BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 14 prill 2010 - 13:04 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Skeptizicëm për zgjidhjen financiare greke
 

 
 
Grekët protestojnë ndaj masave shtrënguese
Grekët protestojnë ndaj masave shtrënguese
Në Greqi ekspertët e çështjeve ekonomike theksojnë se mbështetja nga partnerët evropianë dhe FMN-së, nuk janë të mjaftueshme për të përmirësuar gjendjen kritike të ekonomisë vendase.

Në të njëjtën kohë, edhe kreu i FMN, Domenique Straus Khan, ka rekomanduar si të vetmen mënyrë për kapërcimin e krizës deflacionin, që nënkupton veç të tjerash, paga dhe çmime më të ulëta.

Vendimi i eurozonës për t’i ofruar kredi Greqisë në rast nevoje, që u komunikua para katër ditësh, shkaktoi buzëqeshje në Athinë.

Por këto buzëqeshje nuk vazhduan gjatë. Për dy ditë me radhë interesat e larta për kreditë e Greqisë u rikthyen dhe bursa e Athinës shënoi rënie dramatike.

Megjithatë, kryeministri Jorgos Papandreu tha se interesat e larta të kredive janë vetëm një parametër i çështjes.

Ai tha se Greqia kaloi një terror psikologjik dhe se tani nevojitet gjakftohtësi, teksa mekanizmi i mbështetjes është tashmë real.

Ai shtoi se qeveria do të shqyrtojë nëse do t’i drejtohet apo jo atij mekanizmi.

Deflacioni

Ndërkohë, shqetësimin e ka rritur më shumë një deklaratë e kreut FMN-së Straus Khan.

Në një intervistë për shtypin austriak, zoti Straus Khan citohet të ketë thënë se vendi duhet të bëjë deflacion.

"Deflacioni është e vetmja mënyrë jetësuese që Greqia të kapërcejë dobësitë makroekonomike," tha ai.

"Ky është një proces i dhimbshëm, teksa do të thotë paga më të ulëta dhe çmime më të ulëta, ndërkaq, Greqia duhet të bëjë hapa mbrapa në rrugën që mori vitet e fundit, nuk ka rrugëdalje tjetër për grekët, përveçse rritjen e antagonizmit," tha kreu i FMN-së duke shtuar se deflacioni është sugjeruar edhe nga Komisioni Evropian.

Analisti i çështjeve ekonomike, Babis Papadimitriu, e sqaron në gjuhë më popullore se ç’është deflacioni.

"Tani të gjithë vijnë e thonë, OK me mekanizmin e mbështetjes, por ç’do të bëni me problemet kronike të ekonomisë - Këtu vjen çështja e deflacionit."

Zoti Papadimitriu thotë se kur ke humbur antagonizmin, njera zgjidhje, që u zbatua 30 vitet e fundit, para se Greqia të hynte në zonën euro, ishte zhvlerësimi i monedhës kombëtare, dhrahmisë.

"Kjo solli si rezultat uljen e vlerës së punës, të produkteve e të pasurive të palujtshme, krahasuar me vendet e tjera, por ne nuk e ndjenim këtë, sepse çdo rritje inflacioni shoqërohej me rritje pagash," thotë ai.

"Tani, me euron, nuk mund ta bëjmë këtë, kjo përrallë mori fund," thekson analisti grek.

Por ulja e mëtejshme e pagave do të shkaktojë me siguri tensione të fuqishme sociale, në kohën që janë paralajmëruar edhe greva të tjera të përgjithshme deri në fund të këtij muaji, në kundërshtim të masave shtesë që komunikoi qeveria para disa javësh.

Analisti Papadimitriu thotë se sindikatat, me qëndrimin e tyre, vetëm se prishin punë.

"Sindikatat, në thelb, shtyjnë me qindra bashkëqytetarë të tyre drejt papunësisë, sepse, nëse një kompani nuk arrin të ulë koston e prodhimit, që për kushtet e Greqisë më së shumti konsiston në koston e fuqisë punëtore, do të detyrohet të bëjë shkurtime në personel, ose të mbyllet fare," thotë ai.

Analisti grek thekson se shteti është njera anë, dhe ekonomia reale është tjetër gjë.

Masat e deritanishme, janë marrë me qëllim reduktimin e defiçitit buxhetor, por ekonomia në përgjithësi nuk është në gjendje më të mirë.

Kështu që, sipas tij, deflacioni duhet të përfshijë më së pari atë që quhet ekonomia dhe që duhet bërë më produktive e më konkurrente.

"Kjo është që do të na kërkojnë, në një moment dhe jo më vonë se deri në verë, gjithë ata që merren me ekonominë greke," vë në dukje analisti i çështjeve ekonomike Babis Papadimitriu.

Qeveria greke nuk e komentuar rekomandimin e kreut të fondit monetar ndërkombëtar, por sipas medias vendas, sa FMN-ja, aq edhe Komisioni Evropian kanë kërkuar marrjen e masave të tjera shtesë, në rast të aktivizimit të mekanizmit të ndihmës.

Këto masa lidhen me reformën e sigurimeve shoqërore, forcimin e konkurrencës dhe elasticitetin e marrëdhënieve në punë.

Pra, pak a shumë, ato që kërkon edhe deflacioni i rekomanduar nga presidenti i FMN-së.

 
 
LOKALE
Sindikatat paralajmërojnë grevë
09 mars 2010 | Faqja Kryesore
Rehn mbështet masat shtesë të Greqisë
02 mars 2010 | Faqja Kryesore
Papandreu përpiqet të injektojë optimizëm
14 janar 2010 | Faqja Kryesore
Rritet presioni brenda Greqisë pas Brukselit
16 shkurt 2010 | Faqja Kryesore
Pse grekët nuk paguajnë taksat?
25 shkurt 2010 | Rajoni
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>