http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 06 mars 2008 - 09:05 CET

Sllovenia njeh Kosovën e pavarur

Sllovenia si kryesuese e rradhës e Bashkimit Evropian, njohu të mërkurën në mbrëmje pavarësinë e Kosovës.

Vendimi është marrë në një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit të Sllovenisë, ku shumica e deputetëve kanë votuar që Lubjana të njohë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Sllovenia është shteti i parë i ish federatës jugosllave që njeh pavarësinë e Kosovës, më shumë se dy javë pas shpalljes së saj.

Shefi i zyrës sllovene në Prishtinë, Vojko Volk, i dorëzon të enjten presidentit dhe kryeministrit të Kosovës letrat kredenciale të Sllovenisë për njohjen e pavarësisë dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Notë proteste

Beogradi i ka dërguar një note proteste Sllovenisë dhe ka udhëruar ambasadorin serb që brenda 48 orësh të tërhiqet nga Lubjana.

Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel, ka deklaruar se i kupton ndjenjat e Serbisë dhe të serbëve që jetojnë në Slloveni, por ka theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Sllovenisë nuk duhet shikuar si një veprim kundër Serbisë.

Ai ka thënë se vendimi i Lubjanës zyrtare është në përputhje me politikën e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë edhe Islanda ka njohur të mërkurën pavarësinë e Kosovës.