http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 11 janar 2008 - 10:50 CET

Ministri i jashtëm serb viziton Gjermaninë

Pas vizitës dyditore në Bruksel, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, u takua të enjtën me homologun e tij gjerman, Frank Valter Shtajnmajer.

Tema qendrore të bisedimeve ishin nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe çështja e Kosovës.

Dy ministrat shpresojnë se deri më 28 janar do të krijohen kushtet për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë.

Zoti Shtajnmajer tha se një hap i tillë do të ishte i dobishëm për të gjithë, por shtoi se deri më 28 janar duhet sqyrtuar nëse ka një bashkëpunim të plotë të Serbisë me Tribunalin e Hagës.

Ministri i Jashtëm serb, Jeremiq, theksoi se për dërgimin e misionit evropian në Kosovë duhet të ekzistojë një kornizë ligjore në formën e një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit.

"Qeveria serbe ka dy prioritete strategjike me rëndësi të barabartë. Këto janë ruajtja e integritetit territorial të Serbisë dhe integrimet evropiane," tha ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq.

Tani, kur vendimi përfundimtar mbi statusin e Kosovës është gjithnjë e më afër, Berlini zyrtar ka shprehur gatishmërinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe nëse ajo shpallet në mënyrë të njëanshme dhe pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Politikanët gjermanë theksojnë se në BE ekziston gatishmëria që të veprohet së bashku lidhur me këtë çështje dhe t'i jepet ndihmë Kosovës për zgjidhjen e problemeve te saj.

Zyrtarët dhe ekspertët gjermanë reaguan, kryesisht në mënyrë pozitive, ndaj zgjedhjes së qeverisë së re të Kosovës.

Ministria gjermane e Punëve të Jashtme përshëndeti krijimin e, siç theksohet, një qeverie demokratike dhe i uron asaj suksese në përballimin e reformave të shumta që e presin.

Ministria e Jashtme shpreson se qeveria e kryeministrit Thaçi do të jetë një qeveri e të gjithë qytetarëve të Kosovës pavarësisht prej përkatësive të tyre etnike.

Edhe kryetari i Këshillit për politikë të jashtme në Bundestag, Rupreht Polenc, e vlerëson pozitivisht koalicionin qeveritar të Kosovës.

"Arritja e një baze të gjerë parlamentare në Prishtinë është sinjal i mirë kur dihen sfidat që e presin Kosovën edhe në vitin 2008.

Mbetet të shihet nëse qeveria e re është me të vërtetë në gjendje t'u përgjigjet këtyre sfidave," thotë zoti Polenc.

Ai shtoi se kur është fjala për statusin, të gjitha hapat e qeverisë kosovare duhet të koordinohen ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe të jenë në përputhje me planin e Ahtisaarit.