BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 12 shkurt 2008 - 11:14 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Udhëheqësit serbë për Kosovën
 
Tomislav Nikoliq e Boris Tadiq(djathtas)
Nikoliq e Tadiq pak dallohen sa i përket statusit të Kosovës
Në Beograd, më në fund është zhvilluar takimi i parë midis presidentit të rizgjedhur, Boris Tadiq, kryeministrit Vojsllav Koshtunica, dhe kryeparlamentarit, Oliver Duliq.

Me këtë rast është konstatuar se, sikurse thuhet në njoftimin zyrtar, ekziston kërcënimi real se së shpejti do të bëhet shpallja e kundërligjshme e pavarësisë së krahinës së Kosovës e Metohisë dhe, prandaj të gjitha institucionet shtetërore të Serbisë duhet të marrin vendimet e nevojshme për anulimin e akteve të tilla të kundërligjshme.

Korrespondenti i BBC-së njofton nga Beogradi se presidenti Tadiq ka thirrur për të sot (e martë) mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kryeministri Koshtunica do të mbledhë të mërkurën kabinetin e tij për të miratuar vendimin mbi anulimimin e akteve për pavarësinë e Kosovës që do të aktivizohet në momentin e shpalljes dhe kjo do t'i dërgohet për miratim parlamentit të Serbisë i cili pritet të mblidhet me t’u marrë vendimi në Prishtinë.

Para takimit të treshes serbe, nënkryetari i Partisë Radikale, Tomislav Nikoliq u angazhua për mbledhjen e parlamentit të Serbisë në të cilën do t’u jepej dritë jeshile masave të Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj vendimit në Prishtinë për shpalljen e pavarësisë:

“Të obligohen me të vërtetë në atë mbledhje se me punë të përbashkët do të bëjnë gjithçka brenda mundësive të tyre, të paktën një ose dy muaj, përderisa Serbia të gjendet në situatë si të veprojë më tej në rastin e Kosovës e Metohisë”- tha të hënën Tomislav Nikoliq.

Ndërkaq, Andreja Mladenoviq, zëdhënës i Partisë Demokratike të Serbisë, të kryeministrit Koshtunica, i ka quajtur si spekulime të medias zërat se në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Serbi duhet vendosur gjendja e jashtëzakonshme:

"Sa i përket kësaj informate për gjendjen e jashtëzakonshme, këtë e kam mësuar nga media dhe nuk kam se çka të komentoj, përvec se fjala është për një spekulim të mendias dhe asgjë më shumë,”- tha zoti Mladenoviq.

Mospajtimet mes presidentit dhe kryeministrit të Serbisë, duket se janë shtrirë edhe midis studentëve në Serbi. Në një tubim proteste në Beograd, qindra studentë kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Koshtunica dhe zgjedhje të parakohshme nëse Serbia nuk nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim me BE-në, nuk plotëson detyrimet ndaj Gjykatës së Hagës dhe nuk bën zhbllokimin e institucioneve të shtetit.

Unioni i Studentëve të Serbisë e konsideron kryeministrin Koshtunica si më përgjegjës për krizën momentale në vend dhe për devijim nga kursi evropian.

Megjithëse është mbështetur nga Ministria e Rinisë dhe qarqe të afërta me presidentin Tadiq, protesta është kritikuar nga partia e kryeministrit Koshtunica dhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Beogradit.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>