http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 17 mars 2009 - 09:27 CET

Caktohet buxheti për zgjedhjet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar në Tiranë koston financiare të votimeve të 28 qershorit. Konvertuar në dollarë amerikanë këto votime do të kushtojnë afro 7 milion dollarë ose rreth dy dollarë për zgjedhës.

Buxheti i zgjedhjeve u votua nga votat pro të shtatë anëtarëve të KQZ-së. Ai vlerësohet të jetë më i ulët se ai për votimet lokale të 2007-tës dhe buxheti për votimet e përgjithshme politike të 2005-sës.

Vlefta e një fletëvotimi është llogaritur afro 10 centë ndërsa shpenzimet për shpërblimin e afro 40 mijë komisionerëve janë një e treta e shpenzimeve.

Në votimet e 28 qershorit për herë të parë procesi i numërimit të votave do të vëzhgohet nga 385 kamera, kostoja e të cilave vlerësohet se rriti koston e votimeve.

Përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit po monitorohen hap pas hapi nga ndërkombëtarët. Një grup vëzhguesish të OSBE- ODHIR- mbërriti të hënën në Tiranë dhe pritet të zhvillojnë takime me përfaqsuesit më të lartë të shtetit dhe opozitës.