http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 25 shkurt 2008 - 11:36 CET

Samarxhiq viziton Kosovën

Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, ka arritur për vizitë në Kosovë, një javë pasi udhëheqësit kosovarë shpallën pavarësinë e vendit.

Ardhja e tij në Kosovën e pavarur është lejuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara.

Ministri serb Sllobodan Samarxhiq viziton të hënën disa vendbanime në Kosovë, për të përcjellë mesazhin se Serbia e konsideron Kosovën edhe më tutje pjesë të saj.

Zoti Samarxhiq ka hyrë në Kosovë rreth orës 9.00 përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë që ndodhet në Kosovën Lindore.

Arritjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani.

Ai tha se njësitet speciale të policisë po kujdesen për sigurinë e ministrit serb për Kosovën, Slobodan Saramxhiq, dhe zyrtarëve tjerë të qeverisë serbe.

Vizita e dytë pas pavarësisë

Në orët e pasditës ai do të qëndrojë në qytetin e ndarë të Mitrovicës, ku serbët po protestojnë cdo ditë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare.

Kjo është vizita e dytë e ministrit Saramxhiq në Kosovën e pavarur. Ai dhe zyrtarë të tjerë të Serbisë ishin në Kosovë më 17 shkurt, kur Kuvendi shpalli pavarësinë e Kosovës.