http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 26 shkurt 2008 - 10:18 CET

Arbër Vllahiu
Korrespondent i BBC-së në Prishtinë

Prishtina zyrtare për vizitën e ministrit serb

Autoritetet në Prishtinë thonë se qëndrimi i Beogradit zyrtar ndaj Kosovës vazhdon të jetë kërcënues, megjithëse pohojnë se gjendja është nën kontroll të plotë.

Në një intervistë dhënë BBC-së, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, e ka cilësuar si provokim vizitën e fundit të ministrit serb Slobodan Samarxhiq në Kosovë dhe e ka akuzuar Beogradin për nxitje të dhunës

Hajredin Kuqi: Fatkeqësisht, qeveria e Beogradit ende nuk po e kupton se 17 shkurti ka ndryshuar pozitën juridike dhe politike të Kosovës.

Ndoshta me disa veprime jo vetëm që nuk po ndikon në qetësimin e situatës, por po e provokon atë.

Sido që të jetë, qeveria e Kosovës, nuk është e interesuar që të krijojë tensione të reja por të normalizojë marrëdhëniet në tërësi.

BBC: Si do ta bëni normalizimin e situatës. Cilat do të jenë hapat që ju do të kërkoni për ta normalizuar situatën?

Hajredin Kuqi: Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë edhe më heret që të ketë raporte të mira fqinjësore me të gjithë, përfshirë edhe Serbinë dhe besojmë se këtë do ta përsërisim edhe në të ardhmen e afërt.

BBC: I keni bërë ftesë Beogradit zyrtar për t'u ulur dhe për të zgjidhur problemet?

Hajredin Kuqi: Unë besoj se shumë shpejt do ta dërgojmë ftesën që ajo të pranojë shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës dhe mbi bazën e asaj njohjeje do të funksionojmë dhe koordinojmë aktivitetet ndërshtetërore.

BBC: Çfarë mendoni, a mund të përshkallëzohet situata në Kosovë pas një numri protestash të pjesëtarëve të komunitetit serb në disa pjesë të Kosovës?

Hajredin Kuqi: Mendoj se situate nuk është aq alarmante sa mund të duket në shikim të parë.

Në anën tjetër, shumica e qytetarëve serbë në Kosovë e kanë kuptuar realitetin e ri dhe do të integrohen, si dhe besoj se do ta shohin të ardhmen së bashku me qytetarët shumicë të Kosovës.

Në anën tjetër, shpresojmë se edhe politika e Beogradit do ta zvogëlojë atë agresivitetin e vet.