http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 28 maj 2009 - 18:21 CET

Fatos Ahmati
Korrespondenti i BBC-së

Sa do të kushtojnë zgjedhjet?

Fushata për zgjedhjen e parlamentit të ri më 28 qershor të këtij viti ka vënë në lëvizje edhe burimet financiare shtetërore, por edhe ato partiake.

Një ligj i miratuar së fundmi nga parlamenti shqiptar parashikon një fond prej rreth 66 milionë lekë nga buxheti i shtetit që u ndahet partive politike që marrin pjesë në këto zgjedhje.

Sipas specialistëve, kjo shumë është vetëm një e dhjeta e shpenzimeve të fushatës. Sipas tyre, shuma mund të jetë rreth 720 milionë lekë, rreth 5.5 milionë euro.

Po a janë këto fonde të mjaftueshme?

Deputeti i PD-së, Blerim Çela njëkohësisht dhe kryefinancieri i saj thotë se këto fonde janë shumë të pakta:

"Në kushtet që janë krijuar sot në Shqipëri për problemet zgjedhore, ku lufta politike është shumë e ashpër, kërkohen kaq shumë para sa këto fonde që jep buxheti shtetit janë të pamjaftueshme. Jo vetëm për ne si parti, por për të gjitha partitë politike," thotë zoti Çela.

Edhe për nënkryetarin e grupit parlamentar socialist Erion Braçe me një shumë të tillë mund të realizohet një fushatë shumë modeste:

"Natyrisht që një shumë prej 120 mijë dollarë janë shumë pak për të përballuar një fushatë elektorale në gjithë territorin e vendit në 12 qarqe që tani janë konturuar dhe si zona elektorale. Kjo shumë është fare minimale," shprehet zoti Braçe.

Por si ia dalin partitë politike që të sigurojnë fonde për fushatat zgjedhore?

Ligji shqiptar u lejon atyre të përfitojnë dhurata të ndryshme, por sipas nenit 89 të Kodit Zgjedhor, shumat e dhuruara nuk mund të jenë më të mëdha se 1 milionë lekë. Po ky nen ndalon dhënien e fondeve nga persona juridikë apo aksionerë të shoqërive që kanë përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione gjatë dy viteve të fundit në vlerën mbi 10 milionë lekë.

Pavarësisht nga kjo, përkrahësit dhe simpatizantët e partive politike nuk ngurojnë t'i mbështesin ato. Blerim Çela i PD-s thotë: Ne gjithmonë mundohemi të krijojmë fonde ashtu siç janë të përcaktuara në ligj dhe burimet e financimit janë buxheti shtetit, kuotat e anetarësisë, sponsorizimet e militantëve deri në 1 milion lekë të reja. Këto janë 3 burimet themelore."

Thirrje për mbështetje bëjnë edhe socialistët. Erion Braçe thotë: "Natyrisht që ne po mundohemi dhe po kërkojmë burime të tjera financimi, në radhë të parë tek ata që mbështesin politikën tonë, tek qytetarët, duke kërkuar prej tyre çfarëdolloj donacioni qoftë edhe minimal, sepse duke mbledhur dhe ato qindarka mund të bëhet punë e mirë, mjaftojnë që ato të vijnë nga burime legale. "

Ndërkaq, Kodi i ri Zgjedhor kërkon që çdo subjekt zgjedhor të bëjë publike listën e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë.

Erion Braçe i PS-së thotë se në fushatën e kaluar ai shpenzoi rreth 10 mijë euro: "Pjesa më e madhe e tyre u përdoren për postera, bluza, fletëpalosje të cilat iu ndanë njerëzve dorë më dorë, kurse pjesa tjetër u përdor pas zgjedhjeve, për shkak se unë fitova, u përdorën për të organizuar disa takime koktej për të falenderuar gjithë ata që u angazhuan në fushatën time personale në emër të PS."

Ndërsa po për këtë Blerim Çela i PD-së shprehet: "Mua me thënë të drejtën me çfarë më kanë sponsorizuar njerëzit ka shkuar 480 mijë lekë të reja."

Çështja e financimeve dhe e deklarimit të tyre vazhdimisht ka qenë në vëmendje të debateve partiake. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 ishin demokratët që akuzonin socialistët se po shfrytëzonin qënien e tyre në qeveri për të realizuar një fushatë të kushtueshme, ndërsa tani është e kundërta.

Braçe: Përballë nesh është një makineri e tërë që po përdor taksat e shqiptarëve dhe që reklamon përmes një përmbajtje thellësisht politike dhe partiake, idetë e saj elektorale dhe kjo është PD, por që po e bën këtë gjë nën siglën e Këshillit të Ministrave.

Çela: Kështu i kemi akuzuar dhe ne socialistët kur ishin në qeveri që bëjnë fushatë të kushtueshme. Neve do bëjmë fushatë aq sa na përcakton ligji.

Në fushatat e kaluara, veçanërisht atë të zgjedhjeve lokale të 2007, pati polemika të shumta edhe lidhur me deklarimin e financimit të partive. Opozita socialiste ka akuzuar qeverinë e djathtë se nuk ka bërë transparente fondet.

Braçe: Ne i kemi dorëzuar në KQZ bilancet tona për zgjedhjet e vitit 2005, ashtu siç kemi dorëzuar në KQZ dhe bilancet për zgjedhjet vendore të vitit 2007. Kam përshtypjen se e gjithë kjo gjë ngatërrohet me atë që PD nuk bëri në zgjedhjet e 2007.

Por Blerim Çela i PD-së kërkon të provojë të kundërtën:

Çela: Përgjigjja ime është që në radhë të parë, vetë socialistët nuk janë transparentë. Në radhë të dytë, gjithçka që është bërë në drejtim të burimeve dhe shpenzimeve të fondeve është raportuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. PS meqë pati këto vërejtje, bëri një padi ose nxiti Prokurorinë e cila erdhi dhe kontrolloi dokumentat kontabël dhe nuk gjeti asnjë shkelje.

Ndërkaq, eksperti i fushatave zgjedhore, Alban Bala mendon se këtë radhë ka shumë mundësi që shpenzimet elektorale në përgjithësi të jenë më të pakta.

Sipas zotit Bala si shkak mund të shërbejë sistemi zgjedhor proporcional rajonal që do të aplikohet në votimet e 28 qershorit.

"Unë kam bindjen që kjo fushatë elektorale sigurisht do të jetë e kushtueshme siç kanë qenë përgjithësisht fushatat në Shqipëri përballë dhe standartit të jetesës së vendit, por megjithatë mendoj që kjo fushatë në tërësinë e saj do të jetë më pak e kushtueshme në krahasim me fushatat e mëparshme. Kjo për arsyen e thjeshte së në përgjithësi në këtë fushatë nuk do të ketë mbivendosje të investimit për imazhin duke qenë që nuk kemi kandidatë të cilët përpiqen në mënyrë individuale dhe në të njëjtën kohë të korporuar për të strukturuar një imazh publik," thotë zoti Bala.

Fushata zgjedhore po intensifikohet duke bërë që të rriten nevojat për burime financiare.

Ndërkohë, pranë dy partive kryesore thonë se është ende herët të flitet për faturat e tyre. Të dy palët thonë se shifrat do të jenë të larta.

Nëse iu referohemi shifrave të publikuara dhe mundësive që u jep ligji partive politike për të përfituar nga burimt e tjera, përllogaritet që fushata zgjedhore të kushtojë rreth 720 milionë lekë, ose rreth 5.5 milionë euro.

Sidoqoftë, le të presim fundin e fushatës e të zgjedhjeve për të mësuar se sa ka kushtuar ajo.