http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 20 shkurt 2008 - 17:23 CET

Kosova shtet i qytetarit

Shqipëria ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën pasi kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë.

Tani ekzistojnë në Ballkan krah njëri-tjetrit dy shtete shqiptare.

Analisti shqiptar Albert Rakipi thotë për BBC-në se ekzistenca e dy shteteve me kombësi të njëjtë nuk është një precedent dhe se "raste të tilla ka në historinë moderne të botës."

Me zotin Rakipi bisedoi korrespondenti i BBC-së në Tiranë Aleksandër Furrxhi:

BBC: Si e vlerësoni proçesin e deritashëm të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur?

Albert Rakipi: Është krejtësisht e qartë që rasti Kosovës është një nga rastet e jashtëzakonshme të përgjigjes së menjëhershme dhe të reagimit të menjëhershëm të komunitetit ndërkombëtar, të shteteve anëtarë të OKB-së, për ta njohur.

Duhet të kujtoj se i menjëhershëm ka qenë reagimi i Francës, i cili ka qenë shumë i rëndësishëm, po të mbajmë parasysh faktin që vetëm 17 vjet më parë Franca zyrtare thoshte që duhet të mbështesim Serbinë, Jugosllavinë, sepse ajo ka qenë me ne, në 100 vjetët e fundit në dy luftra.

Ndërkaq kemi parë dhe hezitimin e disa nga vendet anëtare të BE-së, ose të vendeve të tjera, por duhet të kuptojmë se një numër vendesh europiane që hezitojnë për ta njohur, kanë arsyet e tyre të brendshme.

Projekti i pavërsisë së Kosovës është një projekt që bazohet në të drejtat e njeriut, lirinë e një populli dhe është nga ana tjetër një mësim për të gjithë shtetet, ku shumicat absolutisht nuk mund të çoj në dhunë sistematike ose spastrim etnik mbi pakicat.

BBC: Zoti Rakipi, Shqipëria ishte ndër vendet e para që e njohu si shtet Kosovën, pra kemi 2 shtete shqiptarë në Ballkan, të cilët do të kenë këtej e tutje marrëdhënie diplomatike.

Është një rast i veçantë në kuptimin diplomatik të fjalës, duket si e çuditshme që të ketë marrëdhënie diplomatike midis 2 shteteve shqiptare. Si e shihni ju këtë?

Albert Rakipi: Shqipëria nuk është vetëm një vend fqinjë me Kosovën. Mund të duket jo shumë normale, jo nga pikëpamja ligjore sepse tashmë kemi një realitet të ri politik, Kosova është një shtet i pavarur, dhe pavarësisht nga lidhjet dhe nga historia, pavarësisht nga fakti që të dy popujt i takojnë një kombi, marrëdhëniet e ardhshme që do të vendosen, do të jenë marrëdhënie midis dy shteteve.

Ka qenë pak e pajustifikuar fakti që gjatë 5-6 viteve të fundit, ose pas rënies së Millosheviçit, Shqipëria ka mbajtur një nivel pothuajse të ulët në nivelin diplomatik.

Nuk shoh asgjë të çuditshme që të ekzistojnë dy shtete shqiptare, raste të tilla ka në historinë moderne të botës.

Duhet të mbajmë parasysh faktin që shteti i ri i Kosovës nuk është një shtet që do bazohet mbi kombin, mbi etnicitetin, por është një shtet që do bazohet mbi qytetarin, që do të thotë që dhe pakica serbe, dhe pakicat e tjera do të jenë pjesë e institucionive.

BBC: Zoti Rakipi orët e fundit po tregojnë se në Mitrovicë ka tension, ka patur disa akte dhune, ka një nervozizëm në radhët e popullsisë serbe atje. Si mendoni ju çfarë ndikimi mund të kenë ngjarje të tilla, në këtë proçes?

Albert Rakipi: Në fillim doja të thoja se reagimi i Serbisë është një reagim normal, duke përjashtuar gjuhën pak të vjetër të kryeministrit Koshtunica dhe deri diku dhe të presidentit Tadiç.

Të gjitha palët, të gjithë aktorët politik në Serbi, si qeveria dhe opozita përgjithësisht kanë reflektuar një lloj vetpërmbajtje duke mos e pranuar pavarësinë e Kosovës, po kërkojnë ta analojnë atë përmes një graundi ligjor, përmes mjeteve paqësore siç janë deri diku protestat në Beograd.

Sipas meje, suksesi i një shteti multietnik në Kosovë, do të vendoset në Mitrovicë.

Pra një politikë më e ashpër e Serbisë, nëse Serbia do të vijojë të inkurajojë institucionet paralele, sidomos në Mitrovicë, dhe nëse do të inkurajojë veprimet e dhunshme për të penguar funksionimin e shtetit, kontrollin e atij territori nga autoritetet lokale, qeveria e Kosovës dhe nga forcat e sigurisë, atëherë do të kemi vërtet një problem serioz, jo vetëm mbi pikëpamjen e sigurisë, por edhe për funksionimin e shtetit të ri të Kosovës.

BBC: Një sfidë e madhe dhe e rëndësishme, për shtetin e ri të Kosovës mbetet padyshim antarësimi në organizatat ndërkombëtare dhe në radhë të parë në OKB.

Por me një Këshill Sigurimi ku Rusia është anëtare e përhershme, kjo prespektivë nuk duket e qartë. Si mundet Kosova ose çfarë prespektive mund të ketë aderimi i Kosovës në këto organizata ndërkombëtare?

Albert Rakipi: Nuk është rasti i vetëm në historinë moderne të kësaj organizate, Kina është një nga rastet dhe sot është anëtare e Këshillit të Sigurimit.

Megjithatë sipas meje kjo nuk do të përbëjë ndonjë problem serioz në funksionimin e shtetit të Kosovës.

Do të kërkojë një kohë, megjithatë unë besoj se kjo nuk është sfida e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës, për arsyen e thjeshtë sepse aktorët më të rëndësishëm strategjik të marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë njohur dhe po vijon në mënyrë spektakolare, njohja ndërkombëtare nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Sfida reale sipas meje për shtetin e ri të Kosovës ka dy dimensione.

E para është vendosja e kontrollit legjitim të qeverisë së Kosovës në të gjithë territorin, sepse tashmë jo më si më parë, nuk mund të lejojnë të funksionojnë institucionet paralele.

E dyta janë çështjet ekonomike, të cilat janë mjaft të mprehta sepse pavarësia nuk është magjia që mund të zgjidhë një numër çështjesh ekonomike që kanë të bëjnë me kuotat e varfërisë, të papunësisë, me nivelin e ulët të investimeve.

Nga ana tjetër zgjidhja përfundimtare e statusit besoj, që do të krijoi një realitet, një ambient krejtësisht tjetër dhe për investimet dhe për adresimin e çështjeve ekonomike, me të cilat qytetarët ndeshen çdo ditë në Kosovë.