http://www.bbcalbanian.com

Violeta Hyseni
BBC, Prishtinë

Serbët bojkotojnë institucionet

Disa deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës kanë vendosur të bojkotojnë punën e institucioneve në Prishtinë, në shenjë proteste me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike Serbe dhe të asaj Popullore e kanë konsideruar të pavlefshëm miratimin e deklaratës së pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike Serbe, Sllavisha Petkoviq ka deklaruar se asgjë spektakulare nuk ka ndodhur në Parlament.

"Dje nuk është shpallur pavarësia, as nuk është fituar shteti i Kosovës, t'i qartësojmë këto dy gjëra," tha zoti Petkoviq.

"Dje është miratuar një deklaratë që është shumë e paqartë, sepse shtet i pavarur është ai që është anëtar i OKB-së, Këshillit të Evropës, OSBE-së, ndërsa me deklaratën e djeshme, Kosova nuk do të jetë kurrë pjesë e këtyre institucioneve," tha deputeti Petkoviq.

Deputetët serbë nuk kanë marrë pjesë në seancën e djeshme të Kuvendit në të cilën është miratuar deklarata e pavarësisë dhe simbolet shtetërore.

Deputeti Mihajlo Shqepanoviq nga Partia Popullore Serbe ka thënë se përfaqësuesit serbë nuk kanë dashur të marrin pjesë në këtë seancë, në të cilën "ata nuk kanë pasur mundësi të shprehin kundërshtimin e tyre për pavarësinë e Kosovës".

Ai ka thënë se miratimi i deklaratës së pavarësisë me aklamacion i ka detyruar deputetët serbë të mos jenë të pranishëm në sallë.

"Ne e kemi ditur se ata do të miratojnë këtë deklaratë pa neve, por ne kemi dashur që së paku të themi mendimin e atyre njerëzve që kanë votuar për ne," tha zoti Shqepanoviq.

"Ne përfaqësojmë ata njerëz dhe kemi obligim që të shprehim zërin e tyre. Kemi dashur t'i themi në Parlament jo miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës," deklaroi Shqepanoviq.

Edhe dy ministrant serbë nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e qeverisë së Kosovës.

Udhëheqësit kosovarë kanë shfaqur bindjen se përfaqësuesit serbë do të kthehet në instiutucionet e Kosovës pas pak ditësh kur të pushojnë emocionet për shpalljen e pavarësisë.

Protesta serbe

Disa mijëra serbë kanë protestuar në vendbanimet e tyre kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ata kanë hedhur poshtë deklarimin e pavarësisë në Kuvendin e Kosovës, duke e konsideruar atë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Protesta më e madhe është mbajtur në pjesën veriore të Mitrovicës, në të cilën kanë marrë pjesë rreth 7 mijë qytetarë.

Në Graçanicë, 5 km larg Prishtinës, përfaqësues politik të serbëve u kanë apeluar bashkëqytetarëve të tyre që të qëndrojnë në Kosovë dhe siç kanë thënë ata "të mos bien pre e provokimeve të shqiptarëve".

Peshkopi Artemije ka ftuar serbët e zhvendosur të kthehen në pronat e tyre, ndërsa nga masa e protestuesve ka kërkuar të mos braktisin Kosovën.

"Vendimet e askujt nuk munden të na ndajnë nga Kosova," ka thënë peshkopi Artemije.

"Vetëm nëse ne vet e lëshojmë këtë tokë të shenjtë, ajo nuk do të jetë më kurrë serbe. Këtë nuk duhet ta lejojmë," tha ai.

Përfaqësuesi i qeverisë së Serbisë në Kosovë, Goran Arshiq e ka vlerësuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës si dhunim të së drejtës ndërkombëtare dhe vjedhje të një pjese të territorit të Serbisë.

"Në këtë moment ne kemi obligim që t'i kryejmë detyrat tona që i kemi bërë deri dje, të mos reagojmë në provokimet e shqiptarëve dhe të qëndrojmë këtu sikur të mos ketë ndodhur asgjë gjatë ditës së djeshme në Prishtinë," tha zoti Arshiq.

"Vetëm duke qëndruar ne këtu, mbijeton shteti i Serbisë dhe ka më shumë mundësi për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e kësaj hapësire," tha ai.

Zëdhënësi i policisë, Veton Elshani ka njoftuar se protestat e serbëve kanë përfunduar të qeta.