BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 10 nëntor 2010 - 12:33 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Qeveria shqiptare pranon raportin
 
Ministrja e Integrimit të Shqipërisë Majlinda Bregu
Ministrja e Integrimit të Shqipërisë Majlinda Bregu
Qeveria shqiptare thotë se raporti i progresit i Komisionit Evropian për Shqipërinë "i jep hakun" reformave të kryera në vend.

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu thotë për BBC-në se fajtor kryesor për kritikat nga BE-ja është ngërçi politik në vend.

Ajo i bëri thirrje opozitës të luajë rolin e saj në përmbushjen e të gjitha detyrimeve për të përarfruar legjislacionin e vendit me atë të BE-së që vendi të marrë sa më shpejt statusin e kandidatit.

Aleksandër Furxhi i BBC-së bisedoi me zonjën Bregu dhe fillimisht e pyet përse Shqipëria nuk e fitoi statusin e vendit kandidat.

Majlinda Bregu: Duhet të them se pari se kjo situatë që u përcoll në Shqipëri, për më shumë se një vit, mungesa e dialogut politik dhe mënyra me të cilin gjatë një viti ne përcollëm një debat së brendshmi, për të cilin besoj dhe jam e sigurtë se ekzistojnë të gjithë instrumentat ligjorë për ta zgjidhur, pra Shqipëria nuk është një vend pa një kuadër ligjor dhe institucional. Mënyra sesi u trajtua çështja paszgjedhore e zgjedhjeve të vitit 2009 dhe sesi u përcoll tek ndërkombëtarët duke kërkuar herë pas here ndërhyrjen, zgjidhjen, duke sjellë misione nga KE me ndërhyrje të kominionerit etj., sigurisht që do të përçonte këtë frymë tek strukturat e KE-së.

Pra, nuk mund të them sot me gjithë dëshirën e mirë që do të kisha që kjo situatë politike nuk është një situatë e cila na dëmtonte, por nuk ndihmon integrimin e vendit në BE, është shkopi nën rrotë për një debat i cili mund të zgjidhej fare mirë së brendshmi. Por kemi marrë një opinion i cili po të shqyrtohet në kujdes me detaje i gjithë raporti analitik i opinionit i cili është përgatitur për Shqipërinë, ju siguroj sepse kam patur mundësinë ta lexoj, është një opinion i cili i jep hakën dhe vlerëson reformat e marra nga Shqipëria në zbatimin e të tre kritereve, qoftë kriterit politik të Kopenhagen, atij ekonomik dhe standarteve.

BBC: Zonja Bregu, mesa kuptoj ju mendoni se shkaku kryesor është ngërçi politik në Shqipëri?

 Ndoshta është një gabim i të gjithëve, kemi bërë të gjithë gabim herë pas here, por nuk mundet që një raport të shihet me fjali të copëtuara.
 
Minstrja e Integrimit të Shqipërisë Majlinda Bregu

Majlinda Bregu: Nuk e mendoj unë, e ka thënë komisioneri dje, e kemi dëgjuar dhe debatuar për muaj të tërë me radhë nga të gjithë ndërkombëtarët dhe jam e ndërgjegjshme se kjo pjesë dhe konfrontimi i dialogut politik dhe situata të cilën ne përcollëm tek ndërkombëtarët për një vit nuk kishte si të fshihej dhe as nuk mund të ishte ndryshe.

BBC: Ndër pikat e dobëta nëse mund të veçojmë në raport është se administrata publike mbetet e dobët dhe e politizuar, apo se sundimi i ligjit në Shqipëri është ende difektoz. Sa ka ndikuar ky lloj vlerësimi në opinion?

Majlinda Bregu: Ndoshta është një gabim i të gjithëve, kemi bërë të gjithë gabim herë pas here, por nuk mundet që një raport të shihet me fjali të copëtuara. Nëse do t’i referohemi administratës publike unë mund t’ju citoj një paragraf tjetër përsëri në hyrje tek qeveria ku thuhet se administrata publike plotësoi në mënyrë të kënaqshme të gjitha detyrimet që rodhën para saj në këtë periudhë të monitorimit të Shqipërisë në “satisfactory manner” thuhet cilësisht në mënyrë të kënaqshme. Sikurse thuhet që marrëveshja e stabilizim asocimit është një marrëveshje e cila është zbatuar në mënyrë të kënaqshme pa probleme.

Marrëveshjen e stabilizim asocimit, detyrimet që rrjedhin nga BE, reformat e ndërmara për të cilat ne vlerësohemi si për kuadrin ligjor në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, për situatën makroekonomike e cila është për t’u lavduar, për të drejtat e njeriut, për minoritetet ku Shqipëria përmendet si një nga vendet që nuk ka probleme me minoritetet, për ngritjen e strukturave për komisionerin kundër diskriminimit, të gjitha këto janë reforma që përballen nga administrata publike.

 Jam e sigurtë që rruga e integrimit do të jetë një rrugë më e gjatë sesa kjo që bëmë për liberalizimin e vizave dhe jam e sigurtë se proçesi i integrimit është një proçes që kërkon në mënyrë të pandarë kontributin e opozitës si institucion.
 
Ministrja e Integrimit të Shqipërisë, Majlinda Bregu

Unë nuk them, dhe as pretendoj dhe as nuk e kam thënë ndonjëherë që Shqipëria ka administratën më të mirë publike në rajon apo më gjërë, por nuk mund të mos pranoj dhe mos të them që nëse sot ka një vlerësim pozitiv lidhur me proçesin e liberalizimit të vizave i cili ishte një proces krejtësisht i ethshëm, me ritme të përcaktuara, me një kuadër kohor të ngjeshur, reformat janë ndërmarrë, janë ushtruar, janë përcjellë nga kjo administratë. Ne nuk mundemi sot që të mos falenderojmë administratën shqiptare për të gjithë ritmin e punës që ka përballuar, por administrata shqiptare duke qenë pjesë e një sistemi dhe një institucioni mjaft të madh në Shqipëri ka nevojë për përmirësime.

Unë ju kujtoj se ligji për ndryshimin e statusit të nënpunësit civil është një rekomandim i hershëm i komisionit europian prej 3 vjetësh. Është një ligj i paraqitur me të njëjtin fat, fatkeqësisht, si ligji për gjykatën administrative në parlamentin shqiptar, sa herë ka qenë për votim ka patur një refuzim, largim të opozitës nga salla. Sot me gjithë respektin tim të madh për opozitën si institucion, me gjithë respektin tonë që opozita të ushtrojë detyrën e saj, më vjen keq ta them që opozita nuk ka dashur të jetë një institucion në Shqipëri, por ka luajtur një loj e cila rrezikon të jetë e rrezikshme dhe djegëse për të gjithë shqiptarët.

BBC: Mbas opinionit zonja ministre, cila do të ishte detyra e parë kryesore për t’u realizuar, për të arritur ndoshta në opinionin tjetër, statusin e kandidatit. Opozita mban këtë qëndrim që po mban, a ka hapësirë qeveria për të bërë ndonjë lëshim?

Majlinda Bregu: Unë e kuptoj shumë mirë që të gjithë ata që si ju kanë jetuar me këtë shqetësim prej një viti, mbi situatën politike në vend janë ndier ligsht sa herë që ne jemi përballur me ndërkombëtarët dhe na është dashur t’i sqarojmë ngërçin apo jo politik në Shqipëri. Unë ju siguroj që në qoftë se të gjitha partitë politike, i gjithë spektri politik në këtë rast opozita, sepse thirrja në raport është krejtësisht e qartë, zgjidhja e ngërçit politik vetëm thuhet në opinionin për Shqipërinë, i cili ka bllokuar dhënien e statusit, por ne nuk mund të hedhim poshtë të gjithë deklaratat që i kanë paraprirë këtij raporti, ku në çdo deklaratë, në çdo rezolutë thuhet se zgjidhja e ngërçit politik duhet të jetë në respekt të kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Unë nuk besoj që ka raport, grup që vjen nga BE apo dhe jashtë saj, apo politikan europian i cili mund të artikulojë dhe të bëjë një zgjidhje tjetër të ngërçit politik, veçse duke zbatuar kushtetutën dhe kuadrin ligjor të vendit. Nëse ne duam të bëjmë shpikje si politikë në Shqipëri dhe t’i japim kredite më shumë zgjidhjes së shtrëngimit të duarve dhe zgjidhjes në tavolinë kjo është pjesë e jotja dhe kjo pjesë e imja, duke rrënuar kuadrin institucional dhe kushtetues të vendit, atëherë mund të kënaqim njeri-tjetrin se themi shpëtuam nga një ngërç politik në një moment, mund dhe të themi që i zgjidhëm dhe i dhamë drejtim, por të jemi të sigurtë që do ta kemi më të rëndë fletën e gjobës në çdo vit dhe të ardhme.

BBC:
Së fundmi zonja ministre, komentatorë të ndryshëm edhe në Europë, mendojnë se pas opinionit të djeshëm të Komisionit Europian për vendet e rajonit tonë, tregon se integrimi i vendeve si Shqipëria apo Mali Zi do të marre shumë kohë, ndoshta 10 vjet. Ju si mendoni?

Majlinda Bregu: Unë jam ministre e integrimit dhe sigurisht si të gjithë antarët e këtij kabineti të kësaj qeverie që kanë punuar dhe punojnë për t’i sjellë reformat e legjislacionit shqiptar në linjë me BE-në dhe ky nuk është një proçes i thjeshtë. Është e vërtetë se nuk ka një “oreks” për të marrë vende të reja në BE për faktin se BE është ballafaquar së fundmi me probleme reale dhe të vështira për t’u zgjidhur, të cilat ndoshta jo të gjitha kanë ardhur nga antarësimet e reja, por një pjesë e mirë kanë qenë dhe prej tyre.

Unë besoj që e rëndësishme është dhe i qëndroj këtij vendimi që Shqipëria të pregatitet dhe në momentin që ka plotësuar detyrimet, e ndien veten të aftë dhe për të përballuar detyrimet e unionit, sepse deri tani ky proçes është kuptuar si një proçes i madh përfitimesh. Shqiptarët kanë përfituar para dy ditësh, kanë marrë një përfitim të madh që është lëvizja e lirë, sepse është punuar për të mbërritur deri këtu dhe është një gjë që ju takon në mënyrë absolute. Nuk ka lajm apo kundërlajm që çbën lajmin e mirë të gëzimit të të gjithë qytetarëve shqiptarë për liberalizimin e vizave.

Jam e sigurtë që rruga e integrimit do të jetë një rrugë më e gjatë sesa kjo që bëmë për liberalizimin e vizave dhe jam e sigurtë se proçesi i integrimit është një proçes që kërkon në mënyrë të pandarë kontributin e opozitës si institucion, brenda institucionit ku është parlamenti shqiptar. Procesi i liberalizimit të vizave e kishte peshën mbi shpatullat e qeverisë, reformat gjithashtu. Integrimi ka bazën e tij në përafrimin e legjislacionit, në plotësimin e kritereve që afrojnë edhe në detaje vendin me kuadrin europian. Nëse ka përgjegjshmëri politike, ky është rasti për t’i thirrur mendjes e për të treguar që me të vërtetë politikanët e ulur majtas janë politikanë që nuk udhëhiqen nga uni.

 
 
LOKALE
Shqipëria nuk merr statusin e kandidatit
09 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
Pikat kyçe të raportit për Shqipërinë
09 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
'Dialogu për vizat me Kosovën-së shpejti'
09 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
BE i jep shtysë anëtarësimit të Malit të Zi
09 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>