BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 10 nëntor 2010 - 12:46 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Dade: Fajin e ka qeveria
 
Arta Dade
Përgjigja negative që Komisioni Evropian idha kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sipas opozitës socialiste, është për fajin e asaj që Sekretarja për Marrëdhënie me Jashtë në PS, Arta Dade, e quan kokëfortësi të shumicës për moszgjidhjen e krizës politike në vend.

Sipas zonjës Dade e cila është edhe nënkryetare e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, do të zgjasë për sa kohë Berisha do të refuzojë zgjidhjen e krizës sipas Rezolutës së Parlamentit Europian.

Me zonjën Dade bisedoi Ilir Kadia dhe fillimisht e pyeti se cili ishte komenti i opozitës për vendimin e Komisionit Evropian:

Arta Dade: Pa dyshim që është një lajm i keq në axhendën europiane të Shqipërisë, por nuk është një zhvillim i papritur edhe për arësyet që mesazhet nga Brukseli kanë qenë mjaft të qarta për politikën shqiptare.

Sigurisht që një sërë vërejtjesh edhe në progres-raportin, por edhe në opinionin që përgatiti komisioni dhe e artikuloi përmes komisionerit për zgjerimin z. Fule, ka përputhje pothuajse 100 % me të gjitha shqetësimet që ka ngritur opozita në vazhdimësi.

Ka konstatime që ka përkeqësime sidomos në fusha që kanë të bëjnë me përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit dhe në mënyrë të veçantë në funksionimin e institucioneve demokratike dhe në sundimin e ligjit.

 Po t'i referohemi progres raportit të vitit të kaluar, është konstatuar që kjo maxhorancë ka vendosur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe madje janë cituar me emra ministra të cilët duhet të ishin përpara drejtësisë dhe për fat të keq vazhdojnë të jenë pjesë e kabinetit qeveritar dhe sigurisht këto nuk janë standarde europiane.
 
Arta Dade

Gjithashtu ne kemi shprehur vazhdimisht shqetësimin për cënimin e institucioneve të pavarura, për moszbatimin e ligjit.

Po t'i referohemi progres-raportit të vitit të kaluar është konstatuar që kjo maxhorancë ka vendosur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe madje janë cituar me emra ministra të cilët duhet të ishin përpara drejtësisë dhe për fat të keq vazhdojnë të jenë pjesë e kabinetit qeveritar dhe sigurisht këto nuk janë standarde europiane.

Unë besoj që Komisioni ka bërë edhe vetë një ndarje, po t'i referohemi vendimit që u mor për liberalizimin e vizave, në mënyrë që të mos penalizojë shqiptarët, pra ata që qeverisen nga kjo mazhorancë dhe dje ka dhënë vendimin tjetër dhe sigurisht është një shuplakë, është një qëndrim kritik ndaj politikës në përgjithësi dhe kuptohet që ata artikulojnë qëndrime pak a shumë të ekuilibruara, por dihet që faji kryesor dhe përgjegjësia kryesore i bie maxhorancës, nisur dhe nga letra që së fundmi Komisioneri Fule i ka dërguar kryeministrit të Shqipërisë ku i bën thirrje të zgjidh krizën politike.

Opozita, besoj që ka qenë e hapur, ka qënë e angazhuar për ta zgjidhur krizën. Opozita ka ofruar katër kompromise të rëndësishme, ka lëvizur nga qëndrimet e veta fillestare, po të krahasojmë me qëndrimet e opozitës para një viti dhe çfarë opozita kërkon sot, por ashtu sikurse u shpreh dhe Doris Pack, anëtarja e delegacionit të Parlamentit Europian, në Komisionin e Përbashkët për Çështjet e Integrimit me Parlamentin shqiptar, pa dyshim që maxhoranca duhet të ngrejë komisionin për të filluar investigimin e zgjedhjeve parlamentare të paktën për të hapur kutitë e materialeve dhe në zbatim të Rezolutës të Parlamentit Europian. Gjithashtu, opozita ishte në të njëjtën linjë me sugjerimet e dy liderëve të grupeve më të mëdha të parlamentit Europian, të majtë dhe të djathtë, z. Shulc edhe z. Doll, në ofrimin e sugjerimeve për zgjidhjen e krizës.
Ështe pikërisht Sali Berisha ai që nuk i pranoi sugjerimet dhe ai që praktikisht ka humbur mbështetjen e partnerëve të vetë ideologjikë në rrafshin europian.

BBC : Le t'i quajmë lëshime që keni bërë ju deri tani ndaj shumicës, në kërkesat tuaja krahasuar me qëndrimin e parë tuajin...

Arta Dade: Po, sigurisht ne njohëm rezultatin e zgjedhjeve, u kthyem në parlament, ne hoqëm dorë nga rinumërimi i fletëve të votimit dhe u përqëndruam tek materialet zgjedhore.

Është një e drejtë që e njeh edhe ligji, ka precendent për zgjedhjet e 2005-s dhe sigurisht që ngritja e komisionit hetimor me shumicë nga opozita dhe e kryesuar prej saj.

Pra, janë kërkesa minimale, sigurisht duke i lënë hapësirë interpretimit për kërkesën tonë për numërimin e votave ose nga Komsioni i Venecias, ose nga organizma të tjerë, të cilët në vazhdimësi, me fillimin e punës së komisionit hetimor, do të përcaktoheshin.

BBC: Le ta quajmë të ezauruar lëshimin që ju keni bërë në kërkesat tuaja shumicës, apo për të shikuar shansin tjetër pas 2011-s, ju mund të toleroni akoma që Shqipëria ta ketë realitet statusin e vendit kandidat?

Arta Dade: Absolutisht, ne kërkojmë zbatimin e rezolutës të Bashkimit Europian dhe sigurisht është një kërkesë minimale, e cila nuk është në funksion të zgjedhjeve të kaluara dhe për hir të qëndrimit tonë dhe të koherencës së kërkesave të opozitës.

Kjo ka të bëjë me garancitë për zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilat janë shpallur nga presidenti i Republikës dhe për fat të keq do të përsëriten të njëjtat gabime, sikurse kanë filluar me listat e zgjedhësve dhe me një sërë elementesh të tjerë, për të cilat opozita e ka ngritur shqetësimin edhe para zgjedhjeve parlamentare.

Pikërisht kriza politike vazhdon të mbetet e tillë dhe vazhdon të mbetet, jo për shkak dhe për faj të opozitës, por për shkak të maxhorancës dhe shurdhërisë së kryeministrit Berisha kundrejt sugjerimeve dhe kërkesave që kanë ardhur nga organizmat euro-atlantikë.

Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me kërkesat që vijnë nga Parlamenti Europian, por ka patur kërkesa nga OSBE-ja dhe nga mjaft organizma të tjerë, kur ne ose dëshirojmë të integrohemi ose jemi pjesë integrale.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>