BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 12 mars 2008 - 11:15 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Hapet konkurs për himnin e Kosovës
 

 
 
Skulptura New born
Himni duhet të përputhet me parimet e planit Ahtisari
Të mërkurën hapet zyrtarisht konkursi për himnin e Kosovës.

Simbolet shtetërore të Kosovës, flamuri dhe stema, jane dy veprimet e para të Kosovës shtet.

E treta në radhë mbetet himni.

Në fakt që prej disa vjetësh shqiptarët e Kosovës kanë filluar të ndërtojnë atë që cilësohët identitet i tyre politik e shtetëror dhe kjo ka nënkuptuar që entiteti politik i Kosovës të kishte edhe simbolet shtetërore edhe kushtetutën.

Së bashku me aktin e shpalljes së pavarësisë së vendit, Kuvendi në Prishtinë më 17 shkurt të këtij viti ka miratuar flamurin dhe stemën, të cilat kanë dalë si rezultat i një konkursi ku kanë marrë pjesë mijëra kandidatë dhe propozime.

Në fakt komisioni i krijuar për përzgjedhjen e flamurit dhe të stemës, kishte përpiluar një listë me pesë propozime. Burime brenda këtij komisioni kanë thënë se për flamurin dhe stemën është përzgjedhur propozimi i pestë, me gjasë sepse ky propozim ishte konsideruar më i pranueshmi edhe për komunitetet e tjera, sepse nuk ka asgjë të përbashkët më flamurin aktual të Shqipërisë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të fushatës së tij pas shpalljes së pavarësisë, e ka shpalosur flamurin e Kosovës edhe në vendbanimet shqiptare edhe në ato serbe, por këta të fundit akoma nuk kanë treguar shenja se këtë flamur do ta konsiderojnë si shenjë të tyre, sado që në komisionin për përzgjedhjen e tij, ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i komunitetit serb.

Randjel Nojkiq, njëri prej liderëve serbë, thotë se simbolet e Kosovës nuk mund të miratoheshin në kuvend, sepse kjo kapërcen kompetencat e tij dhe se për flamurin, stemën dhe himnin do të duhej të kishte një debat publik në mënyrë që të gjithë, përfshirë edhe serbët e Kosovës, të jepnin vlerësimin e tyre.

Për më shumë se 40 vjet shqiptarët e Kosovës janë ngritur në këmbë kur është konduar himni "Hej Slloveni".

Himni jugosllav është luajtur për herë të fundit në vitin 2005-2006.

Më pas të gjithë popujt e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu edhe serbët, kanë hequr dorë prej tij

Që nga viti 1990 shqitarët e Kosovës në të gjitha rastet dhe në të gjitha festat kanë përdorur himnin dhe flamurin e Shqipërsë, të cilët i kanë konsideruar gjithmonë simbole të tyre.

Ibrahim Rugova, i cilësuar si lideri historik i shqiptarëve të Kosovës, për të parën herë pati dizajnuar edhe flamurin edhe himnin të cilët sipas tij do të ishin simbolet e shtetit të ardhshëm të Kosovës, "Flamuri i Dradanisë" dhe himni "Kur ka ra kushtrimi në Kosovë".

Mirëpo ky propozim i ish-presidentit Rugova, nuk pati gjetur mbështetje as brenda vetë subjektit politik shqiptar të Kosovës. Megjithëse ishte bërë pothuajse e zakonshme që në festa të ndryshme të vendoseshin edhe flamuri i ish-presidentit Rugova, apo të intonohej himni 'Kur ka ra kushtrimi në Kosovë', kjo pati shkatuar reagimin e fortë të kundërshtarëve të tij politikë, të cilët në fund të vitit 2006, e dogjën dhe e përdhosën këtë flamur.

Sidoqoftë u deshën të kalojnë shumë vitë dhe të zhvillohen shumë procese që Kosova të ketë flamurin e saj.

Të mërkurën ajo ka shpallur konkurs zyrtar edhe për himnin e vet.

Cili do të jëtë himni i Kosovës? Do të jetë himn vetëm me muzikë apo edhe me fjalë? Çfarë do të shkruhet aty, ose cilat do të jenë motivet e muzikës së himnit të Kosovës?

Këto janë vetëm disa pyetje të cilat tash për tash nuk kanë përgjigje.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se edhe himni do të jetë në përputhje me dokumentin e presidentit Ahtisaari.

Domethënë, himni do të duhet të jetë evropian dhe të mos ketë elementë kombëtar të ndonjë populli të caktuar në Kosovë, apo të mos jetë i ngjashëm me ndonjë himn tjetër.

Naim Maloku, anëtar i kryesisë së Kuvendit ka deklaruar se konkursi do të zgjasë 20 ditë dhe se Kosova shumë shpejt do ta ketë himnin e saj shtetëror.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>