http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 25 janar 2008 - 12:30 CET

Topi: Kosova e pavarur, stabilitet për Ballkanin

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, tha në Prishtinë se pavarësia e Kosovës do të jetë një premisë e rëndësishme për stabilitetin definitiv të Ballkanit.

Ai tha se Kosova ndodhet në një moment historik kur institucionet vendore do të shpallin pavarësinë.

Presidenti shqiptar tha se Tirana zyrtare do të kontribuojë me mesazhe paqe në zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ai e vuri theksin në nevojën për mbrojtjen e pakicave.

Zoti Topi, në vizitën e tij të parë zyrtare në Prishtinë në cilësinë e presidentit, tha se pavarësia e Kosovës do t'a lirojë Serbinë nga e kaluara dhe do t'a orientojë drejt perspektivës evropiane.

"Unë besoj që dalja dhe largimi në mënyrë definitive nga skenarët e luftës do të bëjë që edhe vetë Serbia të futet në rrugën e modernizimit...dhe të mos mbesë peng i skenareve ultranacionaliste që i kanë krijuar shumë dëm shoqërive të Ballkanit", tha presidenti Topi.

Njohje 'me zemër'

Presidenti shqiptar theksoi se, megjithë dëshirën e madhe që ka, Shqipëria nuk do të jetë vendi i parë që do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Kjo në funksion të ruajtjes së marrëdhënieve të mira me faktorin ndërkombëtar dhe qetësisë rajonale.

"Ne edhe për shkak të asaj delikatese që mund të merret në konsideratë si pozicion i Shqipërisë ndaj Kosovës, ne do të jemi nga të parët, por jo të parët, por me zemër e shpirt sigurisht që ne jemi të parët (që do ta njohim pavarësinë e Kosovës)", u shpreh në Prishtinë, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Presidenti shqiptar tha se Tirana zyrtare do të kontribuojë me mesazhe paqe në zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe vuri theksin në nevojën për mbrojtjen e pakicave.

Nderime

Presidenti shqiptar Bamir Topi, gjatë qëndrimit në Prishtinë, u shpall qytetar nderi i kryeqytetit.

Në të njëjtën kohë, atij iu dha titulli "Doctor Honoris Causa" nga Universiteti i Prishtinës.

Ky titull jepet për personalitetet që kanë dhënë kontribut në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë dhe kanë merita të veçanta në avancim të dijes.

Për nder të presidentit të Shqipërisë, Kuvendi i Kosovës ka organizuar një seancë solemne.

Vizita e zotit Topi në Kosovë u bë me ftesë të shefit të UNMIK-ut, Joachim Reucker, dhe presidentit Fatmir Sejdiu.

Moment historik

Presidenti i Shqipërisë viziton Kosovë në një moment historik për të ardhmen e saj, në prag të njoftimit të paralajmëruar të shpalljes së pavarësisë.

Diplomatë nga Tirana dhe Prishtinë thonë se vizita e presidentit Topi në Kosovë flet për një realitet të ri të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete shumë të rëndësishme në rajonin e Ballkanit.

Analistët ndërkaq vlerësojnë se Shqipëria ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në procesin e pavarësimit të Kosovës.