http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 10 dhjetor 2009 - 13:47 CET

Nazim Rashidi
BBC, Strugë

Maqedonia dhe problemet e klimës

Në Maqedoni ekspertët ekologjikë thonë se njerëzit nuk janë të informuar sa duhet nga efektetet e ngrohjes globale.

Ndërkohë kanë filluar të ndodhin procese të cilat mund të ndryshojnë plotësisht pamjen e sotme të vendit.

Në Strugë, ura ku shihet se si nga Liqeni i Ohrit shkëputet lumi Drini i Zi, është pamja më karakteristike e qytetit, por ku gjithashtu vërehen edhe efektet e ngrohjes globale.

Dikur niveli i liqenit ishte shumë i lartë, kurse tani shikohen gurët përgjatë shëtitores dhe se si uji është tërhequr. Dikur uji këtu ishte më i rrëmbyeshëm dhe më i thellë, para se të derdhej në shtratin e lumit.

Por sa janë njerëzit të vetëdijshmë për efektet e ngrohjes globale?

Tek shëtitorja buzë liqenit dy zonja thonë “se nuk dinë shumë për këtë çështje” dhe se “njerëzit janë të preokupuar me përditshmërinë që ka prioritete të tjera”.

Pak më tutje një gjysh që luan me nipin e tij thotë se “nuk ka informacione” për ngrohjen globale, por do të donte të dinte më shumë për të qenë i përgatitur për atë që do të ndodhë”.

Ekspertët në Maqedoni thonë se temperaturat deri në vitin 2050 do të rriten me tre gradë celsius, me prirje rritjeje të mëtejshme. Iskra Stojkovska e Rrjetit Ekologjik "Front", thotë se Maqedonia do të ketë plotësisht pamje tjetër nga e sotmja.

“Me siguri relative mund të thuhet se Maqedonia nuk do të ngjajë nga ajo që është sot. Nëse do të bëhet shkretëtirë ose deti do të mbërrijë deri këtu, asnjë nuk e di. Ndërkohë parashikimet janë se deri në vitin 2025 do të përgjysmohet prodhimi i rrushit, kurse prodhimi i domateve do të zvogëlohet deri në 70 përqind”, thotë Stojkovska.

Në Strugë, buzë lumit Drin, Berat Sela, përfaqësuesi i Shoqatës Ekologjike “Natyra” thotë se duhet bërë shumë në edukimin e njerëzve për pasojat e ngrohjes globale, kjo sidomos tek brezat e rinj.

Nëse fëmijët edukohen që në ditët e para të shkollimit ata formohen me një kulturë mbi të cilën do të veprojnë, kjo do të thotë se kemi siguruar një ardhmëri më të mirë”, thotë Berat Sela.

Pamja buzë Liqenit të Ohrit është e mrekullueshme. Liqenit tani i bëjnë shoqëri kalimtarët e rastit, mjellmat dhe pulbardhat si dhe rrezet e rralla të diellit. Por nëse në sipërfaqe gjithçka duket e bukur, në brendi ka probleme.

Ekspertët kanë paralajmëruar se rënia e nivelit të ujit ka shkaktuar çrregullime në ekosistemet. Algat dhe peshqit janë rralluar. Shoqatat ekologjike që veprojnë në këtë rajon thonë se problem është faktori njeri, por edhe ngrohja globale, për efektet e të cilës nuk ka shumë informacion.

Maqedonia nuk konsiderohet si emetues i madh i gazrave që shkaktojnë efektin serrë, sqaron Besa Tateshi nga Ministria e Ekologjisë, që është marrë edhe me Traktatin e Kiotos. Megjithatë po ndërmerren hapa që të zvoglohet emetimi i gazrava të dëmshëm.

“Është fakt se kohëve të fundit po rritet sensibilizimi i opinionit lidhur me problemet që shkaktojnë gazrat që shkaktojnë efektin serrë. Ne shohim se ndryshimet klimatike nuk janë diçka e shkruar në letër, apo teori, por ato kohën e fundit po bëhen të dukshme. Ndërkohë edhe sektori i industrisë ka filluar dhe ka shtuar masat që ndërmarrin lidhur me gazrat që shkaktojnë efektin serrë”, thotë Besa Tateshi.

Pavarësisht se në Maqedoni nuk lëshohen gazra me sasi të madhe, ekspertët thonë se masat duhet të ndërmerren në vazhdimësi. Sipas tyre, të gjithë mund të kontribuojnë në favor të zvogëlimit të emeitimit të gazrave të dëmshëm, kjo që nga përditshmëria jonë, duke fikur televizorin, e deri tek fabrikat.

Në të kundërt, pamjet idilike të ditëve të vona të vjeshtës, buzë liqenit thuajse të patrazuar, me zogj dhe mjellma, si në Strugë, vetëm pas pak vitesh mund të mos jenë më realitet.