http://www.bbcalbanian.com

Violeta Hyseni
BBC Prishtinë

Krasniqi: pavarësia në shkurt

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i tha BBC-së se Parlamenti pritet që në muajin shkurt të shpallë pavarësinë.

Por kreu i parlamentit në Prishtinë tha se data nuk është përcaktuar ende.

Korrespondentja e BBC-së në Prishtinë, Violeta Hyseni bisedoi me kryeparlamentarin Krasniqi.

Ai fillimisht flet për seancën solemne, të cilën Kuvendi e organizon të premten për nder të vizitës që i bën Kosovës presidenti i Shqipërisë Bamir Topi.

Krasniqi: Në rend të parë më 25, 26 dhe 27 janar presidenti i Shqiperisë do të jetë një një vizitë zyrtare në Kosovë dhe natyrisht që ne jemi duke konsoliduar gjithë punën e Parlamentit. Parlamenti është i ri dhe presidenti i Shqipërisë ka shfaqur vullnetin e tij për t'iu drejtuar qytetarëve me një fjalë përshëndetëse në këtë moment historik që po kalon Kosova.

BBC: Zoti kryetar, cili do të jetë roli i Kuvendit të Kosovës, gjatë ditëve të ardhshme kur Kosova pritet të shpallë pavarësinë? A kanë filluar përgatitjet në Kuvend për këtë çështje?

Krasniqi: Në përgjithësi mendoj që edhe Kuvendi, edhe institucionet e Kosovës kanë hyrë në një vit të ri që të do të bëjë disa kthesa historike. E rëndësishme është që tani parlamenti i Kosovës me një deklaratë do të shpallë pavarësinë e Kosovës dhe menjëherë do të kërkojë njohjen ndërkombëtare të kësaj pavarësie.

E rëndësishmja ndoshta më e madhe në këtë moment është që jo vetëm faktori politik shqiptar është i bashkuar në këtë plan, por në këtë angazhim dhe në këtë qëndrim të rëndësishëm politik është në mbështetje edhe faktori ndërkombëtar, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ndonëse jo të gjitha vendet e Bashkimit Evropian janë të bashkuara në këtë pikë, por sidomos është e rëndësishme që vendet dhe shtetet më të fuqishme tanimë janë për pavarësinë e shtetit të Kosovës.

BBC: Dhe, çfarë ka mbetur të bëhet nga ana e Kuvendit. Kanë filluar procedurat për shpalljen e pavarësisë së Kosovës?

Krasniqi: Ne edhe këto ditë jemi duke biseduar me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, jemi në kontakt pothuajse të përditshëm me faktorin ndërkombëtar që është i vendosur në Kosovë.

Duhet të bëhen disa konsulta për të precizuar kohën se kur do të ndodhë kjo dhe ne shpresojmë që shkurti do të jetë koha kur do të ndodhë kjo kthesë e rëndësishme historike edhe për Kosovën, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, sepse ky rezultat nuk është vetëm i shqiptarëve por do të jetë edhe i komunitetit ndërkombëtar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

BBC: Zoti kryetar, ditëve të fundit në media po qarkullojnë data të ndryshme rreth shpalljes së pavarësisë që kryesisht kanë të bëjnë me fillimin e muajit shkurt. E di faktori politik shqiptar datën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

Krasniqi: Për datën e saktë nuk mund të themi, por kjo ngjarje do të ndodhë së shpejti dhe sigurisht për këtë ngjarje qytetarët dhe institucionet e Kosovës duhet t'i kenë disa përgatitje të përfunduara.

BBC: Si për shembull?

Krasniqi: Megjithatë duhet të ketë një komunikim me mediat dhe opinionin, duhet të ketë një siguri të shtuar në gjithë hapësirën e Kosovës. Natyrisht një përkujdesje të veçantë sa i përkët sigurisë e ka faktori ndërkombëtar, KFOR-I, policia e UNMIK-ut dhe Shërbimi Policor i Kosovës.

BBC: Dhe sa kohë do të duhen për t'u bërë gjithë këto përgatitje për shpalljen e pavarësisë?

Krasniqi: Tani nuk duhet shumë kohë, për faktin se ne qe dy vjet e më tepër jemi të inkuadruar në procesin e pavarësisë dhe mendoj se faza kryesore është përfunduar. E kemi dokumentin e Ahtisarit, një dokument i pranuar ndërkombëtarisht, i cili është pranuar nga pala kosovare. Pjesë të mëdha të këtij dokumenti janë të përfshira në Kushtetutën e Kosovës, një dokument bazik i shtetit që është duke u përgatitur dhe mendoj se kanë mbetur krejt pak gjëra që duhet të rrumbullakësohen për ta kryer atë akt të rëndësishëm për Kosovën.

BBC: Zoti kryetar, përmendët Kushtetutën. Sipas planit të Ahtisarit, parashihet që Kosova të ketë Kushtetutën dhe simbolet e saj. Kur do të miratohen në Parlament Kushtetuta dhe simbolet e Kosovës?

Krasniqi: Unë mendoj që hapi i parë që duhet të bëjë Kosovë është deklarata e pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare e saj dhe në periudhën e caktuar sigurisht që do të jenë të gatshme edhe Kushtetuta edhe simbolet e shtetit të Kosovës.