BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 09 mars 2010 - 15:23 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
"Qasja në internet - e drejtë themelore e njeriut"
 
Përdorimi i internetit (arkiv)
Një sondazh i kryer në shkallë globale 20 vjet pas shpikjes së internetit, ka arritur në përfundimin se shumica e njerëzve në mbarë botën e konsiderojnë qasjen në internet si një të drejtë themelore të njeriut.

Siç njofton korrespondenti i BBC-së për çështjet e teknologjisë, Rory Cellan-Jones, më shumë se 1.7 miliardë vetë në të gjithë botën janë të lidhur me internetin dhe në disa vende si Finlanda, qasja në internet konsiderohet si një nga të drejtat e njeriut.

Sondazhi me përmasa globale i kryer me 27 mijë persona të rritur në 26 vende të botës e mbështeti plotësisht këtë, pasi 87% e përdoruesve të internetit dhe 70 përqind e atyre që nuk e përdorin atë, e konsiderojnë internetin si një të drejtë themelore të njeriut.

Por të anketuarit kishin dallime lidhur me mënyrën se si duhet rregulluar veprimtaria e internetit. Shumica e personave që u intervistuan në vende të tilla si Korea e Jugut apo Nigeria thonë se qeveria nuk duhet të ndërhyjë në asnjë rast, ndërsa të anketuarit në Kinë por edhe në vende si Britania u shprehën ndryshe.

Afro katër në pesë përdorues interneti që u pyetën në këtë sondazh mendojnë se interneti i ka bërë ata më të lirë. Afro gjysma e tyre thanë se përdorin rrjetet sociale të internetit si Facebook-u apo Myspace. Internesant ishte se shumica e përdoruesve të internetit në Japoni, Kore të Jugut apo Gjermani thanë se nuk kishin garanci të forta sigurie për të shprehur opinionet e tyre, ndryshe nga ata që u pyetën në vende të tilla si India apo Gana.

Sondazhi konfirmoi edhe njëherë se interneti po bëhet pjesë e rëndësishme e jetës. Afro treçereku i të pyeturve në Japoni, Meksikë apo Rusi thanë se nuk mund të bënin dot pa internetin.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>