BBCAlbanian.com
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Një ditë me të përmbyturit në Shkodër
 

 
 
Shkodër
Janë përmbytur dhjetë mijë hektarë tokë dhe mbi 2400 shtëpi
Banorëve të fshatit Bahçallëk në Shkodër prej ditësh u kanë humbur shtëpitë nën ujë. Ata i kanë braktisur banesat dhe uji është i vetmi mysafir i paftuar në to. Çatitë e shtëpive të tyre duken si varka të mëdha të përmbysura në ujë.

Duket se fatkeqësia është përsëritur në këtë zonë, pasi në vitin 1979, fshati u rrënua nga tërmeti, ku humbën jetën edhe disa banorë. Tashmë përmbytja po i kthen në rrënoja për herë të dytë shtëpitë e tyre të ndërtuara këtu e 30 vite më parë, ndërkohë që gërmadhat e tërmetit ende janë aty.

"Shtëpinë një herë ma ka shemb tërmeti e shteti i atëhershëm ma ndërtoi të re. Edhe ky shteti i tanishëm duhet të ma ndërtojë sërish. Unë marr 35 mijë lekë të vjetra në muaj, fëmijët i kam pa punë dhe vetë nuk mund të ndërtoj", thotë për BBC-në njëri prej banorëve që e ka shtëpinë në hyrje të fshatit.

Në këtë kohë të vështirë për ta banorët e përmbytur kanë nevojë për solidaritet dhe ndihmë për të kapërcyer situatën e pazakontë. Pranë u ndodhen shumë të afërm, por edhe të panjohur që kanë ardhur nga zonat e sigurta për t’i tërhequr të përmbyturit ose për t’u dhënë ndihmë.

 Qeveria duhet t’i ndihmojë, por edhe partitë politike në këtë fatkeqësi duhet të jenë më shumë të lidhura me njëra-tjetrën.
 
Fshatar nga Postriba

“Gjithë njerëzit duhet të ndihmojnë, por duhet gjendje e mirë ekonomike që të ndihmosh. Ne jemi të varfër edhe për vete. Duhen para për këta njerëz. Ne nuk kemi t’u japim nga një milion lekë, por i marrim nëpër shtëpitë tona, janë vëllezërit tanë. Qeveria duhet t’i ndihmojë, por edhe partitë politike në këtë fatkeqësi duhet të jenë më shumë të lidhura me njëra-tjetrën”, thotë një 60 vjeçar nga Postriba e mbi-Shkodrës.

Pas situatës së krijuar, nga shoqata, bashki e komuna nga mbarë vendi janë hapur numra llogarie për të ndihmuar të përmbyturit. Solidariteti ka ardhur dhe nga komuna e Gjakovës në të holla dhe strehim, por edhe nga qarku i Kukësit, një pjesë e të clit është përmbytur një herë e mirë që nga ndërtimi i Fierzës në vitin 1978.

Hasan Halili, kryetar i bashkisë së Kukësit thotë se kjo është më e vogla që mund të bëhet për këta njerëz që sot janë në situatë të vështirë.
Ndihmat dhe solidariteti në këto ditë të vështira po vijnë dhe nga jashtë Shqipërisë.

Qeveria dhe opozita, pavarësisht se ndajnë qëndrime të ndryshme për shkaqet e përmbytjes dhe menaxhimin e situatës, apelojnë për solidaritet.

Kryetari i opozitës socialiste, Edi Rama thotë se PS-ja ka krijuar komisione për ndihmë për banorët e dëmtuar.

 Ne nuk do t’i ndahemi qeverisë derisa të kompensojë të gjithë të dëmtuarit.
 
Edi Rama, kryetar i PS-së

“Të gjitha bërthamat në rrethe do të koordinohen me shtabin në Tiranë për të sensibilizuar të gjithë popullin opozitar dhe çdo shqiptar, këtu dhe në emigracion, për të marrë pjesë në këtë lëvizje solidariteti. Ne nuk do t’i ndahemi qeverisë derisa të kompensojë të gjithë të dëmtuarit”, ka deklaruar Edi Rama në Shkodër.

Ndërkohë qeveria shqiptare thotë se po ndjek nga afër situatën të cilën e konsideron nën kontroll.

 I garantoj të gjithë ata që janë dëmtuar se do kenë kujdesje të plotë, do kenë kompensim të plotë për dëmet e shkaktuara nga kjo përmbytje...
 
Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë

Kryeministri Sali Berisha ka siguruar se do të ndihmohen të gjitha familjet e dëmtuara dhe ata që strehojnë të dëmtuarit dhe se kompensimi për dëmët është i garantuar.
“I garantoj të gjithë ata që janë dëmtuar se do kenë kujdesje të plotë, do kenë kompensim të plotë për dëmet e shkaktuara nga kjo përmbytje, mirëpo duhet të marrim vendimin e drejtë për t’u evakuar dhe për t’u larguar nga uji”, u ka thënë kryeministri Berisha disa banorëve të fshatit Bahçallëk dhe fshatarëve përreth që rezultojnë si më të prekurit nga përmbytja.

Rajoni i nën-Shkodrës prej 10 ditësh është tërësisht i mbuluar nga vërshimet e ujrave që vijnë nga reshjet e shirave, por edhe nga shkarkimi i ujrave nga hidrocentralet në veri të vendit.

Janë 10 mijë hektarë tokë e përmbytur dhe mbi 2400 shtëpi të përmbytura.
Ende nuk ka një faturë as të përafërt për dëmët e shkaktuara në pronat private dhe publike, pasi praktikisht është i pamundur evidencimi i tyre për shkak të vështirësive të mëdha për të operuar në terren.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>