BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 26 shkurt 2008 - 10:44 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Lëndohen policë në kufi me Serbinë
 
Protesta më të hershme të Serbëve të Mitrovicës (arkiv)
Policia përodi bomba me gazlotsjellës pasi protestuesit hodhën gurër mbi ta.
Të paktën 19 pjesëtarë të SHPK-së u lënduan të hënën pasi protestues serbë kanë hedhur gurë mbi ta, në zonën kufitare me Serbinë, në afërsi të fshatit Mutivodë, 30 kilometra në lindje të Prishtinës.

Zyrtarë të policisë thanë se për shkak të agresivitetit të protestuesve serbë, janë detyruar që të përdorin në dy raste gazin lotësjellës për të shpërndarë turmën si dhe të kërkojnë ndihmën e trupave të NATO-s për të qetësuar gjendjen.

Protestat e pjesëtarëve të komunitetit serb kanë hyrë në javën e parë të tyre, që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhjetë ditë më parë.

 ...më së shumti e dënojmë dhunën që tashmë është bërë, e kjo është dhuna ndaj së drejtës ndërkombëtare
 
Sllobodan Samarxhiq, ministër serb

Incidente

Incidenti i së hënës, në një zonë të thellë të Kosovës, shënon incidentin e dytë me radhë, pas djegies së dy pikave kufitare në veri të Kosovës, duke shënuar kështu kundërshtimin me forcë të pavarësimit të Kosovës.

Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, tha për BBC-në, se një turmë prej afro 150 vetash, shumica nga të cilët besohet të jenë rezervistë të forcave serbe të sigurimit, kanë djegur edhe goma në rrugë si edhe shkurret përgjatë rrugës në kufirin Kosovë-Serbi:

"Më pas ata sulmuan me gurë dhe shishe, që përmbanin ujë, lëngje për pije, pastaj me shishe të mbushura me benzinë si dhe qese të nailoni të mbushura me lëndë djegëse.

Njësitë speciale serbe gjatë gjithë kohës ishin aty, por nuk kanë intervenuar, përveçse kanë siguruar objektin e tyre kufitar.

Gazi lotësjellës, ndërkaq, është hedhur në zonën neutrale mes Kosovës dhe Serbisë.

Për afro 2 orë vetëm njësiti i SHPK-së u përball me protesuesit dhe për këtë arsye ka patur të lënduar vetëm nga radhët e SHPK-së.

Pas ndërrimit të tyre nga njësitë e KFOR-it, protestuesit hodhën për pak kohë gurë dhe pastaj janë shpërndarë,"- i tha BBC-së zoti Elshani.

Ndërkohë, një ministër në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, që të hënën u lejua të vizitonte disa vendbanime serbe, pas plotësimit të disa kushteve, deklaroi se, sikure u shpreh ai, dhuna e serbëve të Kosovës i ka rrënjët në dhunën e shkaktuar me shpalljen e pavarësisë së saj.

Korrespondenti i BBC- së njofton se ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, ka thënë se qeveria e Serbisë do të vazhdojë të jetë më afër qytetarëve serbë dhe u ka premtuar atyre më shumë mundësi punësimi.

Ministri serb e ka akuzuar udhëheqjen shqiptare të Kosovës se ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë.

"Ne jemi për të ruajtuar paqen dhe stabilitetin dhe i marrim përgjegjësitë tona për këtë. Ne dënojmë çdo lloj dhune, qoftë kjo edhe fizike, por më së shumti e dënojmë dhunën që tashmë është bërë, e kjo është dhuna ndaj së drejtës ndërkombëtare,"- ka thënë Samarxhiq.

Mbështetje e protestave

Vizita e zotit Samarxhiq, vjen pak ditë pas deklarimeve të tij se djegia e pikave kufitare në veri të Kosovës, nga protestues serbë, ishte fatkeqe por legjitime, duke kërkuar vendosjen e një pushteti të plotë të qeverisë së Serbisë mbi vendbanimet me shumicë serbe.

 Ia kam bërë të qartë ministrit se mbështetja e dhunës, qoftë e drejtpërdrejt ose tërthorazi, është plotësisht e papranueshme
 
Joackim Ruecker, shefi i misionit të OKB-së

Qëndrimi i ministrit serb në Kosovë, megjithëse fillimisht ishte refuzuar nga shefi i misionit të OKB-së, Joackim Ruecker, nuk është kuptuar si qëndrim pajtues.

Zoti Ruecker ka thënë se zotit Samarxhiq i kishte vënë dy kushte për të vizituar Kosovën, njëri nga të cilët ishte që ai të distancohet plotësisht nga deklaratat që mbështesin dhunën.

"Ia kam bërë të qartë ministrit se mbështetja e dhunës, qoftë e drejtpërdrejt ose tërthorazi, është plotësisht e papranueshme.

Këtu i referohem posaçërisht deklaratës së ministrit Samarxhiq, i cili ka deklaruar se shkatërrimi i dy posteve kufitare në veri, ishte rast fatkeq por legjitim.

I kam kërkuar atij që të distancojë veten nga këto deklarata,"- tha zoti Ruecker duke shtuar se UNMIK dhe KFOR-i janë përgjegjës për gjithë territorin e Kosovës, mbi bazën e Rezolutës 1244.

Por shefi i UNMIK-ut tha se nuk e ka ende të qartë nëse qeveria e Serbisë e sfidon mandatin e tij sipas Rezolutës 1244, kur bëhet fjalë për mandatin ekzekutiv:

"E kam bërë shumë të qartë se mandati ekzekutiv i UNMIK-ut duhet të respektohet, qoftë në aspekte policore, në dogana ose në sistemin juridik në gjykata.

Më duhet të them se nuk isha shumë i kënaqur me përgjigjet e zotit Samarxhiq dhe disa prej tyre nuk ishin shumë të qarta për mua. Dhe takimi përfundoi pa marrëveshje,"- tha Joackim Ruecker.

Për momentin, nuk dihet se cila ka qenë oferta e plotë e ministrit serb Samarxhiq, gjatë vizitës së tij në Kosovë, por megjithëse askush nuk e praon, besohet se Beogradi zyrtar së shpejti do të mund të kërkojë, fillimisht funksionimin e plotë të strukturave paralele në gjithë enklavat serbe dhe në fund edhe ndarjen e Kosovës.

 
 
LOKALE
BE tërheq personelin nga Mitrovica
25 shkurt 2008 | Rajoni
Rusia thekson mbështetjen për Serbinë
25 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Samarxhiq viziton Kosovën
25 shkurt 2008 | Rajoni
Medvedev e Lavrov të hënën në Beograd
24 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>