http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E diel, 17 shkurt 2008 - 11:33 CET

Paul Reynolds
Korrespondent i BBC-së për çështjet botërore

Shqetësimet ligjore për njohjen e Kosovës

Njohja e pavarësisë së Kosovës ngre pyetje serioze mbi të drejtën ndërkombëtare, duke vënë në vështirësi edhe diplomacinë.

SHBA-ja dhe shumë vende europiane pranojnë se Kosova nuk duhet të vazhdojë të jetë më zyrtarisht pjesë e Serbisë.

Ata do të njohin një formë të kufizuar pavarësie për Kosovën dhe rekomandojnë raportin raportin e hartuar nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.

BE-ja është duke dërguar në Kosovë një mision të madh për mbrojtje të rendit dhe drejtësisë. Ai përbëhet nga 1800 policë dhe punonjës drejtësie, përfshirë gjykatës, të cilët në fakt po zëvendësojnë praninë e tanishme të Kombeve të Bashkuara.

Serbia nga ana e saj, e mbështetur fuqishëm nga Rusia, kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Serbia dhe Rusia argumentojnë se nuk ka një miratim nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së për një lëvizje të tillë dhe se palët duhet të vazhdojnë negociatat deri në arritjen e një marrëveshjeje.

Serbia ka ofruar autonomi për Kosovën, por jo pavarësi.

Pra, cilat janë argumentat ligjore pro dhe kundër njohjes së pavarësisë?

Argumentat 'Pro'

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në 1999, kontrollin atje e mori Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në Rezolutën 1244 të datës 10 Korrik 1999, urdhërohej tërheqja e trupave të Republikës Federale të Jugosllavisë, sikurse njihej atëherë, nga Kosova dhe që Kosova të kalonte në administrim të Kombeve të Bashkuara.

Problemi qëndron pikërisht në faktin se, megjithë kërkesën për një zgjidhje politike të krizës në Kosovë, nuk specifikohej se për çfarë zgjidhjeje bëhej fjalë.

Ndërmarrja e veprimeve për të zbatuar një status përfundimtar në një situatë të tillë është më tepër në përputhje me synimet e shprehura në Rezolutën 1244 se sa vazhdimi i përpjekjeve për të bllokuar çdo lloj rezultati të pritshëm.

Dukumenti gjithashtu shton se një qasje e tillë 'do të mundësojë, më tepër se sa do të frustrojë, përfundimin e procesit të statusit final, siç parashihet nga Rezoluta 1244.'

Kjo i hap rrugën njohjes ndërkombëtare. Në përgjithësi, kur një entitet shfaqet si shtet, në terma të së drejtës ndërkombëtare, mund të merret një vendim politik për njohjen e tij.

Trupat e NATO-s nën komandën e KFOR-it vijojnë të kenë mandatin që u njeh Rezuluta 1244.

Përsa i takon ligjshmërisë së misionit të BE-së, argumenti është se asgjë nuk mund ta ndalojë BE-në të zëvendësojë misionin e Kombeve të Bashkuara, të cilit rezoluta i referohet thjesht si 'prani civile dhe ushtarake'. Madje rezoluta sugjeron se Kosova mund të ftojë BE-në të marrë këtë rol.

Dokumenti bën interpretimin e preambulës së Rezolutës 1244 për Kosovën si pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë dhe për "integritetin territorial" të Jugosllavisë si të padetyrueshëm për zbatim.

Argumentat 'Kundër'

Kundërargumenti nga Rusia dhe Serbia është i thjeshtë. Serbia, si shtet sovran, nuk ka rënë dakord të lejojë Kosovën të jetë e pavarur, ngaqë rezoluta e Këshillit të Sigurimit nuk e autorizon shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Prandaj, sipas Beogradit, pavarësia e saj është e jashtligjshme.

Edhe disa vende anëtare të BE-së, Greqia, Spanja, Qipro, Sllovakia, Bullgaria dhe Rumania nuk bien dakord me argumentin e mësipërm pro pavarësisë, edhe pse ato nuk e kanë kundështuar misionin e BE-së.

Serbia dhe Rusia gjithashtu thonë se rezoluta 1244 në vetvete nuk autorizon pavarësinë.

Ata i referohen Nenit 10 i cili autorizon "autonomi substanciale brenda Republikës së Federatës Jugosllave" për Kosovën, duke nënkuptuar, sipas tyre, se Rezoluta 1244 e bllokon pavarësinë.

Ata, gjithashtu argumentojnë se Rezoluta 1244 bën fjalë për organizata ndërkombëtare të cilat duhet të vendosen në Kosovë, "nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara”, gjë të cilën një mission i BE-së nuk mund ta ketë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u shpreh kështu më datë 12 shkurt.

"Këtu bëhet fjalë për përmbysjen e themeleve të së drejtës ndërkombëtare, për përmbysjen e atyre parimeve të cilat pas përpjekjesh të mëdha dhe me koston e vuajtjeve, gjakut dhe sakrificës së vetë vendeve europiane janë fituar dhe përdorur më pas si bazament i vetë ekzistencës së saj."

"Këtu bëhet fjalë për përmbysjen e atyre parimeve mbi të cilat qëndron Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, atyre parimeve mbi të cilat bazohen dokumentet themelore të OKB-së."

Parimi kryesor të cilit i referohet ai është se kufijtë mund të ndryshojnë vetëm me marrëveshje.

Sipas Rusisë dhe Serbisë, meqenëse nuk ka një marrëveshje, nuk duhet të ketë një njohje të pavarësisë.