http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 12 shkurt 2008 - 10:33 CET

Violeta Hyseni
BBC, Prishtinë

Hartohet deklarata e pavarësisë

Krerët e institucioneve të Kosovës dhe të tri partive opozitare pritet të finalizojnë këtë javë deklaratën për pavarësinë e Kosovës që do të lexohet në Kuvend.

Një anëtar i grupit për hartimin e deklaratës për pavarësi, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, i ka thënë BBC-së se deklarata mbështetet në vullnetin e popullit shumicë për pavarësi dhe përmes saj do të bëhet thirrje për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Violeta Hyseni bisedoi me z.Isufi.

BBC: Z.Isufi a është gati deklarata për pavarësinë e Kosovës?

Isufi: Ende janë duke punuar grupet të cilat janë në përgatitje të të gjitha elementeve, të cilat e përcjellin pavarësinë e Kosovës dhe deklarata është duke u përgatitur.

BBC: Kur pritet të finalizohet deklarata për pavarësinë?

Isufi: Kjo do të bëhet në afatin sa më të shpejtë të mundshëm dhe jemi në hapat e fundit të përfundimit të gjithë procesit.

BBC: Çfarë do të përmbajë deklarata?

Isufi: Do të përmbajë vullnetin politik të popullit të Kosovës, kërkesën për njohjen ndërkombëtare dhe po ashtu do të ketë në përmbajtjen e saj zbatimin e planit të Ahtisarit.

BBC: A përmban ajo elemente të deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990?

Isufi: I përmban të gjitha elementet që kanë sjellur deri te shtetësia e Kosovës.

BBC: Z.Isufi, kush janë njerëzit që po punojnë në hartimin e kësaj deklarate?

Isufi: Janë grupet punuese, të cilat nuk janë vetëm për deklaratën, por janë edhe për simbolet, kushtetutën dhe për të gjitha elementet të cilat kanë të bëjnë me përfundimin e një procesi të gjatë.

BBC: Me deklaratën e pavarësisë së Kosovës, a do të kërkoni edhe vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian apo vetëm njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës?

Isufi: Bashkimi Evropian përmes EULEX-it veç po instalohet në Kosovë në kuptimin formal dhe kjo do të jetë në të njejtën kohë shprehjke e bashkëpunimit të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare për të arritur deri te qëllimi final në integrimet e reja në Evropë.

BBC: Pra, nuk do të ketë një ftesë zyrtare për Bashkimin Evropiane përmes kësaj deklarate që të vijë në Kosovë?

Isufi: Edhe ashtu misioni është i përcaktuar dhe ne e mirëpresim ardhjen e tij.