BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 01 mars 2010 - 15:43 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
ESI: BE e ngadaltë për vizat me Shqipërinë
 
Flamuj të BE-së
Flamuj të BE-së
Komisioni Evropian është kritikuar se po vepron me ngadalësi në vlerësimin e kritereve për të lejuar Shqipërinë që të ketë regjim pa viza me vendet e Shengenit brenda këtij viti.

Organizata studimore, Nisma Evropiane e Stabilitetit (ESI), thotë në një reagim të saj pasi misionet vlerësuese të Komisionit kanë përfunduar këto ditë vlerësimin e kritereve nga Shqipëria, se kalendari i Komisionit "sugjeron se kur është fjala për çështje 'urgjente' aplikohen standarde të dyfishta për vende të caktuara në Ballkan".

"Nuk ka asjë arsye të qënësishme për vonesë, përveçse mungesë vullneti politik," thotë një njoftim i ESI-t.

Drejtoresha e projektit të vizave Shengen në ESI, Alexandra Stiglmayer, thotë në një intervistë për BBC-në se, nëse Komisioni do ta përshpjetonte punën e tij, do të mundej që të bënte rekomandimin për Shqipërinë në kohë për t'u aprovuar nga Parlamenti Evropian para verës së ardhshme.

Ilir Nishku i BBC-së bisedoi me zonjë Stiglmayer:

 Nuk duket se Komisioni do ta paraqesë propozimin aq herët që ky proces të zhvillohet para verës, dhe e gjitha kjo është në kontradiktë me atë që Parlamenti dhe Këshilli kërkuan vitin e shkuar.
 
Alexandra Stiglmayer e ESI-it

BBC: Misioni vlerësues i Komisionit Evropian përfundoi javën e shkuar shqyrtimin e plotësimit të kushteve nga Shqipëria për çështjen e regjimit pa viza në vendet e Shengenit.

Alexandra Stiglmayer: Ata kanë shqyrtuar të gjitha çështjet që janë kushte për të ofruar udhëtim pa viza. Me sa dij unë javën e kaluar përfundoi i ashtuquajturi Bllok 2, që do të thotë çdo gjë që ka të bëjë me kontrollin e kufijve dhe migrimin e paligjshëm, por më parë një mision tjetër shqyrtoi çështjen e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në dhjetor ka pasur një tjetër mision që shqyrtoi sigurinë e dokumentave, nëse pasaportat biometrike plotësojnë të gjitha kushtet.

BBC: Çfarë do të ndodhë tani? A është kjo mundësia e fundit që autoritetet shqitapre kanë për të plotësusar kushtet për të marrë regjimin pa visa?

Alexandra Stiglmayer: Kjo nuk është mundësia e fundit, sepse, edhe në rastin më të pamundur, nëse Shqipëria nuk ka bërë një punë të mirë, Komisioni do të bënte një mision tjetër vlerësues pak kohë më vonë. Por kjo ka shumë pak mundësi të ndodhë. Komisioni, bazuar në raporte të mara nga qeveria shqiptare, e ka ditur afërsisht se cila ka qenë gjendja, dhe ky mision ka shkuar atje thjesht për të verifikuar në terren, se si është gjendja. Pra, bazuar në këtë, Komisioni do të bëjë tani një vlerësim të përgjithshëm dhe të rekomandojë udhëtim pa viza për Shqipërinë, ose, në rastin më të keq, të rekomandojë udhëtim pa viza me kushtin që të zgjidhet në muajt e ardhshëm ndonjë çështje që mund të ketë mbetur pa u zgjidhur.

BBC: Pasi Komisioni bën rekomandimin, atëhere gjithë këtë procedurë duhet ta aprovojë Parlamenti Evropian?

Alexandra Stiglmayer: Komisioni Evropian duhet të propozojë amendimin e ligjit që përcakton vendet qytetarët e të cilave mund të udhëtojnë pa viza në zonën e Shengenit dhe ato vende qytetarët e të cilave kanë nevojë për vizë. Pra, Komisioni shkruan propozimin zyrtar dhe pastaj Parlamenti Evropian duhet ta miratojë, dhe pas tij duhet ta miratojë edhe Këshilli.

BBC: Në një raport të fundit nga organizata juaj, Nisma Evropiane e Stabilitetit, ju sugjeroni se kur është puna "për çështje urgjente aplikohen standarde të dyfishta për vende të ndryshme të Ballkanit", dhe ju sugjeroni se mund të ketë vonesë në marrjen nga Shqipëria të regjimit pa visa në BE.

Alexandra Stiglmayer: Po, sepse vitin e shkuar, kur Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia morën regjimin pa viza në nëntor, si Parlamenti Evropian ashtu edhe Këshilli thanë se ata shpresonin se Shqipëria dhe Bosnia do ta marrin këtë sa më shpejt që të jetë e mundur. Dhe ata thanë se kjo duhet trajtuar si një çështje urgjente dhe i bënë thirrje Komisionit që të paraqesë një propozim legjislativ për ta ndryshuar ligjin përkatës sa më shpejt.

Por tani, sipas kalendarit të tanishëm të Komisionit, është e pamundur që Shqipëria dhe Bosnia të marrin udhëtim pa visa para verës, sepse të gjitha këto procedura: shkruajtja e propozimit nga Komisioni, procedura e konsultimit dhe miratimit të brendshëm, kalimi në Parlamentin Evropian, komisionet e parlamentit, dhe pastaj në Këshill, e gjitha kjo do kohë dhe për momentin nuk duket se Komisioni do ta paraqesë propozimin aq herët që ky proces të zhvillohet para verës, dhe e gjitha kjo është në kontradiktë me atë që Parlamenti dhe Këshilli kërkuan vitin e shkuar.

BBC: A mendoni ju se ka një mungesë vullneti politik nga ana e Bashkimit Evropian për këtë çështje?

 Ata (Komisioni) kanë thënë se do ta japin vlerësimin e tyre në mesin e muajit prill, por kjo është tepër vonë.
 
Alexandra Stiglmayer e ESI-it

Alexandra Stiglmayer: Nuk mendoj se është domosdoshmërisht mungesë vullneti politik nga ana e të gjithë BE-së , por për momentin është Komisioni që po punon shumë ngadalë. Unë vetëm mundem të spekuloj për arsyen pse. Nuk mendoj se ka qëllim për të punuar ngadalë, por këta njerëz duan të kenë sa më shumë kohë që të jetë e mundur në dispozicion për të bërë punën e tyre. Ata nuk duan të bëjnë premtime të shpejta.

Ne besojmë, megjithatë, se ndërsa Këshilli dhe vendet anëtare thonë se kjo është një çështje prioritare, atëhere ka vullnet politik për ta bërë këtë sa më shpejt. Dhe ne mendojmë se vitin e shkuar pati një vullnet politik për t'i dhënë disa vendeve të caktuara regjim pa viza, dhe si rrjedhim disa gjera u bënë shumë shpejt.

BBC:
A mendoni ju se gjendja në Shqipëri, bllokimi politik atje, mund të ndikojë në vendimin që do të marrë Komsioni?

Alexandra Stiglmayer: Ne mendojmë se Komisioni do të përpiqet të jetë shumë objektiv dhe të mos konsiderojë ndonjë kusht, që nuk përfshihet në hartën e rrugës, si ato gjera që ne përmendëm: pasaporta biometrike, kontroll rigoroz të kufijve, lufta kundër krimit të organizuar. Ne e dijmë se disa vende anëtare kanë filluar tashmë të thonë se ndoshta nuk është mirë që t'i jepet Shqipërisë udhëtim pa viza gjatë kësaj periudhe të një bllokimi politik. Kjo është e gabuar, sepse procesi ka qenë shumë teknik. Vendet anëtare kanë thënë: "Ja ku janë këto 50 a më shumë kushte, kur ato të jenë plotësuar atëhere vendi meriton udhëtim pa viza". Pra, futja tani në lojë e problemeve politike, nuk ka qenë ndonjëherë kriter, kështu që nuk duhet të ndodhë.

BBC: Kur pritet që Komisioni të thotë nëse Shqipëria i ka plotësuar kriteret?

Alexandra Stiglmayer: Ata kanë thënë se do ta japin vlerësimin e tyre në mesin e muajit prill, por kjo është tepër vonë. Sikurse e thashë, misioni i fundit vlerësues e përfundoi punën e tij javën e shkuar, dhe ne shpresojmë se ekspertët do ta paraqesin raportin e tyre para Komisionit sa më shpejt që të jetë e mundur. Dhe është plotësisht e mundur që ta shkruash një raport të tillë brenda një jave apo dy.

Pra, nëse Komisioni e merr këtë raport nga mesi i marsit, atëhere Komisioni duhet të përpiqet ta shkruajë raportin e tij të përgjithshëm deri nga fundi i marsit, që është gjithashtu e mundur që të shkruash një raport për dy vende brenda dy javësh. Dhe kjo do të lejonte që të gjitha hapat e tjera të merren pak më herët, që do të thoshte që Shqipëria, ashtu edhe Bosnia, të kishte regjim pa viza para verës nëse ato plotësojnë kushtet.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>