BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 09 nëntor 2010 - 13:57 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Pritet qëndrimi i Beogradit për zgjedhjet
 

 
 
Serbë  në Veri të Mitrovicës
Sipas burimeve që ka siguruar BBC nga një zyrtar i qeverisë dhe prononcimeve të ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiq, pritet që qeveria serbe të rikonfirmojë vlerësimin e saj për, sikundër thuhet, mungesë të kushteve për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit.

Kjo është pak sa e habitshme kur kihet parasysh fakti se gjatë ditëve të shkuara shumë funksionarë të partive në pushtet u deklaruan pro pjesëmarrjes në zgjedhjet në Kosovë.

Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të presidentit Tadiq, Dragoljub Miçunoviq tha se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhje, sepse politika e deritashme e bojkotimit nuk ka dhënë rezultate.

Ngjashëm janë deklaruar edhe përfaqësues të partive të tjera në pushtet-socialistëve, G 17 plus, Serbisë Unike dhe Lëvizja e Rimëkëmbjes Serbe e Vuk Drashkoviqit, dega e së cilës në Kosovë tashmë ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhje pavarësisht se çfarë ka për të qenë qëndrimi i autoriteteve më të larta në Serbi.

Ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq ka deklaruar se “nuk ka kushte” për daljen e serbëve në zgjedhje dhe se qeveria vështirë mund ta marrë ndonjë vendim tjetër.

Nga ana tjetër, presidenti Tadiq ka paralajmëruar se mendimin mbi zgjedhjet në Kosovë do ta marrë pas vendimit të Qeverisë, të enjten.

Kryetari i Partisë Liberal Demokratike (LDP) Çedomir Jovanoviq ka thënë se partisë së tij nuk i pëlqen kalkulimi i qeverisë së Serbisë e cila me qëndrimin e vet ndaj zgjedhjeve të Kosovës po e zhvlerëson ujdinë politike që e ka arritur me Bashkimin Evropian.

Sipas tij, shteti duhet të heq dorë nga politika e cila ka pasoja katastrofike për serbët e Kosovës dhe vet Serbinë.

"Serbët e Kosovës duhet të dalin në zgjedhje, ta marrin përgjegjësinë për jetën e tyre dhe të bëhen partner me shqiptarët në zgjidhjen e një vargu problemesh," - thotë zoti Jovanoviq duke shtuar se pushteti serb nuk ka të drejtë t'i kushtëzojë dhe t'i damkosë, siç ka bërë deri më tash, pa ofruar kurrfarë alternative.

Për momentin, kundër pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje janë deklaruar prerë Partia Demokratike e Vojislav Koshtunicës, radikalët e Sheshelit dhe partia Serbia e Re.

Sipas tyre, me daljen në zgjedhje serbët do të legjitimonin atë që ato që quajnë 'shteti i rrejshëm i Kosovës'. Ndërkaq, Partia Përparimtare Serbe, më e madhja e opozitës, e Tomisllav Nikoliqit, ka thënë se vendimin për dalje apo jo në zgjedhje duhet ta marrin vet serbët e Kosovës.

Qëndrimi i ambasadorit britanik në Beograd

Ambasadori britanik në Beograd, Stephen Wordsworth, tha të hënën në një prononcim për median serbe se serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sepse parlamenti në Prishtinë merr vendime që kanë të bëjnë edhe me jetën e tyre.

Sipas tij, nuk është fjala për pranimin e pavarësisë, sepse 'individët nuk e pranojnë pavarësinë, kjo është çështje e shtetit,'- ka deklaruar diplomati britanik.

Zoti Wordsworth ka nënvizuar rëndësinë e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës, duke cekur se BE dëshiron që procesi të nis, por çështja është ndërlikuar me zgjedhjet në Kosovë që kanë ndodhur papritmas.

'Megjithatë, mendoj se procesi mund të fillojë dhe sa po dëgjoj prej kolegëve nga Brukseli, ata janë shumë të interesuar që procesi të nisë madje edhe para zgjedhjeve në Kosovë,'- ka deklaruar për televizioni B92 ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Serbi.

Sipas tij, ekzistojnë çështje delikate për zgjidhjen e të cilave nevojiten dy, tri apo më shumë përpjekje, por Bashkimi Evropian para së gjithash, dëshiron të shohë tek të dy palët vullnetin e qartë që, edhe kur kjo është shumë e vështirë, të gjejnë zgjidhje.

Vordsvorth ka thënë se nuk ekziston kurrfarë mbështetje e BE për idenë e 'Shqipërisë natyrale' apo 'Shqipërisë së madhe'” dhe, sipas tij, qëndrimi është i qartë - kufijtë mbeten aty ku janë: 'Kam qenë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe mesazhi im vazhdimisht ka qenë i njëjtë - kjo është pjesë e Serbisë, çfarëdo që të ndodhë me Kosovën nuk ka rëndësi. Kjo është Serbi dhe kështu do të mbetet,'- ka deklaruar Stephen Wordsworth, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Beograd.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>