BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 26 qershor 2009 - 17:13 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Zgjedhjet e përgjithshme 2009 në Shqipëri
 

 
 
Zgjedhjet në Shqipëri
Zgjedhje mbahen për një parlament të ri
Zgjedhjet e përgjithshme politike të 28 qershorit janë të shtatat që zhvillohen në Shqipëri që nga vendosja e sistemit të pluralizmit politik (1991).

Që nga ajo kohë, tri herë ka fituar e majta dhe tri herë e djathta. Zgjedhje të parakohshme janë mbajtur në vitin 1992, me fitoren e PD dhe në vitin 1997, me fitoren e PS.

Zgjedhjet do të nxjerrin 140 deputetë, por për herë të parë, ata do të zgjidhen me sistem proporcional-rajonal.

Vendi është ndarë në 12 rajone dhe votat do të llogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit rajon.

Të regjistruar si subjekte elektorale janë 34 parti dhe nje subjekt i pavarur.

Sistemi proporcional favorizon bashkimin e partive në koalicione. Prandaj janë krijuar 4 koalicione: Aleanca për Ndryshimi, e drejtuar nga PD e kryeministrit Sali Berisha; Bashkimi për Ndryshim, drejtuar nga PS, me kryetar Edi Ramën; Aleanca Socialiste për Integrim, drejtuar nga LSI me kryetar Ilir Metën dhe Poli i Lirisë, drejtuar nga LZHK me kryetar Dashamir Shehin.

 Janë krijuar 4 koalicione: Aleanca për Ndryshim me 17 parti, e drejtuar nga PD. Bashkimi për Ndryshim me 5 parti, drejtuar nga PS. Aleanca Socialiste për Integrim, drejtuar nga LSI. Poli i Lirisë me 6 parti, drejtuar nga LZHK.
 

Rajoni i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve (32), kurse ai i Kukësit, numrin më të vogël, 4 deputetë.

Kodi i ri elektoral i miratuar në fund të vitit 2008 ka përcaktuar se 30% e numrit të kandidatëve të secilës forcë politike në garë duhet të përbëhet nga gra.

Në vështirësi për ta arritur këtë shifër, PD dhe PS u detyruan në kufirin kohor të ligjit që të shtonin në mënyrë të paparashikuar dhe fiktive emrat në listat respektive. PD konkuron me 144 kandidatë, kurse PS me 143 kandidatë.

Zgjedhjet administrohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe 66 komisione të zonave zgjedhore.

Në të gjithë vendin do të ngrihen 4800 qendra votimi. Votat do të numërohen në 66 qendra të numërimit të votive.

Fushata zgjedhore po vëzhgohet nga një ekip me 26 vetë, pjesëtarë të misionit afatgjatë të ODIHR-t, që ka filluar punë që nga data 8 maj.

Rreth 400 vëzhgues afatshkurtër pritet të mbërrijnë afër ditës së zgjedhjeve për të ndjekur votimet në të gjithë vendin.

Për zgjedhjet e 28 qershorit janë rregjistruar 3.1 milion votues, bazuar në rregjistrin kombëtar elektronik i cili u pastrua nga pasaktësitë disa muaj para zgjedhjeve.

Zgjedhësit mund të votojnë vetëm duke paraqitur pasaportën ose letërnjoftimin e ri elektronik.

 
 
TË JASHTME
BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të jashtme të internetit
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>