BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 09 shkurt 2010 - 12:36 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Interes rreth nismës për zgjidhjen e krizës
 

 
 
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi
Presidenti ka ftuar kryeministrin Berisha dhe kreun e PS-së, Rama.
Veç synimit për t'i dhënë fund krizës politike në Shqipëri, shumë pak gjëra dihen rreth tryezës që presidenti i vendit, Bamir Topi, ka organizuar me 13 shkurt dhe ku ka ftuar dy figurat kryesore të politikës shqiptare, kreun e maxhorancës, Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama.

Nga takimet që zoti Topi ka patur me përfaqësues të rëndësishëm të trupit diplomatik, deri tani është mësuar në rrugë jozyrtare se pritet që në këtë tryezë palët do të duhet të miratojnë në parim hetimin e zgjedhjeve dhe kthimin e opozitës në kuvend. Nga qëndrimet e deritanishme një gjë e tillë duket majft e vështirë.

Si PD, ashtu dhe PS me deklarimet e tyre po tregojnë që nuk pranojnë të bëjnë lëshime. Opozita kërkon hapjen e kutive të zgjedhjeve për të bërë, siç thotë ajo transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërsa maxhoranca e konsideron këtë një kërkesë të jashtëligjshme.

Sipas mediave shqiptare, situata mund të precipitojë edhe më tej nëse palët qëndrojnë në pozicionet e tyre. Madje ato parashikojnë deri kalimin në zgjedhjet e parakohshme në vend. Gjithnjë sipas mediave shqiptare një hap i tillë mund të jetë i preferuar nga maxhoranca e cila mund të shfrytëzojë një vendim të pritshëm të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, një vendim të cilin ata e konsiderojnë si historik. Por edhe opozita nga ana e saj kërkon të realizojë synimin për zgjedhje të parakohshme.

Një tjetër opinion, i shfaqur nga disa analistë, është se tryeza e organizuar nga presidenti Topi mund të përfundojë me ndonjë marrëveshje aspak parimore mes palëve, çfarë do ta dëmtonte rëndë imazhin e Shqipërisë. Ata sjellin në kujtesë raste të ngjashme, ku më e fundit është ajo e ndryshimeve kushtetuese në prag të zgjedhjeve të vitit të kaluar.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>