BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 12 maj 2009 - 17:43 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Mosmarrëveshje për drejtuesen e ODIHR
 
Logo e ODIHR-it
Logo e ODIHR-it
Misioni i OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve , ODIHR, thotë se qeveria shqiptare ka kundërshtuar caktimin e ambasadores Audrey Glover si kryetare të misionit vëzhgues ndërkombëtar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

Zëdhënësi i ODHIR-it, Jens-Hagen Eschenbaecher tha në një intervistë për BBC-në në shqip se "qeveria shqiptare ka kundërshtuar emërimin tonë të kryetares së misionit vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri."

Ilir Nishku bisedoi me zotin Jens-Hagen Eschenbaecher:

 Siç dihet tani qeveria shqiptare ka kundërshtuar emërimin tonë për kryetaren e misionit vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri.
 
Zëdhënësi i ODIHR-it

BBC: ODIHR-i ka vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri që në vitin 1996. Tani Shqipëria është anëtare e NATO-s, a ndryshon kjo ndonjë gjë në natyrën e misionit?

Jens-Hagen Eschenbaecher: Jo. Nuk ndryshon. Baza e vëzhgimit tonë është angazhimi i OSBE-së për të cilin ka rënë dakord çdo vend, të gjitha vendet anëtare të OSBE-së, përfshirë Shqipërinë. Ne vëzhgojmë zgjedhje në të gjithë OSBE-në dhe rajonin e tij dhe anëtarësia në çfarëdo organizate rajonale nuk ndryshon metodologjinë tonë.

BBC: Cili do të jetë misioni i ODIHR-it për zgjedhjet shqiptare, asistencë, vëzhgim?

Jens-Hagen Eschenbaecher: Ky është një mision standard vëzhgues siç dërgojmë në shumë vende të tjera të OSBE-së. Ka një ekip bazë ekspertësh për zgjedhjet që është tashmë në vend. Do të ketë vëzhgues afatgjatë që do të vijnë së shpejti në Shqipëri dhe në ditën e zgjedhjeve ne do të kemi një numër të madh vëzhguesish afatshkurtër. Vëzhguesit do të ndjekin të gjithë procesin e zgjedhjeve para ditës së zgjedhjeve, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas ditës së zgjedhjeve.

BBC: Sa vëzhgues planifikoni të dërgoni për ditën e zgjedhjeve?

Jens-Hagen Eschenbaecher: Gjithë-gjithë ne shpresojmë të dislokojmë më shumë se 400 vëzhgues. Ne kemi kërkuar 400 vëzhgues afatshkurtër përveç ekspertëve dhe vëzhguesve afatgjatë që do të jenë në terren. Vëzhguesit afatshkurtër do të na dërgohen nga vendet anëtare të OSBE-së dhe asnjëherë nuk e dijmë se sa do të vijnë, por ne kemi kërkuar 400 syresh.

BBC: A po bashkëpunojnë autoritetet shqiptare me misionin e ODIHR-it në Shqipëri, a ka ndonjë pengesë?

Jens-Hagen Eschenbaecher: Ne deri tani nuk kemi mundur të takohemi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Misioni është takuar me palët e tjera të interesuara në proces. Ne shpresojmë që misioni do të mundet të kryejë punën e tij siç ka marrë mandatin nga vendet anëtare të OSBE-së.

BBC: Pse nuk jeni takuar ende me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve?

Jens-Hagen Eschenbaecher: Takimi u anulua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

BBC: A ka ndonjë problem këtu?

 Nëse qeverive do t'u jepej roli për të zgjedhur vëzhguesit, kjo, sigurisht, do të thoshte fundi i vëzhgimit të paanshëm të zgjedhjeve.
 
Zëdhënësi i ODIHR-it

Jens-Hagen Eschenbaecher: Siç dihet tani qeveria shqiptare ka kundërshtuar emërimin tonë për kryetaren e misionit vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri.

BBC: A ka të bëjë kjo me zonjë Audrey Glover që është kreu i misionit të ODIHR-it në Shqipëri?

Jens-Hagen Eschenbaecher: Po ashtu është.

BBC: A e dini pse e kundërshtojnë. A ka të bëjë kjo me atë se zonja Glover ka qenë kryetare e ODIHR-it gjatë zgjedhjeve të vitit 1996 në Shqipëri?

Jens-Hagen Eschenbaecher: Kjo është arsyeja që është dhënë. Ky nuk është hapi i duhur. Qeveritë nuk kanë rol në emërimin dhe përzgjedhjen e kryetarëve të misioneve vëzhguese të ODIHR-it. Kjo është vetëm përgjegjësi e ODIHR-it. Është përgjegjësia e qeverive të organizojnë zgjedhje dhe është përgjegjësi e ODIHR-it për t'i vëzhguar ato. Dhe ka një arsye të mirë për këtë praktikë standarde. Nëse qeverive do t'u jepej roli për të zgjedhur vëzhguesit, kjo, sigurisht, do të thoshte fundi i vëzhgimit të paanshëm të zgjedhjeve.

BBC: Nëse qeveria shqiptare e kundërshton zonjën Glover, a ka ndonjë mundësi që ju mund ta ndryshoni kreun e misionit tuaj në Shqipëri?

Jens-Hagen Eschenbaecher: E përsëris, është përgjegjësia jonë që të monitorojmë zgjedhjet, të ngrejmë një mision profesionist vëzhgimi të zgjedhjeve. Ambasadorja Glover është një profesioniste me shumë përvojë për zgjedhjet, ka një përvojë të gjatë në kryesimin e misioneve të vëzhgimit të ODIHR-it në të gjithë rajonin e vendeve të OSBE-së. Kohët e fundit ajo ka qenë kryetare e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve në SHBA, për zgjedhjet presidenciale. Ne nuk kemi asnjë arsye për të vënë në dyshim cilësitë e saj të jashtëzakonshme për këtë detyrë që ajo ka dhënë prova se e ka kryer shumë herë prandaj ne nuk do ta ndryshojmë pozicionin lidhur me këtë.

BBC: Cili është mendimi i ODIHR-it për procesin deri tani? A ekzistojnë kushtet e duhura për të pasur zgjedhje të lira dhe të drejta në Shqipëri?

Jens-Hagen Eschenbaecher: Për sa i përket këtij procesi zgjedhjesh është ende herët të flasim. Ne kemi qenë në terren për vetëm një javë deri tani. Siç e thashë, ne kemi ekspertët tanë të zgjedhjeve në terren tashmë dhe ne kemi filluar vëzhgimin tonë. Do të ketë një raport interim për vëzhgimet tona së shpejti dhe pas kësaj ne shpresojmë të kemi mundësi të konsultohemi me të gjitha palët e interesuara në këtë proces zgjedhjesh, para zgjedhjeve, për të qenë të aftë për të krijuar një vlerësim të gjithanshëm dhe objektiv për këtë proces zgjedhor.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>