BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 18 shkurt 2008 - 12:15 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
"Pas pavarësimit: Mitrovica me dy komuna"
 
Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi
Kryeiministri i Kosovës, Bajram Rexhepi
Ne si liderë politikë - thotë Bajram Rexhepi në një intervistë për BBC-në- kemi kërkuar por edhe populli ka treguar pjekuri maksimale, të gjithë janë të vetëdijshëm që nuk duhet të ketë incidente.

Seladin Xhezairi e pyeti fillimisht zotin Rexhepi, se cila është atmosfera në Mitrovicë në prag të shpalljes së pavarësisë?

Bajram Rexhepi: Situata është e qetë. Mendoj se përgjegjësit për siguri kanë ndërmarrë të gjitha masat në mënyrë preventive që të mos të ketë ndonjë incident ose incident të dhunshëm, eskalim të dhunës.

Po ashtu dhe në strukturat politike, kemi kontakte ditore me Shërbimin Policor të Kosovës, me nje rëz nga KFOR-i, nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës, me shoqatat e dala nga lufta, me shërbimin zjarrfikës, pra edhe ne kemi një gadishmëri që mos t'ia lejojmë asgjë rastit.

BBC: U keni bërë thirrje qytetarëve për maturi, a do të thotë kjo Zoti Rexhepi se druani se mund të ndodhë diçka?

Bajram Rexhepi: Po një druajtje gjithmonë ekziston. Mendoj se në të gjitha emisionet dhe sondazhet ne si liderë politikë kemi kërkuar por edhe në sondazhet që bëhen, populli ka tregu pjekuri maksimale, të gjithë janë të vetëdijshëm që nuk duhet të ketë incidente.

Do të ketë manifestime kulturore, muzikore, ndoshta edhe sportive, vizita në varrezat e dëshmorëve dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë gjuajte, nuk duhet të ketë provokime, për arsye se pavarësia është e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe nuk është e drejtuar kundër asnjë komuniteti.

Por, gjithmonë mund të ketë njerëz që mendojnë pak më ndryshe. Megjithatë, mendoj se shumica e qytetarëve të Kosovës janë të përgatitur dhe nuk do të lejojnë që dikush të infiltrohet nëse ka ndonjë tendecë tjetër.

BBC: Zoti Rexhepi, cili është parashikimi juaj, çfarë ka me qenë reagimi i serbëve, qytetarë të Kosovës, në ditën e shpalljes së pavarsisë?

Bajram Rexhepi: Kjo është vështirë të parashikohet edhe pse javë më parë ka pas tone pak më kërcënuese, më radikale, se do të ndërmarrin hapa qoftë politikë ose eventualisht shpërngulje ose gjëra të tilla.

Kohët e fundit, janë tone më pajtuese, e dinë që po krijohet një realitet i ri. Është një proces i pashmangshëm, që është deri në fund, shumë shpejt do t'i vijë fundi këtij proçesi dhe kjo nuk mund të ndryshohet dhe ata duhet ta shqyrtojnë pozicionin e ri. Duhet të jenë pjesë e Kosovës, qytetarë të Kosovës, me të gjitha të drejtat që iu mundëson edhe pakoja e Ahtisarit.

Mendoj se, po vjen deri te një vetëdijësim edhe i disa pjesëve të komunitetit serb, të cilët fillimisht kanë qenë pak më të zëshëm, me retorikë politike më nacionaliste.

BBC: Zoti Rexhepi, çfarë duhet të bëjë këto ditë popullata shumicë karshi druajtjes së serbëve?

Bajram Rexhepi: Së pari, ne si politikanë do të japim mesazhe dhe ato janë edhe duke u bërë. Është obligim i popullatës shumicë të sillet në mënyrë mbrojtëse ndaj komuniteteve minoritare.

Ne kemi ndikuar me influencën edhe politike, edhe njerëzore dhe me maturinë e qytetarëve që edhe gjatë manifestimeve, të jemi larg enklavave apo vendeve të ndijshme, ku një shkëndijë e vogël mund t'a tensionojë gjendjen.

Në mënyrë që ata të ndjehen më të sigurtë dhe të shohin se kjo pavarësi nuk është e drejtuar kundër tyre. Kemi ndërmarrë të gjitha masat dhe jemi optimistë. Ndërsa ata që janë përgjegjës për siguri, po ashtu do të bëjnë një lloj përkujdesje më të madhe rreth enkalavave të caktuara të komunitetit serb. Dhe nga ana jonë, maksimalisht do të jemi të kujdesshëm.

Mirëpo, që të ketë sukses, duhet të ketë maturi edhe nga komuniteti serb dhe unë shpresoj se nuk është në interesin e tyre të ketë çfarëdo tensionimi të gjendjes apo të çfarëdo dhune.

BBC: Ç' ka nëse serbët nga pjesa veriore e Mitrovicës shpallin ndonjë status të njëanshëm të tyre, që do të nënkuptonte shkëputjen nga Kosova, si kundërpërgjigje e shpalljes, siç thonë ata, të njëanshme të pavarsisë nga ana e shqiptarëve?

Bajram Rexhepi: Unë shpesoj se kjo nuk do të ndodhë. Javë më parë apo muaj më parë ka pas paralajmërime të tilla por, edhe ata që konsiderohen si një vijë e fortë nacionaliste e Këshillit Nacional Serb, por edhe i ashtuquajturi Unioni i Komunës Serbe, kanë deklaruar se nuk është në interesin e tyre të bëjnë një shpallje të tillë.

Por do të jenë sëbashku me vëllezërit e tyre ku dy të tretat jetojnë në pjesë të tjera të Kosovës, dhe do të angazhohen për të drejtat e tyre, me një strategji të përbashkët e cila do të duhej të dilte nga parlamenti i Serbisë dhe strukturat qeverisëse, pra nuk është interesi i tyre për arsye se dihet së dy të tretat e qytetarëve serbë jetojnë jo në pjesën veriore por në pjesë të tjera të Kosovës, dhe sigurisht që janë të vetëdijshëm për këtë dhe tonet e fundit janë më pajtuese dhe më racionale.

Pas pavarsimit të Kosovës, do të fillojë implementimi i pakos së Ahtisarit, ku është paraparë që Mitrovica të jetë një qytet me dy komuna. Ky është një rregullim administrativ i brendshëm, me një bord të përbashkët, i cili për interes të dy komunave ku kanë pika të interesit, do të bashkëpunojnë ngushtë, si në lamin e infrastrukturës, siç është furnizimi me energji elektrike, furnizimi me ujë, harmonizimi i planit urbanistik, mbrojtja e ambientit, projekte të ndryshme multietnike. Këto, sidomos përmes segmentit ekonomik është shpresa më e madhe se do të vijë deri tek integrimi i njerëzve. Do të punojnë bashkarisht dhe do të krijojnë një perspektivë të përbashkët.
Tek e fundit, me ligjin për kufijtë komunal që do të pasojnë më vonë, edhe Prishtina do të jetë një qytet me disa komuna, kështu që kur të sigurohen kufijtë. Pra, shtrihet funksioni shtetëror në të gjithë tërësinë territoriale. Atëherë, organizimi i brendshëm do të jetë diçka pak më i lehtë dhe jam optimist se do të funksionojë si qytet, por duhet kohë, sigurisht që na duhet kohë që t'a bëjmë këtë pjesën administrative dhe
integrimi i mirëfilltë dhe krijimi i besimit i ndërsjelltë, është proçes që do të zgjasë, unë mendoj jo vetëm muaj por edhe vite. Por, është shumë me rëndësi që funksionet qëndrore të Kosovës siç janë, mbrojtja e kufijve, që është më tepër kompetencë e KFOR-it në këtë moment dhe e policisë kufitare, doganat e Kosovës duhet të jenë në kufi të Kosovës.
Integrimi i mirëfilltë në proçeset demokratike dhe institucioneve kërkon kohë pak më tepër. Ne do të jemi maksimalisht të gatshëm që t'ju bejmë ofertë dhe si e thashë edhe më herët, e kemi edhe si obligim të që të përkujdesemi edhe për minoritetet.

 
 
LOKALE
BE diskuton për takimin
18 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Serbët e Kosovës reagojnë pas pavarësisë
18 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Mbledhja e KS-së për Kosovën pa rezultat
18 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Chernomyrdin: U përpoqëm t'i ulim palët
18 shkurt 2008 | Faqja Kryesore
Bota reagon për pavarësinë
17 shkurt 2008 | Rajoni
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>