BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 13 janar 2010 - 16:55 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Operacion shumë i suksesshëm, thotë Berisha
 

 
 
Pamje nga përmbytjet në rrethin e Shkodrës
Niveli i ujrave - ndonëse në shifra të vogla - është në rënie
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e cilësoi si shumë të suksesshëm operacionin e deritanishëm të ndërmarrë nga qeveria shqiptare në zonën veriperëndimore të vendit e cila që prej dy javësh gjendet e përmbytur.

Ai dha garanci se qeveria do të zhdëmtojë çdo dëm që u është shkaktuar banorëve nga kjo përmbytje sipas tij për shkak të natyrës.

Kryeministri Berisha zgjodhi qytetin e Shkodrës për të zhvilluar mbledhjen e kabinetit të tij dhe nuk kurseu superlativat për punën e deritanishme në zonën e përmbytur që prej dy javësh.

Zoti Berisha tha se ai ishte "nje operacion humanitar shumë i suksesshëm që duhet shënuar në histori".

Kryeministri shqiptar vlerësoi veçanërisht faktin që nuk janë shënuar viktima, ndërsa tha se "për herë të parë banorët u paralajmëruan për shkarkimet e hidrocentraleve".

"Lëshimi i ujrave u bë me paralajmërim të plote, me ligjin dhe moralin," tha ai.

Zoti Berisha hodhi poshtë akuzat e opozitës për keqpërdorim të hidrocentraleve mbi lumin Drin ndërsa e cilësoi menaxhimin e situatës nga KESH si të shkëlqyer.

Kryeministri dha sërish garanci se qeveria e tij do të marrë përsipër çdo dëm të shkaktuar nga kjo përmbytje, sipas tij, prej natyrës.

"Reshjet ishin të papara dhe shkrirja e dëborës ne këtë kohë ndodhin më rrallë se nje herë në 100 vjet," tha zoti Berisha.

Kryeministri shqiptar tha se situata e krijuar në zonën e Shkodrës është një sfidë për t'u zgjidhur.

Ndërkohë njoftimet më të fundit nga Shkodra bëjnë të ditur se situata ka nisur të ndryshojë. Niveli i ujrave ndonëse në shifra të vogla është në rënie. Megjithatë evakuimet dhe ndihma ndaj popullatës vazhdon të jetë prioritet. Situata shëndetësore vazhdon të mos paraqesë probleme serioze.

 
 
LOKALE
Qeveria shqiptare mblidhet në Shkodër
13 janar 2010 | Faqja Kryesore
Bie niveli në H/C, por përmbytjet shtohen
12 janar 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>