http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 08 korrik 2009 - 13:18 CET

Ruçi: Zgjedhjet u manipuluan

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi lë të hapur mundësinë e mosnjohjes së rezultatit të zgjehdjeve në shkallë vendi, sepse sikurse thotë, degjenerimi i procesit të numërimit është jo vetëm në Fier, por edhe në qarqe të tjera të Shqipërisë. Duke folur për të ardhmen e kreut të kësaj partie zoti Ruçi thotë se rezultati aktual me gjithë këto shtrembërime 70 me 70, flet për atë që nuk është përgjegjësi e lidershipit të PS.

Ilir Kadia bisedoi me zotin Ruçi dhe fillimisht e pyeti se cili ishte komenti i tij për zvarritjen e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve?

Ruçi: Sigurisht vendimet e këtyre tetë ditëve janë absurditeti më i madh që ndodh në këtë vend, që i thotë vetes një vend anëtar i NATO-s, ku parametrat demokratikë dhe transparenca për rezultatin e zgjedhjeve nuk duhet të kishte dalë jo më vonë se 24 orë. Është një përpjekje e dështuar e marionetave politike të mazhorancës qeverisëse e cila do me çdo kusht të vjedh një mandat të Qarkut të Fierit. Sigurisht, ky mandat është dhënë nga elektorati i këtij qarku dhe duke përdorur të gjithë mekanizmat që përcakton kodi elektoral i Republikës së Shqipërisë, sigurisht ky mandat i përket këtij qarku dhe kësaj force politike dhe ai do të merret. Përpjekjet e këtij komisioni janë të dështuara, por unë do të thosha më shumë sesa fajësia e këtij komisioni janë urdhërat politikë që ky komision merr dhe përgjegjësia politike e kreut të ekzekutivit aktual Sali Berisha.

BBC: Përse për socialistët është kaq i rëndësishëm ky mandat i nëntë në Fier?

Ruçi: Nuk bëhet fjalë për një numër më pak apo më shumë, ky mandat është çështje principale e parametrave demokratike të zgjedhjeve, prandaj dhe forumet e strukturës tonë politike e kanë kushtëzuar këtë mandat si një princip të tillë që është e pafalshme në një vend të demokracisë të vidhet një votë dhe aq më shumë një mandat, e aq më shumë që ky mandat vidhet nga organi kushtetues siç është KQZ e një vendi demokratik.

BBC: Ju keni thënë që nuk do të njihni zgjedhjet në rang vendi, apo vetëm për Fierin nëse nuk e merrni këtë mandat?

Ruçi: Absolutisht bëhet fjalë për rang vendi pasi në këto zgjedhje, degjenerimi i proçesit të numërimit është jo vetëm në Fier, por edhe në shkallë vendi. Kështu mund të numëroja dhe qarqe të tjera siç është qarku i Tiranës, Beratit, Shkodrës, i Dibrës etj.

BBC: Kur do e merrni ju vendimin për rezultatin e zgjedhjeve në shkallë vendi?

Ruçi: Ne po ndjekim hap pas hapi. Proçesi i numërimit nuk është ende as në mes të tij. Nuk ka filluar ende proçesi i ankimimeve pranë KQZ-së, sipas Kodit Elektoral dhe pranë Kolegjit Zgjedhor sipas përsëri këtij kodi.

BBC: Cili është komenti juaj z. Ruçi, si Kryetar i Asamblesë Kombëtare të Socialistëve, për aleancën e shpallur tashmë?

Ruçi: Është një absurditet politik, sigurisht nuk është e papritur për ne, por që vërteton dhe njëherë që u tradhtuan haptazi mbi 73 mijë votues të majtë, të cilët kanë votuar për një alternativë, për një program dhe mbi të gjitha për një qeverisje të majtë në Shqipëri për 4 vitet e ardhshme.

BBC: Çfarë do të bëni ju me kryetarin tuaj pas këtyre zgjedhjeve?

Ruçi: Nuk është koha dhe momenti për të folur për kryetarin tonë. Kryetari jonë dhe forca jonë politike është forcë e parë fituese me vota në Shqipëri, është një forcë politike që ka marrë mbi 75 mijë vota më shumë se në 2005, është një forcë politike që ka fituar në tetë qarqe të Shqipërisë, është një forcë politike që ka marrë mbi 50 mijë vota në kryeqytetin e Shqipërisë, ose 12 mijë vota më shumë se PD. Aktualisht për mua PS nuk është humbëse, por fituese elektorale e këtyre zgjedhjeve, por e përkthyer në mandate dhe në devijimet që kanë bërë institucionet dhe mazhoranca aktuale, kjo nuk është e përkthyer në mandate qeverisëse. Rezultati aktual me gjithë këto shtrembërime 70 me 70, flet për atë që nuk është përgjegjësi e lidershipit të PS.

BBC: Megjithatë, ju e keni të shkruar në statut që në rast të humbjes së zgjedhjeve kryetari jep dorëheqjen?

Ruçi: Sigurisht që e kemi shkruar, por siç komentova më lartë besoj se shifrat flasin më shumë se komentet e fjalëve që zgjedhjet nuk janë të humbura, manipulimet janë të fituara.

BBC: Por në rast se vendoset krijimi i qeverisë së re shqiptare, cili do të jetë qëndrimi i socialistëve ndaj saj?

Ruçi: Është ende herët për të folur për këtë çështje, do t’ia lëmë ditëve. Aktualisht, siç thash, nuk jemi as në mes të proçesit të konkludimit të rezultatit elektoral.