http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 19 shkurt 2008 - 10:51 CET

Jonuz Hallaçi
BBC Prishtinë

Udhëheqja kosovare mirëpret njohjen

Udhëheqja shqiptare në Prishtinë ka shprehur kënaqësinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe është përpjekur ta sigurojë komunitetin ndërkombëtar se Kosova do të jetë shtet demokratik.

Të hënën në mbrëmje kanë mbërritur në presidencën e Kosovës letrat e para të njohjes së shtetit të ri.

Ato i janë dorëzuar presidentit nga përfaqësuesit e deritanishëm të zyrave të SHBA-së, Britanisë dhe Francës.

Në mesazhet e krerëve shteteve njohëse të Kosovës shprehet dhe angazhimi që duhet të ketë shteti i ri në respektimin e pakicave dhe ndërtimin e shtetit ligjor.

Zotime

Presidenti Fatmir Sejdiu përsëriti zotimet që bëhen edhe në deklaratën për shpalljen e pavarësisë.

"Do të bëjmë punë që Kosova të jetë shtet demokratik, i vlerave dhe standarteve më të larta dhe i respektit për qytetarët e komuniteteve pakicë," tha z. Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se qeveria e Kosovës ishte në bisedime dhe po bënte përpjekje të vazhdueshme për njohje sa më të shpejtë.

Thaçi tha se sfida e momentit ishte ngritja e shërbimit diplomatik të Kosovës dhe aplikimi për anëtarësim në OKB dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë.

Kundërshtim

Por shpallja e pavarësisë së Kosovës është konsideruar e pavlefshme nga parlamenti i Serbisë, i mbledhur të hënën në mbrëmje.

Me të njëjtën kërkesë në të njëjtën kohë iu drejtua Këshillit të Sigurimit dhe presidenti serb, Boris Tadiq që ndodhet në Nju-Jork.

Këshilli i Sigurimit nuk ka marrë dot ende një qëndrim për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Kosova u njoh vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë nga tre vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit - SHBA-ja, Britania e Madhe, dhe Franca.

Por në mbledhjen e posaçme të KS të hënën në mbrëmje, shpallja e pavarësisë u kundërshtua nga dy anëtarët e tjerë të përhershëm, Rusia dhe Kina.

Rusia, aleate tradicionale e Serbisë, prej kohësh e ka bërë të ditur qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë dhe disa vende të Bashkimit Evropian kanë bërë të ditur se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës: Spanja, Rumania dhe Qipro.

Nga vendet fqinje, Kosovën e ka njohur vetëm Shqipëria.

Greqia tha se do të vendosë më vonë lidhur me njohjen e pavarësisë.

Prishtina ka njoftuar se harta e njohjes së Kosovës është zgjeruar dhe me vende të tjera si Gjermania, Italia, Austria, Finlanda, Belgjika.