http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 04 mars 2008 - 10:34 CET

Serbët braktisin institucionet

Disa qindra serbë të rajonit të tri komunave më shumicë serbe në veri të Kosovës kanë ndërprerë komunikacionin hekurudhor të kësaj pjesë më pjesën tjetër të Kosovës, më arsyetimin se nuk duan të bashkëpunojnë më Kosovën, të cilën ata e konisderojnë kuazi shtet.

Njoftohet se të hënën në Zveçan ishin mbledhur disa qindra qytetarë, në mesin e të cilëve edhe punëtorët serb të hekurudhave të Kosovës, të cilët kanë ndaluar trenat që qarkullonin për në pjesën qëndrore të Kosovës.

Korrespondenti i BBC-së thotë se ngjarja ka përkuar edhe me vizitën që këtij vendbanimi i ka bërë, këshilltari i kryeministrit serb dhe njëkohësisht kryetar i këshillit drejtues të ndërmarrjes publike Hekurudhat e Serbisë, Branisllav Ristivojeviq.

Ai u ka deklaruar mediave serbe se komunikacioni hekurudhor në këtë pjesë do të rivendoset, pasi të jetë konstatuar se hekurudha përmbush kushtet e sigurisë, kjo sipas standardeve të hekurudhave të Serbisë.

"Ne gjatë disa ditëve të ardhshme, meqë në nuk kemi patur pushtet në këtë pjesë tash e nëntë vjet, urgjentisht do t'i bëjmë një kontroll hekurudhës, dhe nëse konstatohet se i plotëson standardet e hekurudhave të Serbise, atëherë komunikacioni do të rivendoset pa asnjë problem,"- është shprehur z.Ristivojeviq.

Në fakt, autoritetet serbë kanë deklaruar se që nga e hëna për hekurudhat në pjesën veriore të Kosovës do të kujdesen hekurudhat e Serbisë.

Mirëpo, nga Prishtina ka ardhur një përgjigje e kundërt: Kjo nuk do të ndodhë!- ka deklaruar drejtori i hekurudhave te Kosoves Xhevat Ramosaj.

Ai ka kërkuar nga Ministria e Transportit, nga KFOR-i dhe UNMIK-u që të zhbllokohet qarkullimi i trenave në këtë pjesë dhe të mos lejojnë hyrjen në Kosovë as të trenave nga Serbia, derisa të mos sqarohet situata me hekurudhat në veri.

Fushata për shkëputjen e të gjitha lidhjeve të komunitetit serb me insitucionet e Kosovës, ka vazhduar edhe në sfera të tjera.

Policët serbë që kanë braktisur punën në rajonin e Gjilanit, të Mitrovicës dhe në Graçanicë, kanë vazhduar protestat para stacioneve të policisë.

Ata i kanë dorëzuar armët dhe shenjat, meqë kishin refuzuar të zbatonin urdhërat e Shërbimit Policor të Kosovës.

Se cili do të jetë fati i tyre, deklarojnë në Komandën qëndrore të policisë në Prishtinë, do të vendosë inspektorati i policisë.

Edhe kisha shkëput lidhjet

Në kuadër të asaj që cilësohet fushatë e bojkotimit të Kosovës së pavarur, kanë protestuar edhe punëtorët serbë të gjyqësisë në Mitrovicë, kurse kreu i Kishës serbe në Kosovë, Vlladika Artemije, e ka urdhëruar klerin e kishës ortodokse që të shkëpusë të gjitha kontaktet më institucionet e Kosovës, më UNMIK-un dhe më të gjitha vendet që kanë njohur pavarësinë ë Kosovës.

Mos respektimi i këtij urdhëri, në çfarëdo forme, do të sanksionohet rëndë, thuhet në urdhëresën e kreut të Kishës serbe në Kosovë.

Ndërkohë, Andreja Mlladenoviq, zëdhënës i Partisë së kryeministrit serb Koshtunica, ka thënë se interesi më i lartë kombëtar i Serbisë në këtë moment është ruajtja e unitetit të politikës serbe rreth Kosovës.

"Na duhet ta përsërisim qartë edhe një herë se Serbia dëshiron dhe mundet të integrohet në Bashkimin Evropian, por si shtet i plotë, me pjesën e saj përbërëse, krahinën e saj të jugut, me Kosovën dhe Metohinë".

Përfaqësuesi i partisë së kryeministrit Koshtunica, këto komente i ka bërë pas akuzave të partnerëve të koalicionit, se partia Demokratike e Serbisë i ka shkelur pesë parimet për krijimin e qeverisë.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka ftuar serbët e Kosovës që t'i kthehen jetës normale dhe të integrohen në institucionet e saj, sepse Kosova është e të gjithëve,- ka thënë ai.

Presidenti ka akuzuar Beogradin se po manipulon serbët e Kosovës.

Këto komente zoti Sejdiu i bëri pas takimit me shefin e Zyrës Zvicerane në Prishtinë, Lukas Beglinger, i cili paraqiti letrat kredenciale për njohjen e shtetit të Kosovës nga Zvicra.