BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 20 maj 2009 - 13:49 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Katër koalicione garojnë më 28 qershor
 

 
 
Tirana
Në Shqipëri, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka bërë të njohur emrat e koalicioneve dhe partive që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 qeshorit.

Sipas KQZ-së, janë 45 subjekte do të konkurojnë në zgjedhjet, një numër më i vogël nga ai i zgjedhjeve të vitit 2005, ku morën pjesë 57 parti.

Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2005, në zgjedhjet e këtij viti aplikimi i një sistemi të ri votimi, atij proporcional rajonal, ka bërë që partitë të grupohen në koalicione.

Pa dyshim, zgjedhjet e këtij viti mund të konsiderohen si ballafaqim koalicionesh si nga e majta ashtu dhe e djathta e politikës shqiptare.

Koalicioni më i madh përsa i përket numrit të pjesëtarëve është ai i së djathtës i udhëhequr nga Partia Demokratike. Rreth saj janë mbledhur 17 parti, të cilat do të garojnë nën siglën “Aleanca për Ndryshim”.

I dyti vjen “Poli i Lirisë”, po nga e djathta e politikës që përbëhet nga gjashtë parti.

Në të majtë janë Bashkimi për Ndryshim i udhëhequr nga Partia Socialiste, më e madhja në opozitë, ku janë mbledhur edhe katër parti të tjera, përfshirë dhe PBDNJ-në që u largua pak ditë më parë nga koalicioni i djathtë.

Një tjetër koalicion i majtë është dhe ai i Aleancës Socialiste për Integrim i cili mbledh rreth LSI-së katër forca të majta politike.

Cila është arsyeja përse shumica e partive shqiptare kanë synuar të krijojnë koalicione?

Sipas specialistëve, sistemi i ri zgjedhor që do të aplikohet, ai rajonal proporcional, duket se e bën të nevojshëm grupimin në aleanca.

Këtë e ka parashikuar edhe Kodi Zgjedhor, sipas të cilit koalicionet marrin një rol të rëndësishëm.

Politologu Ermal Hasimja vë në dukje se me krijimin e aleancave, partitë synojnë gjithashtu të tërheqin sa më shumë zgjedhësit e pavendosur.

"Kjo strategji është e natyrshme për aq kohë sa partitë përpiqen të kapin jo thjesht elektoratin e vet, por një lloj elektorati pak më fluid, elektoratin 'gri' që quhet herë pas here, dhe për ta bërë këtë kanë nevojë të dalin pak nga ato istikamet e tyre tradicionale, ideologjike dhe të përpiqen të kapin dhe pjesë të tjera të elektoratit. Në disa raste është dhe çështje thjesht imazhi, strategji elektorale sepse përpiqen të krijojnë atë imazhin e koalicionit pak më të gjerë," thotë zoti Hasimja.

Kjo vërtetohet dhe nga fakti që disa parti që përfshihen në këto koalicione, janë pa ndonjë peshë elektorale specifike, por janë aty thjesht për të dëshmuar që ekziston një lloj koalicioni.

Pjesa tjetër e arsyetimit lidhet me këtë lloj përpjekje të një partie e cila aktualisht, ashtu siç janë ndarë votat në Shqipëri, nuk mund të fitojë e vetme zgjedhjet.

Ajo që është risi dhe e rëndësishme në Shqipëri është që këto lloj koalicionesh janë ndërtuar përtej ndarjeve klasike të pretenduara "biologjike", gjë që bën që të kemi parti të majta që garojnë djathtas dhe e kundërta ose parti që ndërrojnë krahun si PBDNJ në rastin e fundit.

Pesha e partisë

Në përfundim të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, falë sistemit zgjedhor maxhoritar të korrektuar si dhe aleancave mes grupimeve politike, disa parti të quajtura të vogla si PR dhe PSD, morën më shumë vota nga zgjedhësit se dy partitë e mëdha, PD dhe PS, por numri i deputetëve të tyre në parlament ishte shumë i vogël.

Kjo ndodhi për shkak se duke aplikuar sistemin mazhoritar të korrektuar, zgjedhësit votuan për deputetin si dhe partinë që preferonin.

Si do të jenë këto raporte në kushtet e votimit proporcional rajonal, a do të tregojë ai peshën reale të çdo partie?

Politologu Hasimja mendon se aplikimi i sistemit proporcional rajonal do të tregojë mbështetjen reale të elektoratit ndaj partive:

"Për aq kohë sa partitë janë brenda një koalicioni, shifrat kanë prirje që të shkojnë drejt mbështetjes reale që kanë partitë. Në vitin 2005, ajo që ndodhi është që praktikisht partitë e mëdha futën në listën e partive të vogla anëtarë të tyre gjë, që bëri që dhe këto parti të vogla realisht mos të kishin numër më të madh, pavarësisht se kishin më tepër vota për shkak të sistemit të atëhershëm.

Një proçes i tillë, kuptohet me forma të ndryshme, do të ndodhë edhe brenda koalicioneve në garën elektorale të 2009, që do të thotë që pesha elektorale e partive nuk do të ndryshojë realisht, por duhet të kemi parasysh që me sistemin e ri balancat janë shumë më të ndjeshme ndaj ndryshimeve të vogla sesa ato të mëparshme, është vetë sistemi i cili kërkon një lloj stabiliteti më të qëndrueshëm të sigurtë brenda vetë koalicionit," thotë zoti Hasimja.

Ekonomizimi i votës

Pas zgjedhjeve parlamentare të 2005 për shumë kohë ka vazhduar debati rreth ekonomizimit të votave.

Në atë kohë për shkak të sistemit të votimit, por edhe çarjes brenda partive të majta, ndonëse mori rreth 160 mijë vota më shumë, e majta u detyrua t’ja lërë vendin të djathtës në pushtet, e cila me më pak vota kishte siguruar më shumë deputetë.

Po tani në kushet e aplikimit të votimit proporcional rajonal, sa gjasa ka të përsëritet një situatë e tillë?

Zoti Hasimja thotë se është më e vështirë që kjo të ndodhë në 2009:

"Në 2009, elementi propocional do të jetë shumë i rëndësishëm dhe në këtë rast përputhen edhe prirjet e votës në përgjithësi edhe me vetë sistemin...I vetmi devijim që bëhet është devijimi që nuk bëhet me njerin apo tjetrin nga kampet, por që bëhet në raport me partitë e vogla që do garojnë jashtë koalicioneve të mëdha dhe që janë të pafavorizuara në njëfarë mënyre. Ky është i vetmi ndryshim që do ndodhë, por ky sistem është e qartë është më i saktë se sistemi i mëparshëm në përkthimin e prirjeve elektorale të votuesve," thotë zoti Hasimja.

Në përfundim të ballafaqimit elektoral, në parlament do të hyjnë vetëm partitë që duke garuar të vetme kanë marrë mbi tre për qind të votave të elektoratit, ndërsa koalicionet do të duhet të marrin mbi 5 për qind të votave.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>