http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 29 shtator 2008 - 11:53 CET

KESH në procesin e privatizimit

Në Tiranë fillon të martën publikisht procesi i shitjes së një pjese të Korporatës Elektro-energjitike Shqiptare. Fjala është për hapjen e ofertave teknike të kompanive të interesuara për blerjen e operatorit të sistemit të shpërndarjes, i njohur si OSSH.

Në bashkëpunim me Bankën Botërore, Ministria e Ekonomisë ka përzgjedhur deri në këtë fazë katër kompani, dy austriake, një italiane dhe një çeke. Burime nga Ministria e Ekonomisë i thanë BBC-së se të martën do të publikohet vetëm pjesa teknike e ofertës së kompanive, ndërsa në një fazë tjetër do të hapet dhe shqyrtohet edhe oferta financiare.

Privatizimi i Korporatës Elektro-energjitike është ndër sfidat më të vështira për qeverinë shqiptare për vetë rëndësinë e këtij sektori që gjendet në krizë prej dy dekadash.

Ministri i ekonomisë, Genc Ruli ka thënë se për të ardhur deri në këtë fazë është dashur një punë e gjatë dhe intensive.

"Procesi në vetvete ka qenë një proces i gjatë, një proces i zhvilluar në formën më publike dhe më transparente, do të thoja, një punë madhore tepër intensive. Është zhvilluar për gati më shumë se një vit", ka thënë ministri i ekonomisë, Genc Ruli.