BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 08 korrik 2010 - 17:20 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Blair 'hero për Kosovën'
 

 
 
Hajredin Kuqi
Zvkryeministri Kuqi thotë se zoti Blair ishte 'mik në kohë të vështira'
Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, thotë se ish-kryeministri britanik, Tony Blair, ështe njëri prej njerëzve me meritat më të mëdha për lirinë e Kosovës, dhe si i tillë ai tashmë e meriton epitetin “hero i Kosovës”.

"Populli i Kosovës ishte me fat që jetoi në kohën e tij", thotë zoti Kuqi.

Intervistën me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuqi, e zhvilloi korrespendenti i BBC-së në Prishtinë, Muharrem Nitaj.

BBC: Zoti Kuqi, më jepni një vlerësim për kontributin e ish-kryeministrit Blair për lirinë e Kosovës sot, dhjetë vjet më pas.

Zvkryeministri Kuqi: Tony Blair është një emër i dashur, i njohur dhe prezent në çdo familje, jo vetëm në mendjet dhe emocionet tona, por edhe në perceptimet tona për të kaluarën dhe, mbi të gjitha, për mbijetesën si komb dhe si popull që e kemi pasur në këto troje. Natyrisht, një politikan i tillë ka emër dhe memorje jo vetëm për Kosovën, nga se do të thosha se fama e tij është më e madhe se sa Kosova dhe puna e tij nuk lidhet vetëm në kuptimin gjeografik në vendin ku ka kontribuar, por me paqen dhe stabilitetin në tërë botën. Në raport me Kosovën, nëse ka hero që ka ndikuar në lirinë e Kosovës dhe në pavarësinë e saj, në kthimin e njerëzve në shtëpitë e tyre, atëherë ai njeri pa dilemë e ka emrin Tony Blair. Titulli që i ka dhënë populli i Kosovës atij, është kuptimplotë dhe heroizmi i tij është më i madh se sa shumë heroizma të tjerë.

BBC: E konsideroni që kjo që po bën Kosova për ish-kryeministrin Blair, është një mirënjohje e duhur për të?

Zvkryeministri Kuqi: Atij do t’i bëhët një pritje madhështore në kuptimin më të plotë, edhe instituacionale edhe shtetërore, por mbi të gjitha, do të thosha emocional. Secili nga ne ka një stress pozitiv, nga një vizitë e një miku të madh, i cili në momente të duhura ka mbështetur Kosovën dhe vazhdon ta bëjë atë akoma. Vizita e tij është një tjetër mbështetje që ai i bën Kosovës. Atij do t’i bëhët nderi më i madh edhe në Universitetin e Prishtinës, duke e shpallur Doktor 'Honoris Causa', që është një nder për universitetin tonë. Unë do ta them me bindje të plotë se sot nuk njoh një tjetër njeri që e meriton më shumë se sa zoti Tony Blair këtë çmim.

BBC: Ju e keni takuar zotin Blair edhe më parë. Do të doja të më thonit diçka që ju ka lënë përshtypje nga takimet me të?

Zvkryeministri Kuqi: Ajo çka mund të them për këtë lider, që mund të identifikohet te pak lider, e para është një dije rigoroze për punën që ka bërë, një guxim dhe një profesionist i madh dhe respektet që i ka bërë edhe kohën edhe njerëzve, unë do të thoja një profesionist i mirë dhe një njeri i mirë.

BBC: A mund të jetë ish-kryeministri britanik një model për politikanët që janë sot në Kosovë?

Zvkryeministri Kuqi: Do të ishte mirë që ta kemi pikë reference, por dua të them që përmasat e tij është e vështirë që t’i identifikojnë apo t’i bëjnë edhe liderët më me famë botërore që kanë qenë më herët e janë edhe tani. Personat e tillë janë të rrallë në histori, por ajo që dua të them për të gjithë që është pikë e mirë e referencës dhe në momente të caktuara mjafton që t’i bartim me kujdes vlerat që i ka bart ai te ne dhe te popujt tjerë.

BBC: Zoti Kuqi, roli i Britanisë së Madhe në gjithë këto vitet e pasluftës ka qenë mjaft konstruktiv, mbështetës për Kosovën. Tani në Britani e drejton pushtetin një strukturë tjetër politike. Ju jeni në kupolën e pushtetit në Kosovë. Do të doja dija nëse ka ndryshuar çfarëdoqoftë në raportet ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Kosovës?

Zvkryeministri Kuqi: Dua të them se Britania e Madhe së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me shtetet e tjera të Bashkimit Evropian, janë identifikuar ndoshta jo vetëm në mbështetjen e kërkesave tona, por shpesh janë prioritare të këtyre kërkesave përballë botës demokratike. Britania e Madhe ka pasur një politikë shumë pozitive për ne, ajo ka vazhduar të mbetet edhe sot e kësaj dite dhe është fat i madh që edhe në kohët e mëhershme, por edhe tani qëndrimet politike të partive politike në Britani të Madhe përballë Kosovës kanë qenë të njëjta dhe mbesin edhe më tutje. Ne kemi respekt për atë shtet dhe ai tani është shtet mik i Kosovës, i botës demokratike, por kemi respekt edhe për individët që kanë luajtur rol, dhe unë e them me bindje të plotë se pa një individ siç është Tony Blair dhe të tjerët, edhe idetë e mëdha të botës demokratike janë vështirë të realizueshme.

BBC: A do të ishte e saktë nëse thuhet se Kosova ka pasur fat sepse e ka pasur mik Tony Blair-in?

Zvkryeministri Kuqi: Seneka në një thënie të tij thotë: “fati krijon miq dhe fatkeqësia i provon ata”. Ne kemi qenë me fat që e kemi pasur një mik siç është zoti Tony Blair, por kemi pasur një fatkeqësi që është dashur që atë ta sprovojmë në një kohë të vështirë, dhe ai ka treguar se bashkëkohësia dhe jetesa në të njëjtën kohë me të, ka qenë një fat i madh edhe për Kosovën dhe qytetarët e saj, por edhe për botën demokratike. Identifikimi i tij me vlerat përendimore dhe mbi të gjitha fuqia e tij që të përballet në konflikt me të këqijat që e kanë sunduar njerëzimin në momente të caktuara, mendoj se e bëjnë të veçantë atë edhe për Kosovën edhe për botën.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>