BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 12 shkurt 2010 - 13:11 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Greqia "ndryshe" nën mbikëqyrjen e BE-së
 

 
 
Logo e BE-së
Në favor të masave shtesë shprehen edhe ekspertët grekë.
Pas vendimit për mbështetje nga Bashkimi Europian, kryeministri grek ka deklaruar vendi ka humbur një pjesë të sovrantitetit kombëtar dhe ka theksuar vullnetin për të bërë gjithçka për ta rifituar atë.

Opozita ka reaguar ashpër ndaj kësaj deklarate, duke theksuar në të njëjtën kohë se qeveria po interesohet vetëm për reduktimin e defiçitit buxhetor dhe se nuk merr asnjë masë për të rimëkëmbur zhvillimin ekonomik të vendit.

Atmosfera në Athinë, pas vendimit të enjten të Bashkimit Europian, perceptohet më qartë nga një shfletim i gazetave greke të ditës së premte.

Sigurisht, ofrimi i mbështetjes ndaj Greqisë përbën temën kryesore në të gjitha gazetat.

Dhe që të gjitha theksojnë lidhjen ndërmjet mbështetjes politike të ofruar dhe mbikqyrjes së trefishtë në të cilën vendoset tashmë Greqia, duke e krahasuar këtë mbikqyrje me lakun, kamxhikun, ose gogolin.

Por gazetat kryesore theksojnë se negociatat që u kurorëzuan me vendimin e djeshëm, ishin gjysmake.

Dhe kjo sepse, ose disa partnerë komunitarë nuk ishin dakord që Greqia të ndihmohej, ose pse kërkonin masa të tjera edhe më të ashpra.

Në favor të masave shtesë shprehen edhe ekspertët grekë.

Panajotis Largovas është shef i katedrës së Ekonomisë në Universitetin e Peloponezit: “Do të jetë një shpëtim i përkohshëm në rast se e konceptojmë që i zgjidhim problemet nëse na ofrohen 20 apo 22 miliardë euro.

Problemi do të mbetet. Prandaj është e domosdoshme të kryhen qysh sot e në vazhdim hapat e tjerë, që janë reformat, zbatimi rigoroz i programit të stabilitetit dhe masa shtesë, që sigurisht do të kenë një impakt social”.

Gjithsesi, kryeministri Jorgos Papandreu, deklaroi qartë që në rast të devijimit nga objektivat e programit të stabilitetit, Greqia është e gatshme dhe angazhohet të marrë masat e nevojshme:

"Nëse shohim se nuk arrihen objektivat e programit të stabilitetit, ne jemi të vendosur t’i marrim masat e nevojshme shtesë, me qëllim që të realizojmë objektivat tona."

Por deklaratat e Papandreut shkaktuan reagimin e ashpër të opozitës.

Lideri i partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, Antonis Samaras, tha se çështja nuk është se sa partia e tij mbështet qeverinë në këtë ndërmarrje të vështirë, por se sa vetë qeveria mbështet ekonominë greke.

"Tani qeveria merr masa vetëm për uljen e deficitit buxhetor, por jo për gjallërimin e tregut. Nuk jep frymëmarrjen e nevojshme të mbështetjes së ekonomisë."

"Mirëpo, pa masa të tilla, dhe pavarësisht mbështetetjes komunitare, recesioni do të jetë i madh dhe deficititet nuk kanë për t’u reduktuar", tha lideri opozitar, Samaras.

Kryeministri grek u tha bashkëkombasve të vet se me futjen në regjimin e mbikqyrjes, influencohet edhe sovraniteti kombëtar i Greqisë.

“Për shkak të papërgjeshmërisë së qeverisë së mëparshme, u humb një pjesë e sovrantietit tonë kombëtar, kështu siç u trajtuan çështjet ekonomike. Le të bëjmë tani punën tonë, me qëllim që Greqia të bëhet përsëri zotëruese e fatit të vet”.

Ndërkaq, nuk dihen ende hollësi se si do të funksionojë mbështetja europiane ndaj Greqisë, çka zoti Papandreu tha se nuk është diskutuar ende me hollësi, dhe që ndoshta do të bëhet në mbledhjen e ardhshme të ECOFIN-it, të hënën.

Tre instancat mbikqyrëse të programit të stabilitetit do të jenë Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Lidhur me këtë të fundit, kryeministri tha se përfshirja në grupin mbikqyrës e FMN-së ka karakter vetëm teknik dhe se Greqia e kishte kërkuar prej kohësh bashkëpunimin me të.

Sipas tij, potenciali teknokratik i FMN-së është i rëndësishëm, për të dihmuar në reformën administrative, si dhe në funksionimin më transparent e më eficent të buxhetit.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>