http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 20 maj 2010 - 16:19 CET

Violeta Hyseni
BBC, Prishtinë

Kosovarët dhe euro

Kosova është në mesin e pak shteteve në Evropë që ka miratuar euron si valutë zyrtare pa marrëveshje formale me Bashkimin Evropian.

Që nga janari i vitit 2002, ajo i është bashkuar vendeve të Evropës që e kanë zyrtarizuar euron si valutë në territorin e tyre.

Sot të gjitha pagesat në Kosovë bëhen me euro dhe kjo i ka mundësuar vendit që të ketë një mjedis më të qëndrueshëm monetar.

Kosovarët e kanë përfaquar euron si monedhën e tyre dhe thonë se ajo i bën të ndihen më evropianë, edhe pse Kosova de facto është ende shumë larg integrimit në Bashkimin Evropian.

Për Hazir Miftarin, aktor me profesion, përdorimi i euros në Kosovë ka përparësitë dhe të metat e veta.

"Pasi ne si Kosovë jemi në Evropë, mendoj se është mirë që e kemi të njejtën monedhë, siç e ka edhe Evropa, me përjashtim të disa shteteve, siç është Britania e Madhe e disa tjera.

"Por mendoj se nuk është mirë sepse nuk e kemi standardin e Evropës, nuk kemi fabrika, nuk e kemi industrinë e zhvilluar; standardi është i ultë në Kosovë, por monedha si monedhë nuk ka faj, euroja është e mirë”, shprehet ai.

Euro ka zëvendësuar në Kosovë markën gjermane. Kjo e fundit përdorej si valutë zyrtare që pas përfundimit të luftës më 1999, kur dinari i Serbisë u hoq zyrtarisht nga përdorimi.

Duke mos pasur alternativa tjera, qytetarët e Kosovës e pranuan euron si valutë të tyre, me bindjen se përfitimet politike dhe ekonomike të vendit do të ishin më të mëdha.

Halil Halitaj, pronar i një agjensioni turistik në Kosovë thotë se jeta e tij është bërë më e shtrejtë që nga zëvendësimi i markës gjermane me euro.

"Pesëdhjetë përqind është më shtrenjtë me euro, nëse e krahasojmë me markë nuk ka kurrfarë dallimi në çmime. Përpara i ke pasur 100 marka dhe ke mundur të blesh shumëçka, ndërsa tani me 100 euro nuk mund të bësh asgjë," thekson ai.

Analistët e ekonomisë thonë se jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha shtetet që përdorin euron, kjo valutë ka qenë promotor i inflacionit.

Megjithatë sipas analistit Ibrahim Rexhepi ajo i ka sjellë disa lehtësira qytetarëve të Kosovës. Ata janë përshtatur me euron dhe nuk kanë probleme me këmbimet valutore kur vizitojnë shumicën e shteteve të BE-së.

"Ndërkaq problemi kryesor qëndron në raportet tregtare, në raportin në mes të eksportit dhe importit. Euroja apo edhe e tërë Kosova do të kishte një stabilitet shumë më të madh monetar, sikurse të kishte një balancë, të kishte një barabartësi në mes të importit dhe eksportit e jo të ketë një shpërputhje aq të madhe ku në 1 euro import, vijnë 10 euro eksport," vëren analisti Rexhepi.

Por a ka ekonomia e Kosovës ndonjë rol në zonën e euros dhe në stabilitetin financiar të saj? Nazmi Mustafa është profesor universitar i ekonomisë.

"Ne jemi edhe në bilancin tregtar me Evropë shumë të vegjël dhe roli ynë është vetëm në aspektin e importit prej shteteve të Bashkimit Evropian, kurse sa i përket eksportit, atë e kemi minor dhe nuk ka ndonjë ndikim, por sidoqoftë edhe ne e kemi një pjesëmarrje dhe një ndikim tejet të vogël në eurozonë," thotë z. Mustafa.

Zhvlerësimi i euros që pasoi krizën në Greqi ka tërhequr vëmendjen edhe të qytetarëve të Kosovës.

Nazmi Mustafa beson se BE-ja do të shpëtojë euron, ndërsa nuk pret që kriza aktuale të reflektohet edhe në Kosovë.

"Unë besoj që ajo neve nuk mund të na prekë, sepse ne nuk kemi asgjë të përbashkët në tregti dhe në nivelin e duhur me Greqinë, mirëpo Bashkimi Evropian mendoj se do ta ndihmojë Greqinë, sepse s’ka ku e çon dhe Greqia do të del nga kriza," theksoi ai.

Kosova, e cila para dy vitesh shpalli pavarësinë nga Serbia, është një ndër ekonomitë më të pazhvilluara në rajon.

Ajo nuk emeton para dhe kjo sipas analistit Ibrahim Rexhepi bën që vendi të mos ndikohet drejtpërdrejt nga kriza në të cilën po kalon valuta e përbashkët evropiane.

"Kosova e ka këtë valutë në përdorim, kështu nuk e ka pjesën e vet të politikës monetare ku mund të kyçet me emetimin e parasë apo me korigjimin e zhvillimeve në tregun monetar, ndërsa reflektimet do të jenë të mëvonshme, përkatësisht në kohën kur pariteti mes euros dhe dollarit do të jetë shumë më i madh se sa që është tani dhe kjo do të reflektohet edhe në çmimet e artikujve të importuar, meqenëse tregu i Kosovës thuajse 80 apo 90 përqind furnizohet nga importi," thotë z. Rexhepi.

Ekspertët megjithatë janë të shqetësuar se përpjekjet e Brukselit për të parandaluar rënien e Euros dhe përhapjen e krizës financiare greke në vendet e eurozonës, mund të ndikojnë në tkurrjen e donacioneve që i janë premtuar Kosovës nga vendet e BE-së. Kjo thonë ata, do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë e vendit.