http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 09 nëntor 2009 - 09:56 CET

Violeta Hyseni
BBC, Prishtinë

Muri i Berlinit dhe Kosova

“Ishte një metaforë e ndarjes që po shembej dhe për një popull të ndarë siç ishte populli shqiptar dhe për lëvizjen tonë çlirimtare që ishte shprehje e kësaj padrejtësie të madhe, s’kishte si të mos përjetohej si një fitore shpirtërore, si një fitore morale e projektit të lirisë,"- thotë ish i burgosuri politik Hydajet Hyseni.

1989-ta kur u shemb Muri i Berlinit përkon me shumë ngjarje historike për Kosovën.

Atë vit filluan protestat masive të shqiptarëve kundër asaj që cilësohej politikë represive e Serbisë ndaj Kosovës e që kulmuan me grevën e minatorëve të kombinatit Trepça. Këta të fundit u ngujuan tetë ditë rresht në horizontet e minierës së Stan-Tërgut, në mbrojtje të pozitës kushtetutese të Kosovës.

Fjalimi nacionalist i kryetarit të atëhershëm të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, Sllobodan Millosheviq para rreth 1 milion serbëve të mbledhur në Gazimestan afër Prishtinës, do t’i paraprinte përmbysjes së gjithë sistemit kushtetues dhe politik të Kosovës.

Lajmin për rënien e Murit të Berlinit, ish i burgosuri politik, sot deputet, Hydajet Hyseni e mori sa ishte në burgin e Nishit, ku vuante dënimin shumëvjeçar.

“Lajmin e prita në Burgun e Nishit, një burg ky i tmerrshëm, brenda grilave që na ndanin nga familjet tona, nga prindërit e mi, nga gruaja e nga fëmijët e mi. Murin e Berlinit e konsideronim për një kohë edhe si një metaforë të një barriere të egër që ndante atë të pandashmen, që ndante një komb në dysh, ndante familjet, vëllain nga vëllai, motrën nga motra, ndante të dashurit dhe fëmijët.

Dhe, kjo për një lëvizje si ishte kjo e jona, që ishte një lëvizje çlirimtare e një populli të ndarë poashtu, s’kishte si të mos eksploatohej maksimalisht, prandaj edhe e gjeni vazhdimisht të përdorur shembullin e ndarjes së Gjermanisë si një shembull tjetër të një padrejtësie të madhe”, tha z.Hyseni.

Shembja e murit të Berlinit, i cili ndau për tri dekada gjermanolindorët nga gjermanoperëndimorët, do të frymëzonte lëvizjen e atëhershme të shqiptarëve të Kosovës të ishte më këmbëngulëse për ndaljen e padrejtësive që po bëheshin ndaj tyre, kujton ish i burgosuri politik, Hydajet Hyseni.

“Ishte një metaforë e ndarjes që po shembej dhe për një popull të ndarë siç ishte populli shqiptar dhe për lëvizjen tonë çlirimtare që ishte shprehje e kësaj padrejtësie të madhe, s’kishte si të mos përjetohej si një fitore shpirtërore, si një fitore morale e projektit të lirisë, si një inkurajim për lëvizjen që atëherë po mbijetonte një goditje vërtetë të egër të një aparati të tmerrshëm represiv dhe po ringjallej si sfeniksi, taman nga hiri, nga shkrumbi.

Rënia e Murit të Berlinit s’kishte si të mos rezultonte me një shpërthim të ri të lëvizjes sonë, siç edhe ndodhi me lëvizjen e vitit ’89, viteve ’90-ta e që pastaj kulmoi me epopenë e ushtrisë çlirimtare që edhe u kurorëzua me një lloj shembje tjetër të Murit të Berlinit”, kujton atë periudhë z.Hyseni.

Është paradoksale, thotë ai, që në kohën kur në Evropë po shembeshin muret që ndanin popujt, siç ishte ai i Berlinit, në Ballkan po krijoheshin ndasi të reja, që rezultuan me shpërthimin e konflikteve të armatosura në ish Jugosllavi.

Ngjarjet e vitit '89 do të shënojnë një etapë të re për gjithë Evropën. Fëmijët europianë të këtij brezi, do të mund të ndjehen me fat që kanë lindur në një vit kaq historik.

Flandra Syla është studente e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës. Asaj i bën shumë përshtypje që ka lindur pikërisht në vitin kur ishte shembur Muri i Berlinit.

“Data ime e lindjes është 28 qershor dhe përvec Murit të Berlinit, e ka edhe specifikën tjetër të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, dicka më të cilën është lidhur fati ynë dhe janë interpretuar shumë gjëra më vonë. Por edhe në kontekstin e Murit të Berlinit sigurisht më bën shumë përshtypje pasi unë kam ardhur në jetë në kohën kur në shprehja ka ardhur liria dhe kur kanë ndryshuar shumë gjëra në nivelin global”, shprehet Flandra.

Ajo thotë se ndjehet keq kur e krahason veten me fëmijët tjerë të brezit të saj që jetojnë në ndonjë shtet evropian.

“Nëse do të kisha lindur diku tjetër, do të konsideroja veten me shumë fat që i takoj brezit të 89-tës. Nëse e shikoj identitetin tim, si identitet evropian do të thoja që është fat që kam lindur në një vit të ndryshimeve të mëdha për Evropën, por si shqiptare ’89-ta nuk mund të quhet një vit i fatit. Përkundrazi, në kohën kur bota po përjetonte revolucione drejt lirisë, ne ishim në pikën e evolucionit tonë për ta kërkuar të drejtën tonë për liri dhe nuk po mund t’i afroheshim asaj. Unë kam lindur në një ditë që fare thjesht mund të mos kisha lindur apo të kisha ardhur në këtë botë e vdekur, meqë ishte një ditë e një proteste shumë të madhe në Gazimestan”, thekson Flandra Syla.

Ngjarjet në Gjermani para 20 vitesh dhe ato në Kosovë ishin diametralisht të kundërta, por të dy popujt i bashkonte dëshira për të jetuar të lirë dhe pa barriera fizike.