http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 29 tetor 2009 - 16:33 CET

Ivanov: 'Pesimistë' janë optimistët me përvojë

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, në një prononcim për programin Zigzag të BBC-së në shqip, ka sugjeruar se Maqedonia mund të mos organizojë referendum për çështjen e emrit "nëse arrihet ndonjë zgjidhje, ku shumica do të jetë e kënaqur".

Presidenti Ivanov mendon se organizimi i referendumit për çështjen e emrit, ku populli të vendosë për ndryshimin e mundshëm, është një demokraci direkte, ku qytetarët e vendit do të shpreheshin për një çështje, siç thotë ai, thelbësore.

Dëgjoni programin Zigzag me presidentin Gjorge Ivanov

Por ai lë hapësirë që referendumi të mos organizohet.

"Nëse arrihet zgjidhje ku shumica do të jetë e kënaqur, atëhere mund të bisedohet edhe për mënyrë tjetër se si mund të merret vendimi," tha Presidenti Ivanov për BBC-në.

Ai megjithatë tha se është larg të qenit optimist:

“Në Ballkan pesimistë janë optimistët me përvojë. Sa herë që kemi qenë optimistë jemi zhgënjyer. Prandaj them që në këtë moment të jemi realistë, ta shikojmë situatën realisht. Euforia që nisi me ndërrimin e qeverisë në Greqi ishte se më në fund do të gjendet zgjidhja, se më në fund tani do të kemi konstruktivitet dhe ne përshëndesim çdo hap pozitiv nga ana e tyre. Mirëpo, përsëris fjala është për një problem të trashëguar nga një gjeneratë politikanësh të cilët krijuan një ambient tjetër në rajon. Rrethanat ndërkohë kanë ndryshuar, ka ndryshuar edhe bota. Kanë ndryshuar të gjitha rrethanat, mirëpo ne e kemi të trashëguar një çështje që tashmë po bëhet absurde dhe që deri tani i cënon të gjitha standardet ndërkombëtare, të gjithë traditën, praktikën dhe teorinë ndërkombëtare,”- tha zoti Ivanov.

Presidenti maqedonas ka shprehur kënaqësinë për përcaktimin e vijës kufitare me Kosovën, ndërkohë që përjashtoi mundësinë e ndarjes së saj: “Kosova është një realitet i ri, një shtet i ri me institucionet e veta që duhet të kujdeset për ardhmërinë e saj. Ne si shtet që nga viti 1991 kemi pasur të njëjtin entuziazëm dhe të njëjtën eufori, sikurse ishte në Kosovë. Mirëpo, ne gjithashtu gjatë asaj periudhe u përballëm me shumë probleme. Ne si shtet e ditëm që një nga një t’i zgjidhnim ato probleme dhe të fuqizojmë institucionet e shtetit. Prandaj, kjo mbetet çështje e Kosovës, që t’i shfrytëzojë institucionet e veta, miqtë e vet, në mënyrë që të mund të vendosë funksionimin e shtetit në gjithë territorin,”- tha ndër të tjera presidenti Ivanov në intervistën ekskluzive dhënë BBC-së.

Programi Zigzag drejtohet nga Seladin Xhezairi dhe transmetohet çdo të premte e të hënë në emisionin e mëngjesit BBC Sot, pas lajmeve të orës nëntë.