http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 19 shkurt 2008 - 11:44 CET

Greqia shprehet më vonë për pavarësinë

Ministrja e jashtme greke, Dora Bakojanis, duke pranuar ekzistencën e një realiteti të ri në Ballkan, ka theksuar domosdoshmërinë e ruajtjes së stabiliteti dhe sigurisë në rajon, por dhe respektimin e të drejtave të serbëve dhe gjithë minoriteteve të tjera në Kosovë.

Shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, nuk ka çuditur asnjë me deklaratën e saj menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian.

Ashtu siç pritej e vlerësohej, ajo ka thënë se çështja e njohjes së pavarësisë të Kosovës do të shqyrtohet në një stad tjetër.

Sa i përket çështjes së njohjes së situatës së re, Greqia do t’i marrë vendimet e veta në një stad të mëvonshëm.

Pasi të shqyrtojë në thellësi gjithë zhvillimet, përmasat dhe rrjedhojat e tyre në sigurinë rajonale dhe në interesat e Greqisë, tha ministrja e jashtme greke, duke theksuar ndërkaq se ajo, që ministrja e quajti një realitet i ri në Ballkan, nuk mund në asnjë mënyrë të përbëjë precedent.

Me këtë theksim, Greqia do t'u mbyllë shtegun aludimeve për pjesën veriore të Qipros që ka shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë qysh në vitin 1982, por nuk njihet nga askush, përveç Turqisë.

Statusi i pjesës veriore të ishullit është dhe arsyeja e kundërshtimit të Qipros ndaj pavarësisë së Kosovës dhe, në masë të madhe, shpjegon edhe rezervat e Greqisë për njohjen e pavarësisë.

Gjithsesi, shefja e diplomacisë greke ka vënë në dukje se, në drejtim të njohjes, Greqia do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me partnerët e vet në Bashkimin Europian dhe me vendet fqinje, duke pasur parasysh, siç tha, rolin e veçantë të Serbisë për ruajtjen e ekuilibrit rajonal dhe të stabilitetit.

Ajo ka tërhequr vëmendjen se, ajo që ka prioritet tani, është domosdoshmëria e ruajtjes së stabilitetit dhe e sigurisë së rajonit, por edhe garantimi dhe respektimi i të drejtave të serbëve dhe gjithë minoriteteve të tjerë që jetojnë në Kosovë.

Deklarata e ministres së jashtme greke të jep përshtypjen e një qëndrimi në vend, teksa edhe mbrëmë ajo ka përsëritur se qëndrimi konstant i Greqisë është se zgjidhjet më të mira vijnë nga kompromiset reciprokisht të pranueshme e jo nga aktet e njëanshme.

Greqia vitet e fundit është shfaqur e çliruar nga fijet që e mbanin të lidhur fort pas Beogradit dhe gjatë këtyre muajve e ka pranuar gjithmonë e më shumë rëndësinë e faktorit shqiptar në Ballkan, faktor që mund të brengoset nga prirja, në rastin më të mirë oportuniste, që mbart deklarata e ministres së jashtme.