BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 29 shtator 2009 - 12:07 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Fushata parazgjedhore në Greqi
 

 
 
Tubim në Athinë
Politika e jashtme greke është vënë në qendër të përlasjeve elektorale midis dy rivalëve për fitimin e zgjedhjeve të 4 tetorit, kryeministrit Kostas Karamanlis dhe liderit të opozitës, Jorgos Papandreu.

Ndonëse pista kryesore e përplasjes paralektorale në Greqi është ajo e përballimit të krizës ekonomike, ditët e fundit dy liderët e partive më të mëdha, kanë ngritur lart në axhendën e konfrotimit politikën e jashtme.

Në të vërtetë, kjo ka ardhur si pasojë e një reaksioni zinxhir të krijuar prej pozicionimeve të partisë së djathtë me vokacion nacionalist, LAOS, lideri i së cilës, Jorgos Karaxhaferis, ka shndërruar në flamur elektoral të ashtuquajturat çështje kombëtare të Greqisë. Çështje që, në këto njezët vitet e fundit, janë monopolizuar nga zhvillimet në marrëdhëniet greko-turke dhe ato lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë.

Pas datës 4 tetor, kur grekët do të zgjedhin se cila prej dy partive të mëdha do t’i qeverisë, nuk duket se do të ketë ndryshime impresionuese në këto dy çështje, që i përkasin politikës së jashtme greke.

Kjo rezulton nga deklaratat e zotërinjve Karamanlis e Papandreu, si gjatë fjalimeve elektorale, aq edhe në debatet televizive përballë njeri-tjetërit.

Lideri i opozitës, Jorgos Papandreu, ka paralajmëruar se do të mbajë qëndrim më të ashpër ndaj Turqisë, duke akuzuar kryeministrin aktual, Kostas Karamanlis, se ka lënë të shkojnë kot shanset që kishte Greqia për t’iu imponuar fqinjit lindor.

"Sot e kemi humbur reputacionin tonë në arenën ndërkombëtare. Ekzistuan dy shanse të mëdha, kur vetë kryeministri e lëshoi të drejtën e vetos ndaj Turqisë. Unë nesër, po të jem kryeministër, nuk e lëshoj të drejtën e vetos, siç kam bërë edhe kur isha ministër i jashtëm, në vlerësimin që do të bëhet për Turqinë në Bashkimin Europian, në dhjetor,"- është shprehur zoti Papandreu.

Ndërkaq, kryeministri Karamanlis e ka mbrojtur politikën e ndjekur ndaj Turqisë, duke theksuar se e ka bërë pjesë të kërkesave europiane gjithë problematikën që ka Greqia me Turqinë:

"Unë kam një politikë të qartë, e cila konsiston në atë që mbështesim orientimin europian të Turqisë në masën që Turqia do të plotësojë të gjitha detyrimet, pa përjashtim ka marrë kundrejt Bashkimit Europian, dhe kjo politikë mbështetet në një bazë tepër të thjeshtë, por besoj tepër të drejtë: se një Turqi e cila gradualisht do të adoptojë rregulla europiane të sjelljes, është një Turqi që u intereson të gjithë fqinjëve, dhe Greqisë.
Turqia nuk i ka bërë këto, prandaj të gjithë pretendimet që ka Greqia, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, i kemi bërë pjesë të kërkesave europiane për plotësim nga Turqia,"- tha kryeministri.

Çështja e mosmarrëveshjes me Maqedoninë për emrin kushtetues të vendit fqinj, duket se vlerësohet nga dy rivalët si një pikë e rëndësishme e marketingut politik, prandaj dhe nuk lënë rast pa iu referuar. Kostas Karamanlis, origjina e të cilit është nga rajoni grek i Maqedonisë, përdor si letër të fortë faktin e vendosjes së vetos për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe vazhdimisht e paralajmëron Shkupi, se e ardhmja euroatlantike e tij kalon nga marrëdhëniet me Athinën: "Nëse udhëheqja e Shkupit me të vërtetë ka zgjedhur institucionet euroatlantike, veç një gjë duhet të bëjë: të shikojë në hartën e vlerave dhe parimeve të Europës dhe të gjejë rrugën që të çon në marrdhëniet e fqinjësisë së mirë," - ka deklaruar kreu i qeverisë aktuale.

Edhe lideri i opozitës Papandreu nuk duket i prirë, që nëse vjen në pushtet, të heqë dorë nga qëndrimi bllokues ndaj Maqedonisë: "Nëse promovohet gjetja e zgjidhjes, nuk ka arsye për veto. Vetoja është që të mundësohet zgjidhja. Po nuk pati zgjidhje, sigurisht që do t’i përmbahemi vetos. Ne ishim që përcaktuam vijën e kuqe, e përkrahëm qeverinë në qëndrimin e saj dhe do të insistojmë në këtë vijë të kuqe," - është shprehur udhëheqësi i opozitës aktuale.

Gjithsesi, PASOK-u e ka akuzuar qeverinë se çështjen e emrit e shndërroi në një përplasje totale me Shkupin, duke ndërprerë çdo kontakt dhe ka thënë që në rast se vjen në pushtet, do të zhvillojë marrëdhënie normale me udhëheqjen e vendit fqinj.

Në tabelën e qitjes elektorale për politikën e jashtme, dy liderët kanë shkëmbyer akuza e kundërkuza, për marrëdhëniet me Rusinë dhe shtetet e Bashkuara, duke u paraqitur secili më vete si promovuesi më i mirë i interesave kombëtare të Greqisë përballë Moskës e Uashingtonit.
Kryeministri Karamanlis ka paraqitur si një nga dy akset kryesore të politikës së jashtme, mbështetjen për integrimin europian të vendeve të rajonit, duke përmendur Kroacinë dhe Shqipërinë, ndërsa lideri i opozitës, Papandreu, ka thënë se objektivi i tij primar është që Greqia të fitojë përsëri reputacionin ndërkombëtar që, sipas tij, kishte në kohën e qeverisjes nga PASOK-u.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>