BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 14 janar 2010 - 11:20 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
"Fatura financiare e përmbytjeve mjaft e lartë"
 

 
 
Qyteti i Shkodrës
Dy javë pas përmbytjeve në zonën veriperëndimore të Shqipërisë, gjithnjë e më shumë po flitet për faturën financiare të kësaj katastrofe.

Autoritetet thonë se gjithshka do të jetë e qartë pas normalizimit të situatës dhe uji të jetë larguar nga zonat e përmbytura.

Nga ana e tyre ekspertët paralajmërojnë për një faturë mjaft të lartë. Opozita nga ana e saj thotë se do të ushtrojë presion ndaj qeverisë për të paguar të gjitha dëmet e shkaktuara për faj të saj, por kjo e fundit është angazhuar të dëmshpërblejë banorët pavarësisht se sipas saj ngjarja ishte një fatkeqësi natyrore e pashembullt.

“Gjithë çka kena pasë, na asht përmbytun. Shteti të vejë dorën në zemër e t’na ndihmojë”. Këto janë fjalët që më se shumti dëgjon nga banorë të zonës së përmbytur në veriperëndim të Shqipërise, të cilët prej afro dy javësh po jetojnë një ankth të paparë. Gjithë mundi e djersa e tyre në vite, është zhdukur sa hap e mbyll sytë pas vërshimit të ujrave të Drinit, Bunës dhe liqenit të Shkodrës.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 10 mijë ha tokë është përmbytur, rreth 2500 shtëpi gjënden nën ujë, një operacion gjigand humanitar po vazhdon prej dy javësh, ç’ka të bën të mendosh se fatura e kësaj katastrofe do të jetë vërtetë mjaftë e madhe.

 vetëm nga operacionet e deritanishme humanitare shifra ka arritur në miliona euro...
 
Zv/ministri i brendshëm Ferdinand Poni

Më shumë dritë hedh zëvendësministri i brendshëm Ferdinand Poni, i cili thotë për BBC-në se “vetëm nga operacionet e deritanishme humanitare shifra ka arritur në miliona euro”. Sipas tij bëhët fjalë “për shpërndarje të paketave me ushqime, ujë dhe ushqim për blegtorinë, si dhe pjesëmarrjen në operacion të trupave ushtarake e civile, makinave dhe helikopterëve”.

Por ky është vetëm fillimi. Kur ujrat të tërhiqen dhe çdo kush të shkojë pranë shtëpisë dhe tokës së përmbytur, do të shohë nga afër bilancin e katastrofës.

Ekspertët mendojnë se ai do të jetë i shumfishtë. Dr. i shkencave ekonomike Gjergji Filipi thotë se “Fatura do të jetë kolosale në disa drejtime”.

Ai rradhit humbjet nga mungesa e prodhimit të energjisë elektrike dhe mosshitja e saj, ndihmën ekonomike të hequr nga sektorë të tjerë, pa përmendur dëmet ekonomike të zonës, të cilat sipas zotit Filipi do t’i ndjejmë në vitet që vijnë.

 “Është një faturë kolosale që do ta kuptojmë më pas se çfarë po ndodh në këto orë...
 
Gjergji Filipi, doktor i shkencave ekonomike

“Është një faturë kolosale që do ta kuptojmë më pas se çfarë po ndodh në këto orë, ditë që po jetojmë” thotë ai për BBC-në.

Situta e krijuar në veriperëndim të Shqipërisë nga kjo përmbytje e pashembullt, ka provokuar polemika mes opozitës së majtë dhe maxhorancës së djathtë.

Opozita e cila akuzon qeverinë si autore të kësaj katastrofe, thotë se do të këmbënguli për pagimin deri në një të dëmeve që u janë shkaktuar banorëve.

Por nga ana e tij kryeministri Sali Berisha ka deklaruar më se një herë se qeveria e tij do të paguajë çdo dëm që sipas tij ka sjellë kjo fatkeqësi natyrore, e menaxhuar në vlerësimin e kreut të qeverisë në mënyrë të shkëlqyer.

Por të gjithë e kanë të qartë se fatura e kësaj ngjarjeje që do të mbahet mend gjatë, do të rëndojë në buxhetin e shtetit shqiptar.

Shqiptarët e kanë të freskët tragjedinë e Gërdecit të ndodhur afro dy vjet më parë në afërsi të Tiranës, ku humbën jetën 26 persona, 300 u plagosën dhe që i kushtoi buxhetit të shtetit jo më pak se 20 milionë euro.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>