http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 24 janar 2008 - 09:47 CET

Masat e sigurisë në Kosovë

Zyrtarë të SHPK dhe të forcave paqeruajtëse në Kosovë kanë bërë me dije se kanë planifikuar veprimet e tyre në periudhën e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Zëdhënës të forcave për ruajtjen e rendit në Kosovë kanë thënë se qëllim kryesor i tyre është ruajtja e jetës së qytetarëve dhe e pronës për periudhat në të cilat po kalon Kosova.

SHPK-ja dhe KFOR-i kanë hartuar planet e veprimit të tyre për periudhën kur pritet shpallja e pavarësisë së Kosovës, me qëllim të shmangies së trazirave të mundshme, që do të conin në një përshkallëzim të situatës në Kosovë.

Një zëdhënës i SHPK-së, Veton Elshani, i tha BBC-së se sipas planit të veprimit, forcat policore do të përqëndrohen në mjediset me shumicë serbe për të ofruar siguri për qytetarët serbë, në kohën kur mund të shpallet pavarësia e Kosovës.

Zoti Elshani ka thënë se forcat e sigurisë nuk presin përshkallëzim të situatës në Kosovë dhe planet e hartuara janë pjesë e punës së përditshme.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Elshani dhe e pyeti se cfarë përmban plani operativ "Statusi".

Veton Elshani: Ne e dimë se jemi në prag të shpalljes së statusit. Marrë parasysh faktin se bisedimet për statusin kanë përfunduar mund të ndodh të merret edhe një vendim.

SHPK-ja ka marrë të gjitha masat që situata në mbarë territorin e Kosovës të vazhdojë të mbetet e qetë.

Që në dhjetor të vitit 2005 ne kemi patur një plan operativ me kodin "Siguria e rreptë" dhe që qëllim kryesor kishte krijimin e klimës së sigurisë në mbarë territorin e Kosovësn në periudhën e fillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës.

I njejtë është edhe plani i tashëm, i ashtuquajtur "Statusi", e që ka të bëjë me diskutimet për statusin e ardhshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Marrë parasysh pritjet e qytetarëve për përfundimin e statusit, marrë parasysh edhe ngjarjet që e rrethojnë definimin e statusit të Kosovës, atëherë SHPK-ja ka përpunuar planin operativ që përfshin variante të ndryshme.

Por për shkak të ndjeshmërisë së planit dhe për shkak të vazhdimit të diskutimeve rreth tij, nuk mund të flasim në hollësi.

Mirëpo ky plan në vetvete përfshin ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike, ruajtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve si dhe detyrat e policisë.

Pra kemi sigurinë e përgjithshme në Kosovë, ngritjen e nivelit të përgjegjësisë policore dhe reagimet e veprimet.

Pastaj mbrojtjen e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, garantimin e lirisë së lëvizjes dhe të shprehjes për të gjithë qytetarët si dhe kontrollimin e mundshëm të shfaqjes së turmave, në këtë rast manifestime gëzimi ose të pakënaqësisë e, në këtë rrafsh, edhe parandalimin e luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale nga ana e cilitdo qytetar ose individi që do të rrezikonte sigurinë publike dhe stabilitetin.

BBC: Dhe kjo do të thotë se ju do të përqëndroheni posa[ërisht në pikat përreth pakicës serbe?

Veton Elshani: Në përgjithësi ne do të kemi një përqëndrim më të madh në këto vende dhe varësisht nga situatat edhe mund të reagojmë. Kjo s'do të thotë se ne jemi në pritje të përshkallëzimit të situatës.

 Është çështje e SHPK-së për fillimin e zbatimit të këtij plani operativ. Ajo që mund të themi është se ne jemi të përgatitur për çfarëdo situate.
 
Veton Elshani

SHPK punon plane operative edhe kur vijnë personalitete të ndryshme që vizitojnë Kosovën. Kjo nuk është asnjë çudi që ne punojmë plane operative dhe i ushtrojmë vazhdimisht ato për një process që po zhvillohet tani.

BBC: Zoti Elshani a ka filluar të zbatohet apo po prisni ta zbatoni planin "Statusi"?

Veton Elshani: Ende nuk ka filluar të zbatohet. Ai është punuar, është shumë fleksibël, dhe ai mund të ndryshojë nga casti në cast. Është çështje e SHPK-së për fillimin e zbatimit të këtij plani operativ. Ajo që mund të themi është se ne jemi të përgatitur për çfarëdo situate.

BBC: Jeni të përgatitur për situatat edhe më të rënda?

Veton Elshani: Për të gjitha llojet e situatave.

BBC: Dhe kjo do të thotë se jeni të përgatitur edhe për pjesën veriore të Kosovës?

Veton Elshani: Jemi të përgatitur për tërë territorin e Kosovës. Ky plan operativ është shpërndarë në mbarë terrtorin e Kosovës, tek SHPK-ja si dhe zbatohet në gjithë territorin e Kosovës në bashkëpunim të afërt me UNMIK dhe me KFOR-in.

BBC: A do të thotë kjo se ju jeni në dijeni të mundësive të ndryshme për përshkallëzim të situatës në Kosovë?

Veton Elshani: Jo aspak. Kjo s'do të thotë se ne jemi në dijeni të këtyre informatave. Pa marrë parasysh ne punojmë plane të ndryshme për situata të ndryshme.

Është obligim i SHPK-së të jetë i përgatitur për çfarëdo situate. Ne kemi pasë shumë raste ku kemipërgatitur plane operative të ndryshme, jemi përgatitur në maksimum por s'ka pasë nevojë as të reagohet.

Kjo për neve është një përgatitje për zhvillim profesional dhe nëse për asgjë tjetër të paktën zhvillohemi në mënyrë profesionale.