast do të ishte efektive.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>