http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E diel, 17 shkurt 2008 - 10:59 CET

Ilir Kadia
BBC Tiranë

Atmosferë festë Shqipëri për 17 shkurtin

Janë të shumtë qytetarët e Shqipërisë që ndjehen xhelozë ndaj miqve të tyre që gjatë javës nuk pritën të djelën, por u nisën drejt Kosovës për të marrë pjesë edhe fizikisht në ditën e madhe të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Gjovalini, 50 vjeç nga Shkodra, e krahason 17 shkurtin me 28 nëntorin e vitit 1912.

"Me pavarësinë e Kosovës bashkohet një vatër e ndarë 100 vjet më parë. Duke u kthyer në mënyrë virtuale tek 1912-a, unë lotova nga krahasimi me pavarësinë e 1912-s."

Analisti Aleksandër Çipa tregon disa nga 1001 arësyet pse, sipas tij, një qytetar i Shqipërisë duhet të jete më i gëzuar se kurrë më 17 shkurt 2008.

"Arsyeja e parë është memoria e freskët. 100 vjet nuk janë shumë për një popull të mësuar se historia vazhdon dhe shpesh korigjon gabimet".

Kur është fjala për Kosovën, prej kohësh, çdo qeveri e opozitë e këtushme e pas 1990-tës mban qëndrim të njëjtë.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, thotë se me 17 shkurtin hapet një histori e re paqeje, stabiliteti e integrimi rajonal e europian.

"Hapen mundësitë për një kapitull të ri midis dy kombeve, kombit shqiptar e kombit serb, të cilët pavarësisht nga historia e hidhur kanë vetëm një rrugë, të ndërtojnë një të ardhme të re në paqe, stabilitet dhe prosperitet."

Historiani, Pëllumb Xhufi, një nga drejtuesit e partisë LSI të opozitës, thotë se ngjarja e madhe historike duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë.

"Ndjehemi të gëzuar që ndajmë një festë të madhe. Është një ngjarje historike e vonuar, por ka rëndësi që gjithë komuniteti ndërkombëtar është i mendimit se kjo është gjëja e drejtë që duhet bërë."

Ndërkohë gjatë gjithë ditës së dielë Tirana do jetë e tëra në pushtetin e qytetarëve të saj. Makinat nuk do të lejohen të qarkullojnë fare në qytet nga ora 10 deri në ora 18 .

Balina Balluku, përfaqësuese e Bashkisë së Tiranës, bëri thirrje për gëzim të paqëm të qytetarëve të Tiranës.

Tirana zyrtare ka njoftuar se do ta njohë e para pavarësinë e Kosovës dhe do t'i gjendet asaj në ndihmë me ç'të mundet, që në hapat e para të shtetit të ri, ka thënë Gazmend Oketa, zëvendëskryeministër i Shqipërisë.

"Ne do të vendosim në dispozicion të shtetit të ri kosovar të gjitha ato burime që kemi në dispozicion, duke filluar nga portet dhe infrastruktura rrugore."

Atmosfera festive e 17 shkurtit ndjehet kudo, në të gjitha fshatrat e qytetet e Shqipërisë.